Kthehu lart

Patrullat lëvizëse reduktojnë aksidentet

Patrullat lëvizëse reduktojnë aksidentet Autori: Xhevat Sopi GazetaExpress

Të aktivizohen patrulla lëvizëse, qoftë me automjete zyrtare të policisë apo edhe më mirë me automjete civile dhe me polici civile. Ato do të lëviznin pandërprerë nëpër akse të caktuara duke mbikëqyrur mbarëvajtjen e trafikut dhe në rastet kur identifikojnë shkelës të rregullave të ndërmarrin masa

Ngjarjet e këtij muaji në komunikacion ishin tmerruese. Prandaj, si një pjesëmarrës në komunikacion dhe drejtues makine me përvojë të gjatë, dëshiroj të jap kontributin tim modest se si e shoh unë nga këndi i jo profesionistit këtë problematikë shqetësuese. Nuk po ndalem për të analizuar faktorët të shumtë dhe nuk mund të bëjë një analizë gjithëpërfshirëse e të detajuar, por përgjithësisht në rastet e aksidenteve me fatalitet, krahas kushteve atmosferike, dukshmërisë, gjendjes së rrugëve, sinjalistikës etj. etj.; faktori kryesor është shpejtësia e madhe përkatësisht mospërshtatje e shpejtësisë kushteve të komunikacionit. Meqë faktori kryesor në të shumtën e rasteve të aksidenteve me fatalitet mbetet shpejtësia atëherë unë do bëjë një analizë të pjesshme duke marrë në trajtim vetëm këtë faktor dhe mënyrën se si do të mund ta mbajmë  nën kontroll.

Të gjithë ne që jemi në komunikacion, si drejtues makinash dhe jo vetëm, dimë se gjithmonë kur afrohemi lokacionit ku e dimë që zakonisht stacionohen patrullat e policisë, ngadalësojmë shpejtësinë madje nën kufizimin  lejuar. Gjithashtu patrullat statike më pak efektive i bënë edhe njoftimi që i bëjmë njëri tjetrit duke sinjalizuar me drita se ka patrullë në rrugë, ves ky që na ka mbetur nga koha e okupimit. Me kanë rënë hera herës të hasi në raste që dikush ka vozitur shumë shpejt dhe rrezikshëm dhe ka kaluar patrulla pa u ndaluar, pikërisht për shkak të këtyre sinjalizimeve. Prandaj konsideroj se masat aktuale të policisë së trafikut nuk japin efektivitetin e duhur dhe prandaj kemi këto statistika shqetësuese.

PROPOZIMI im për policinë e trafikut dhe vendimmarrësit në proces (në këtë rast do të parapëlqeja një vendim të shpejtë të Kryeministrit) që të aktivizojnë patrulla lëvizëse, qoftë me automjete zyrtare të policisë apo edhe më mirë me automjete civile dhe me polici civile. Ato do të lëvizin pandërprerë nëpër akse të caktuara duke mbikëqyr mbarëvajtjen e trafikut dhe në rastet kur identifikojnë shkelës të rregullave të ndërmarrin masa. Pa e elaboruar më shumë këtë ide, të cilën profesionistët do të dinë të plotësojnë shumë më mirë, unë jam thellësisht i bindur se, sikundër reagimin që e bëjmë kur mbërrijmë në lokacione të caktuara kur e dimë që ka policë, kur do ta dimë që në çdo çast do të hasim në policë, respektimi i rregullave do të jetë maksimal. Rrjedhimisht numri i aksidenteve do të ishte shumëfish më i vogël, kurse i atyre me fatalitet do të ulej drastikisht.

E çfarëdo kosto për masa që do të shpëtonin jetë njerëzish, për mua do të ishin të justifikueshme!

    Data: 17 Korrik 2018 11:02
    Autori: Xhevat Sopi

    Të tjera