Kthehu lart

​Ylli i NBA frikësohet se mbështetësit e Erdoganit do ta vrasin

​Ylli i NBA frikësohet se mbështetësit e Erdoganit do ta vrasin GazetaExpress

Basketbollisti turk i New York Knicks, Enes Kanter, nuk ka udhëtuar me skuadrën e tij në Londër pasi që frikësohej se mbështetësit e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoganit, do të tentonin ta vrisnin. Si pasojë, ai do të mundojë në ndeshjen e së enjtes kundër Washington Wizards.

Kanteri ishte rritur në Turqi dhe gjatë viteve të fundit e ka kritikuar vazhdimisht në publik Erdoganin. Madje, një herë e kishte quajtur presidentin turk “Hitleri i shekullit tonë”, transmeton Gazeta Express.

26-vjeçari nuk ka udhëtuar me skuadrën e tij në Britani të Madhe për ndeshjen kundër Wizards, që do të zhvillohet në O2 Arena. The Times raporton se Kanteri e mori këtë vendim pasi që frikësohej se do të sulmohej nga mbështetësit e Erdoganit.

Sipas administratës së Erdoganit, Kanteri është i lidhur me Fethullah Gulenin, njeriun që akuzohet për puçin e vitit 2016. Për këtë arsye, ylli i NBA konsiderohet nga qeveria turke si të ishte pjesëtar i ndonjë organizate terroriste.

Enes Kanter

Të mërkurën e kaluar, basketbollisti u takua me senatorin amerikan, Marco Rubio, pasi që në Turqi raportohej se ishte lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar për arrestimin e tij. Kanteri insiston se qeveria turke nuk ka asnjë dëshmi që ai ka bërë diçka të jashtëligjshme.

Mirëpo, ish-basketbollisti i NBA, që tani punon si këshilltar i Erdoganit, Hedo Turkoglu, kishte thënë në fillim të këtij muaji se Kanteri ishte duke tentuar ta njollosë vendin e tij globalisht përmes deklaratave të tij publike.

“Kanter nuk mund të hyjë Britani të Madhe për shkak të problemeve me pasaportë dhe me lëshimin e vizës, e jo për shkak se frikësohet për jetën e tij, siç ka pretenduar ai. Kjo gjë tanimë është e ditur, ai dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes me deklaratat e tij irracionale”, ka thënë Turkoglu.

Knicks fillimisht bëri të ditur se Kanter ishte duke qëndruar në SHBA për shkak të problemeve me vizë, mirëpo më vonë The Times raportoi se vendimi i tij ishte personal.

“Kjo është një gjë shumë personale për të dhe asnjëri prej nesh nuk tentuam të japim edhe komentet dhe mendimet e tona për këtë temë. Ne e mbështesim atë plotësisht dhe sinqerisht duam që ai të jetë mirë”, ka thënë trajenri i Knicks, David Fizdale për The Times. /Gazeta Express/

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:
    Data: 17 Janar 2019 15:25
    Autori: GazetaExpress

    Komentet

    Të tjera