Kthehu lart

Taksa që ndal Thaçin

Taksa që ndal Thaçin Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Taksa 100 % nuk i ka ndalur vetëm mallrat e Serbisë, por edhe Hashim Thaçin. Beogradi ka thënë se nuk do të ketë dialog derisa taksa të hiqet. Edhe nëse dialogu ndërprehet, Kosova nuk ka çfarë të humb më shumë. Por, humbës mund të dalë presidenti.

Nuk mbaj mend të ketë qëndruar ndonjëherë anash zhvillimeve Hashim Thaçi, siç ka bërë javët e fundit, pas vendosjes së taksës për prodhimet serbe nga ana e Qeverisë së Kosoëvs. Presidenti, i cili ka ditur të reagojë në rrjetet sociale edhe për gjëra triviale ka zgjedhur të hesht, pavarësisht se bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësishëm në shtetin të cilin e udhëheq.

Vendosja e taksës ka shkaktuar reagime të ashpra nga Serbia e nga zyrtarë të Bashkimit Europian, të cilët kanë kërkuar që ajo të hiqet. Madje, zyrtarë të BE’së këtë ia kanë kërkuar direkt Thaçit, thua se ai është kompetent për një gjë të tillë.

Natyrisht, zyrtarët e BE’së nuk i janë drejtuar Thaçit rastësisht, pavarësisht se adresa është e gabuar. Ata tek presidenti shohin njeriun, i cili është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Serbinë, madje edhe me çmimin e shkëmbimit të territoreve. Por, përgjegjës për taksën nuk është ai. Përgjegjësinë e ka Ramush Haradinaj, i cili nuk ka dhënë sinjale se taksa do të hiqet shpejt.

Vendosja e taksës ka bërë që Beogradi të mos jetë i gatshëm të vazhdojë dialogun. Rrjedhimisht, “pa punë” ka mbetur edhe Hashim Thaçi, i cili muaj me radhë nuk ka lënë rast pa e promovuar idenë e tij të “korrigjimit” të kufijve.

Nëpërmjet vendosjes së taksës, kryeministri Haradinaj ka ndërmarrë masën e vetme që e ka në dorë për ta kushtëzuar Serbinë që ta ndërrojë qasjen karshi Kosovës së pavarur. Por, me këtë veprim Haradinaj në mënyrë indirekte ka goditur edhe Thaçin, aventurën e rrezikshme të të cilit nuk e përkrah.

* * *

Hashim Thaçi ka dërguar sinjale gjithandej se ka përkrahje në Kosovë për idenë e tij, edhe pse situata është krejt tjetër. Ramush Haradinaj ka përsëritur disa herë se kufijtë ndryshohen vetëm me gjak, ndërkohë që ai nuk gëzon as përkrahjen e spektrit politik për aventurën e tij.

Është Thaçi ai i cili ka pranuar të futet në dialog me Beogradin, në pozitë absolutisht të pabarabartë. Është Thaçi ai i cili ka pranuar që marrëveshjet me Beogradin të mos arrihen mbi bazën e reciprocitetit. Falë Thaçit dhe politikës së tij sot Kosova vazhdon të injorohet nga Serbia, sot kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm përmes Serbisë, prodhuesit kosovarë nuk mund t’i plasojnë lirshëm prodhimet e veta në tregun e Serbisë, ndërkohë që Kosova vazhdon të luftohet çdo ditë dhe në çdo formë nga Serbia - pavarësisht se qëllimi i dialogut thuhej të ishte normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Falë politikës së Hashim Thaçit sot ka më shumë Serbi në Kosovë.

Vendosja e taksës e ka tronditur Beogradin, ngase tregu i Kosovës është më i rëndësishmi për të. Rreth gjysmë miliardi euro në vit nuk janë pak për Serbinë. E këto para, Serbia i ka fituar nga kosovarët duke ua luftuar shtetin e shtetësinë, duke i injoruar e poshtëruar sa herë ka dashur e ka mundur, duke ndikuar te shtetet e ndryshme për t’i tërhequr njohjet dhe duke e bllokuar anëtarësimin e vendit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Serbia nuk e ka dashur as e do Kosovën, por i do milionat e saj. Po të mos ishte kështu, po të mos ishte Kosova treg i rëndësishëm për të, atëherë nuk do të kishte reagime kaq të ashpra e as propagandë kaq të madhe.

* * *

Hashim Thaçi e di se është çmenduri të kërkohet heqja e taksës. Por ai, po ashtu, e di se pa u hequr taksa dialogu nuk mund të vazhdojë. Raportet e tij me kryeministrin Haradinaj nuk janë hiç të mira e vendosja e taksës, edhe pse mund të shihet si veprim populist e elektoral, është instrumenti i vetëm që Kosova ka në dorë për të treguar se është shtet dhe për t’i thënë mjaft nënshtrimit e poshtërimit. Për t’i thënë mjaft politikës agresive të Serbisë e cila në vitet ’90 e pushtoi, e shkatërroi dhe e vrau Kosovën, ndërkaq pas luftës po ashtu e vazhdoi pushtimin, vetëm se nëpërmjet agresionit ekonomik. Shtëpitë që ua dogji kosovarëve me themel, ua ndërtoi me materialet që shqiptarët i blenin me marka e euro në Serbi.

Nëse Kuvendi nuk po mundet ta ndal Hashim Thaçin në idenë e tij, këtë po e bën taksa 100 %. Beogradi ka thënë se nuk do të ketë dialog derisa taksa të hiqet. Deri atëherë as Hashim Thaçi nuk do të ketë mundësi që ta çojë përpara idenë e tij.

Kosova ka përfituar shumë pak nga dialogu dhe nëse dialogu ndërprehet derisa të ndërrojë qasja e shtetit fqinj, Kosova nuk ka çfarë të humbasë më shumë. Humbës mund të dalë vetëm Hashim Thaçi.

    Data: 13 Dhjetor 2018 15:57
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera