Kthehu lart

Thaçi fillikat

Thaçi fillikat Autori: Lis Bukuroca GazetaExpress

Nga 21 dhjetori deri sot, më 25 dhjetor, në odën e Thaçit në facebook, asnjë mirënjohje dhe asnjë deklarim për taksat ndaj prodhimeve serbe. Një ditë pas taksave, kryetari i Kosovës, artikulohet dy herë për alfabetin e gjuhës shqipe, por jo për germat e atij alfabeti, që përdori Qeveri e vendit të tij, për të bindur Serbinë për t’i kthyer arsyes së shëndoshë dhe për të pushuar me agresionin.

Siç shihet, atë veprim të Qeverisë, Thaçi nuk e përjetoi si revoltë normale ndaj shtetit serb, i cili merret në mënyrë armiqësore me demontimin e shtetit të Kosovës, por Thaçi lëçiti vetveten. Tani Vuçiqi dhe Daçiqi përpiqen të kopjojnë Rugovën, por nuk harrojnë asnjëherë të përmendin e fuqinë ushtarake që kanë ndërtuar duke investuar Kosova gati 500 milionë euro në vit.

Kryetari pranoi dështimin me gjakftohtësi sportive, marramendëse dhe bëri thirrje për të vazhduar negociatat. Pas atij mendimi në facebook, muri i tij, u bë helaq me sharje. Në fakt, Thaçi nuk meriton sharje, por përjashtim nga politika e Kosovës, si edhe skulptori i tij presidencial, Isa Mustafa. Ka shumë arsye që rekomandojnë atë, por pikë së pari është mënyra si ka ndërtuar shtet, mënyra si ka zaptuar vendet udhëheqëse me fisin dhe miqtë e tij, mënyra si percepton ai demokracinë dhe mënyra si zhvillon negociatat. Ky sillet me shtetin e Kosovës mu si kryetari i Koresë së Veriut me vendin e vet!

Shteti francez i siguroi një vend, që as për nga pesha ekonomike, as për nga forca ushtarake, as për nga funksionimi i shtetit ligjor, nuk e meritonte. Nuk mjaftoi vetëm kjo, por për ta ngritur personalitetin e tij të lëkundur në vend, shteti francez i organizoi edhe një takim me Putinin. Biseda në vetvete nuk mund të kundërshtohet, por ajo as nuk pritej, e as që merrej me mend, kur dihet qëndrimi rus ndaj Serbisë dhe Kosovës. Ky takim i duhej Thaçit për të impresionuar kundërshtarët e tij në Kosovë.

Sidoqoftë, kretari befasoi të gjithë, shtangu kundërshtarët dhe filluan insinuatat, spekulimet. Nga “Tax Day” u tërhoq dhe merrej me mend se po përgatit një sulm të bujshëm kundër vendimeve të Qeverisë, që ai i llogarit si demontim i projekteve të tija. E çfarë mund të ishte më gjeniale, se sa takimi me njerëzit e Trumpit? Asgjë! Askund nuk pret ai mbështetje më të madhe, se sa nga John Bolton, që ishte kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Tani Qeveria e Trumpit me “America first”, duhet të kërkojë nga Qeveria e Kosovës, - që përherë të parë mori guximin të bërtasë “Kosova first”-, të anulojë  pikërisht ato metoda, që i adhuron Trumpi vet! Nuk ka asnjë dyshim se Thaçi pret, ose ka shkuar për t’i prodhuar Qeverisë trysni amerikane! Vuçiqi nuk mund të ketë sukses, sa mund të ketë Thaçi në luftë kundër vendimeve të Qeverisë së vet. Shpejt do të pasojë një rrëzim, por akoma nuk dihet cili: Thaçi apo Haradinaj! Ajo që mund të thuhet tani, është kjo: Kryetari nuk ka shkuar në SHBA për ta rrëzuar vetveten!

Korrigjimi i kufirit, diskutimi për një vijë më etnike, defaktorizimi i komponentës serbe në Kosovë, nuk është nismë që duhet gjykuar qysh në fillim. Çështja nuk është te dëshirat, por te manipulimi i opinionit publik. Sikur Thaçi të deklarohej hapur dhe sinqerisht, se Kosova do të jepte këtë dhe atë pjesë të territorit, por do të merrte këtë apo atë, atëherë mund të mendohej në atë drejtim dhe të shiheshin anët pozitive dhe negative. Mirëpo, ai vazhdon të mashtrojë dhe paraqet Serbinë si shtet të drejtë, human, i cili është i gatshëm të falë Luginë pa marrë asgjë, edhe pse Vuçiqi premtoi se do të investojë në Trepçë gjashtë milion euro. Edhe pse qe kërcënuar me themelimin e autonomisë pa leje të Prishtinës, por që tani nuk e bën, sepse për korrigjimet, ata dy duhet të jenë marrë vesh. Fundi i fundit, pse të krijohet një autonomi për serbet, kur ajo pjesë do të shkëputet. Nuk e krijon Qeveria, nuk e kërkon Serbia. Në fakt, veriu është i pushtuar dhe i shkëputur nga Kosova.

Çfarë mund të pritet tash? Kryetari shpreson rehabilitimin psikik nga goditja, rikrijimin e vetvetes, këndelljen dhe imponimin e ultimatumeve, që ai i dëshiron dhe i pret nga qeveria amerikane. Kjo vizitë nuk është miqësore, por gazepi dhe kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës. Vet fakti se i është akorduar një mundësi takimi me nxitim edhe me Pompeon, len të kuptohet se ata dinë mirë, se Thaçin ka filluar rrëmbyeshëm ta tërheq gravitacioni!

    Data: 25 Nentor 2018 19:16
    Autori: Lis Bukuroca

    Të tjera