Kthehu lart

Revolta e njerëzve të harruar kundër elitës arrogante

Revolta e njerëzve të harruar kundër elitës arrogante Autori: Pierluigi Battista GazetaExpress

Është frika e varfërimit më shumë se vetë varfërimi, ai që nxit dhe shtrëngon një klasë të mesme të reduktuar, të rrethuar nga të dënuarit e rinj të tokës që marshojnë me potere për të shkatërruar një identitet gjithnjë e më të paaftë për të mbrojtur veten e tyre: klasën e mesme, jo vetëm jetimët e pafavorizuar të mbrojtur nga shtet i mirëqenies në rënie. Ndoshta përballja antipopuliste, ose sidoqë ta quajmë, duhet të hapë sytë dhe t’i shohë gjërat me syrin e Houellebecq: rëndësia strukturore e superstrukturës

Nëse kjo superstrukturë jomateriale, që do të vinte në pozitë të vështirë edhe Karl Marksin me leksionet e tij kontroverse, do të thoshte diçka më shumë për kryengritjen “populiste” më shumë se struktura e fortë, konkrete dhe e prekshme?

Le të marrim rastin e Francës: për një rritje të taksave mbi karburantin, “jelekët e verdhë” i vunë zjarrin Parisit. Nga vjen ky zemërim? Sa e justifikojnë këtë tërbim arsyet thjesht financiare dhe sa ndjesia e pamohueshme e përjashtimit që ushqen ajo taksë, metropoli i privilegjeve arrogante që shtyp provincën e “harruar”?
Le të shohim Shtetet e Bashkuara: Donald Trump në fushatën zgjedhore të fundit mund të mburrej dhe ta përdorte si argument rritjen spektakolare të PBB-së amerikane, por në vend të saj zgjodhi të përqendrohej te kërcënimi që sipas tij përfaqësonte karvani i emigrantëve të cilët iu afruan kufirit.
Trump e njeh mirë popullin e tij të “njerëzve të harruar”, te i cili frika e pushtimit duket shumë më tepër emocionalisht mobilizuese se suksesi ekonomik, sigurisht e rëndësishme, por më pak vendimtare në “ndezjen e benzinës” kundër botës së privilegjuar të establishmentit: ajo çfarë nuk do të preket kurrë nga presioni i “të mjerëve” të rinj që mblidhen bashkë.
Le të shikojmë Britaninë: kush kishte zgjedhur Brexit ndoshta nuk kishte marrë parasysh pasojat negative të ndarjes nga BE-ja. Sigurisht, megjithatë ata u dyndën në masë për të thënë fjalën e tyre me votë kundër fuqisë së Brukselit, me kërcënimin e një ishulli krenar për veten dhe të ngopur me të huajt. Dhe edhe sot, në qoftë se do të votonin sërish, në një referendum të ri me rezultat të ndryshëm nga ai i mëparshmi, një pjesë e madhe e njerëzve, larg nga qendra e shndritshme e Londrës, do të konfirmonte një zgjedhje ekonomikisht shumë të rrezikshme, por të përshkuar me ngrohtësi emocionale.
Le të shikojmë Gjermaninë: çfarë motivimi ekonomik e nxiti Bavarinë e pasur që t’i kthente shpinën Angela Merkel-it?
Shikojmë Italinë: ku “numrat e vegjël” të ekonomisë, siç i quan me njëfarë mendjelehtësie Luigi Di Maio, japin sinjale problemi, kur blloku që mbështet të dy partitë në pushtet duket se ka ndryshuar paksa, por është larg ridimensionimit, të paktën tani për tani. Shenja minus e PBB-së nuk e mohon shenjën plus në sondazhe. Si ndodh kjo? A nuk ishte ekonomia që përcaktonte lëvizjet e opinionit?
Ndoshta revoltën popullore duhet ta shohim me një sy tjetër. Kur Michel Houellebecq ka shkruar librin “Nënshtrimi”, profecia e marrjes së pushtetit presidencial në Francë nga një kandidat islamik, shkrimtari francez theksoi se kërkesa e myslimanëve për të hyrë në qeveri nuk kishte synim marrjen e ministrive me peshë ekonomike, por që Ministria e Arsimit dhe privatizimi i Sorbonës të viheshin në duart e Arabisë Saudite. Houellebecq donte të na nxiste ta shihnim realitetin me një sy tjetër, sepse lufta kulturore është më e fortë dhe më e rëndësishme sesa ajo ekonomike.
Thyerja që sot ndan botën në dy popuj- siç shprehet Eric Zemmour teksa komenton kryengritjen e “jelekëve të verdhë”, në “Le Figaro”- në dy kompani, në dy gjuhë, në dy modele të jetës, është një thyerje kulturore, ekzistenciale: ne kundër tyre, bota e periferisë dhe ata që janë instaluar në zemër të pushtetit, të modernitetit të pasanikëve, metropolit kozmopolitan, popullit kundër burokracive, teknokracive dhe eurokracive.
Nuk janë thjesht disa cent që i shtohen çmimit të karburantit ajo që ndez zemërimin, por fakti që vendimet i marrin “ata”, që qarkullojnë pa e vrarë mendjen në Paris, në rrugët e biçikletave dhe jo me makinat me naftë për të shoqëruar fëmijët e tyre në shkollë, në zemër të krahinave të varfra, më shumë sesa nga paratë, nga aktiviteti shoqëror; të përzënë nga qendra, edhe ajo e kërcënuar në identitetin e saj. Frika e identitetit të humbur është karburanti i kryengritjes. Pakënaqësia më shumë se llogaria në bankë, të paktën tani për tani.
Nuk merren me ne, veçse kur na shtrydhin me taksa, thonë “jelekët e verdhë” dhe njerëzit e Salvinit, ndjekësit e rinj të Trumpit që dikur votonin demokratët dhe mbështetësit e një Brexit-i që mund të çojë në tkurrjen e pasurisë angleze. Janë pikërisht të dënuarit me përjashtim kulturor, margjinalizim, mungesë shoqërore që ndihen më të varfër edhe nëse ata mund të mbajnë një makinë SUV.
Është frika e varfërimit më shumë se vetë varfërimi, ai që nxit dhe shtrëngon një klasë të mesme të reduktuar, të rrethuar nga të dënuarit e rinj të tokës që marshojnë me potere për të shkatërruar një identitet gjithnjë e më të paaftë për të mbrojtur veten e tyre: klasën e mesme, jo vetëm jetimët e pafavorizuar të mbrojtur nga shtet i mirëqenies në rënie. Ndoshta përballja antipopuliste, ose sidoqë ta quajmë, duhet të hapë sytë dhe t’i shohë gjërat me syrin e Houellebecq: rëndësia strukturore e superstrukturës.

/Corriere della sera/

    Data: 06 Dhjetor 2018 11:12
    Autori: Pierluigi Battista

    Të tjera