Kthehu lart

Liverpooli e City fitojnë bindshëm, Manchester Unitedi dështon

Liverpooli e City fitojnë bindshëm, Manchester Unitedi dështon GazetaExpress

Sot u zhvilluan disa nga ndeshjet e javës së gjashtë në kuadër të Premierligës angleze, ku Liverpooli e vazhdoi ecurinë e fitoreve në Premierligë.

Liverpooli e ka shënuar fitoren e gjashtë radhazi kundër Southamptonit, me rezultatin 3-0 në “Anfield”, kurse Manchester City po ashtu ka shënuar një fitore të thellë ndaj Cardiff Cityt si mysafir me rezultatin 5-0, ndërsa Manchester Unitedi nuk arriti të shënojë fitore në “Old Trafford”, pasi barazoi me Wolverhamptonin 1-1, shkruan Gazeta Express.

Lojatërt e Kloppit fituan bindshëm në shtëpi të tyre kundër Southamptonit.

Liverpooli ka arritur ta shënojë golin e parë të ndeshjes kundër Southamptonit në minutën e 10’ falë goditjes së Xherdan Shaqirit, e cila preki dy lojtarë për të përfunduar pastaj në gol. Wesley Hoedt ishte ai që e preku topin i fundi dhe që në fund doli të jetë autogoli i tij. 

Golin e dytë të ndeshjes e shënoi Joel Matip me kokë pas një harkimi nga këndi në minutën e 21’, ndërsa Mohamed Salah arriti ta shënoi golin e tij pas tri ndeshjeve pa shënuar për Liverpoolin, falë Xherdan Shaqirit, i cili e goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë, e që më pas iu kthye Salahut për ta futur lehtësisht në rrjetë në minutën e 45’ të pjesës së parë.

Pjesa e dytë nuk kishte diçka më shumë, pasi rezultati mbeti i njëjtë me golat e shënuar në pjesën e parë. Xherdan Shaqiri startoi për herë të parë me Liverpoolin në Premierligë duke i ndihmuar skuadrës në shënimin e dy golave.

Manchester City shënoi fitore të thellë ndaj Cardiff Cityt, me rezultatin 5-0 si mysafir.

Ndeshja ishte e dominuar nga djelmoshat e Pep Guardiolas, të cilët arritën t’i shënojnë pesë gola. 

City golin e parë  e shënoi me anë të sulmuesit Kun Aguero, i cili  në minutën e 31’ me një goditje precize me të parën, pas disa pasimeve të shumta nga bashkëlojtarët e tij e dërgoi topin në rrjetë. 

Bernardo Silva me një gol të bukur me kokë në minutën e 35’ e dërgoi rezultatin në 2-0, pastaj menjëherë pas tij erdhi goli i Ilkay Gundogan me një supergoditje jashtë zonës duke e dërguar rezultatin në 3-0 për skuadrën e tij qysh në pjesën e parë.

Dy golat e parë për Riyad Mahrezin u shënuan në këtë ndeshje, të cilët e dërguan rezultatin në 5-0, të parin e shënoi në minutën e 67’, kurse të dytin në minutën e 89’.

Manchester Unitedi nuk arriti të fitojë në shtëpi, pasi barazoi 1-1 me Wolverhamptonin.

Unitedi e shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 18’ me anë të mesfushorit të ri Fred, i cili e shënoi golin me një goditje të saktë nga distanca për t’i dhënë avantazh skuadrës së tij në Old Trafford, mirëpo gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, pasi Wolves e barazoi rezultatin në minutën e 52’, me një supergodtije të Joao Moutinhos, e cila e la të shtangur David de Gean. 

Liverpooli në ndeshjen e ardhshme do të luajë si mysafir ndaj Chelseat në Kuadër të Premierligës, ndërsa Manchester City e pret në shtëpi Brightonin, kurse Manchester Unitedi i Jose Mourinhos udhëton për t’u ndeshur me West Hamin e Londrës. /Gazeta Express/

    Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:
    Data: 22 Shtator 2018 18:16
    Autori: GazetaExpress

    Komentet

    Të tjera