Kthehu lart

​Forca Jonë - Rrëfimi im për transicionin!

​Forca Jonë - Rrëfimi im për transicionin! Autori: Burim Ramadani GazetaExpress

“FSK është më organizatë më profesionale se disa ushtritë e disa shteteve që sot janë në NATO”, i pat thënë zëvendësministrit të vet të Mbrojtjes një Gjeneral me tri yje i një shteti të fuqishëm europian. Por, nuk do të bëhej po të mos kishim program të detajshëm dokumentues. I kemi prezantuar ato rreth e përqark ambasadave e zyreve ndërlidhëse, ekipeve që vizitonin Kosovën, dhe pastaj kemi dalë edhe nëpër kryeqytete të ndryshme të vendeve anëtare të NATO-s. Në Berlin, Paris, Romë, NATO (Bruksel), Washington D.C, Lubljanë, Pragë, Riga.

Në janar të 2018-tës, asgjë nuk ishte afër. Një gjë e dinim: sivjet duam të kalojmë ligjet për Forcën! Ky u vendos prioritet kombëtar i Kryeministrit. Më kërkoi të jem me krejt angazhimin e plotë në ekipin e tij për këtë temë! Nuk kam sesi të mos ndihem krenar që u bëra! Dhe, kjo u kurorëzua, krejt rastësisht, në Ditëlindjen time të 37-të! Sot, më 14 dhjetor 2018.

Por, transicioni i Forcës, pra FSK-së, nuk ishte afër. 

Nuk do të bëhej po të mos kishim një plan të detajshëm. Dhe, definitivisht, nuk do të bëhej po të mos këmbëngulte me aq përkushtim Ramushi. 

Kryeministri.

I thash para pak ditësh: I ke hapur dyert e mëdha për Forcën! 

Vërtetë e besoj se këtë e ka bërë. 

Tash, pak orë pasi u votuan ligjet në Kuvendin e Kosovës, që pastaj do të duhet të hynë në fuqi për të qenë punë e kryer formalisht, secili prej nesh mund të ketë një shpjegim të caktuar. Një dimension të caktuar, sigurisht. Sepse, nuk është e mundur të mbulosh të gjitha dimensionet e një procesi. 

Megjithatë, e di një gjë: Nuk ka pasur asnjë ditë të vetme pune gjatë krejt këtij viti që transicioni i Forcës nuk ka qenë temë diskutimi. Në pikat e diskutimeve të Kryeministrit, në pikat e diskutimeve të Ministrisë dhe të Forcës. 

Më tepër se kaq, në fillim të këtij viti kemi hartuar një plan të detajshëm. Program kombëtar do të quaja tash, anipse atëherë nuk e kam quajtur të tillë. 

Me argumentim. Me dokumetim. Me informim. 

Këtu, Kosova dhe FSK-ja ka pasur dhe ka çka të dokumentojë. Edhe aspektin strategjik politik, edhe gjithëpërfshirjen, edhe provizionet ligjore e kushtetuese për promovimin e të drejtave të komuniteteve pakicë. Këtë kemi bërë. 

Kemi kaluar orë të tëra nëpër ditë të tëra në atë që po i referohemi si shtrydhje të trurit. Për secilën fushë, për secilin detaj. Pastaj, kemi hartuar një dokument të të gjithë këtyre. I kemi kthyer edhe në prezantime në Power Point. 

Pjesa e dytë e kësaj ka qenë FSK-ja. Historiku, e tashmja, arritjet, e ardhmja. Të gjitha fije e për pe, të kondenzuara në pak sllajde. 

Planin e Transicionit të FSK-së, po atë planin 10 vjeçar, e kemi spjeguar edhe me detajet më të vogla saherë që është dashur. 

I kemi prezantuar ato rreth e përqark ambasadave e zyreve ndërlidhëse, ekipeve që vizitonin Kosovën, dhe pastaj kemi dalë edhe nëpër kryeqytete të ndryshme të vendeve anëtare të NATO-s. Kemi shkuar edhe në Selinë Qendrore të NATO-s dhe kemi bërë prezantimet para rreth 16 shteteve anëtare. 

Prezantimet e tilla edhe teknike i bëmë në Berlin, Paris, Romë, NATO (Bruksel), Washington D.C, Lubljanë, Pragë, Riga.

Kjo pjesë nuk ka marrë asgjë më pak se 10 muaj angazhim ditor. Por, e vërteta është se duhet të vazhdohet më tutje. Na duhet mbështetja e sa më shumë aleatëve në NATO.

Sepse, e duam Kosovën në NATO. 

Forca jonë do të jetë organizatë ushtarake multi-etnike dhe profesionale. Do të jetë plotësisht e ndërverpueshme me shtetet partnere dhe me NATO-n. Do të jetë institucioni model në rajon. 

Ndërkaq, Kosova do të jetë vendi i 31-të i NATO-s.

Qartësisht se anëtarësimi në NATO në thelb është proces politik. Jam i bindur se do të gjendet mënyrat specifike për të drejtuar rrugën e Kosovës në NATO. 

Unë besoj se në vitin e ardhshëm do të hapet rruga për të arritur marrjen e Planit të Veprimit për Anëtarëim (Membership Action Plan), pjesëmarrja në Partneritet për Paqe, ndërsa për pak kohë do të mundësohet Dialogu Politik për Anëtarësim. 

E mira e kësaj faze është se Kosova veçmë plotëson kriteret edhe politike dhe teknike për Partneritet për Paqe dhe për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Pastaj, çështjet e mbetura për avancimin e rrugës drejt NATO-s do të shtrohen përmes Dialogut Politik për Anëtarësim. 

Kosova është konceptualisht pjesë Mbrojtjes së Mençur dhe si e tillë paraqet një hap tejet të rëndësishëm përpara. 

Një rrëfim i shkurtër zor se mund të bëhet. Nuk përfshin të gjitha. 

Sidoqoftë, një meritë shembullore është e të gjithë pjesëtarëve të Forcës sonë! Në të gjitha nivelet. 

Ka qenë kënaqësi që vlerësime të tilla të dëgjoj saherë që kam takuar e folur homologët e mij – zëvendësministrat e Mbrojtjes nëpër shtete të ndryshme. 

“FSK është më organizatë më profesionale se disa ushtritë e disa shteteve që sot janë në NATO”, i pat thënë zëvendësministrit të vet të Mbrojtjes një Gjeneral me tri yje i një shteti të fuqishëm europian.  

    Data: 14 Dhjetor 2018 16:55
    Autori: Burim Ramadani

    Të tjera