Kthehu lart

Rama, narciz i sëmurë apo hajdut i pangopur?

Rama, narciz i sëmurë apo hajdut i pangopur? Autori: Fatos Lubonja GazetaExpress

Duke ndjekur intervistën në “Opinion” të Edi Ramës me gazetarët (pjesën për Teatrin Kombëtar), m’u ngjall edhe një herë një pikëpyetje që ngrihet në rrethet gazetareske mbi Kryeministrin.

Pikëpyetja është se çfarë dominon në projektet Rama të shembjes së
monumenteve të kulturës si Stadiumi e Teatri: babëzia e hajdutit që
kërkon të ketë sa më shumë para për pushtet dhe pushtet për para
apo sëmundja e narcizistit delirant e mitoman, që mendon se historia
fillon me të?

Ka që ngulmojnë se duhet ta harrojmë delirin dhe historinë.
Shikoni Komunën e Parisit! – të thonë ata. 

Aty Rama ka pasur mundësi ta fillojë historinë nga zeroja sepse ishte një terren i virgjër, ku mund të shfaqte krejt ambiciet, dashurinë dhe vizionin e tij për qytetin – sikur ta kishte – dhe ja se çfarë shëmtie ka bërë. 

Shikoni prishjen e tërë atyre vilave historike te Blloku, te Rruga e Elbasanit etj., për të ngritur atje ndërtesa banale me të vetmin kriter: sa më shumë sipërfaqe shitjeje në gjerësi dhe lartësi. 

Ju duken të bukura ato, ju duket se kanë ndonjë pretendim për të bërë histori, përveç historisë së shëmtimit të këtij qyteti? Mirëpo, në këtë pikë partizanët e delirit, që nuk e mohojnë hajdutin brenda tij, ndërhyjnë e thonë se politikanë hajdutë ka pasur dhe ka Shqipëria, por askush nuk ka arritur deri te shembja e objekteve të tilla si Teatri apo Stadiumi.

 Këtu ka diçka më tepër – të thonë ata – dhe të kujtojnë atë argumentin e
Vangjush Dakos, kur tha se Veliera po bëhet për turistët që do të
vijnë pas treqind vjetësh të vizitojnë Durrësin.

Personalisht, kam mëdyshje mbi atë se çfarë dominon te Rama,
babëzia e firmës së betonit Rama/Gjushi, apo megalomania e
narcizisit manipulator e mitoman që pandeh se po lë gjurmë në
histori. 

Madje, them se nuk ka kuptim të kërkosh se cila dominon
sepse ato janë tashmë dy anë të medaljes, ku asnjëra nuk bën dot pa
tjetrën. Por një gjë di të them me siguri nisur nga ajo historia që
Rama po e përsërit ngase nuk do dhe nuk di të mësojë prej saj. Gjëra
të bukura mund të bëjë edhe një i sëmurë narcizist megaloman, por
kurrsesi kur sëmundja bashkohet me kalkulimin për të vjedhur dhe
me injorancën.

Në emisionin “Opinion” të së enjtes, gazetarët e ftuar u morën jo aq
sa duhet me synimin për të vjedhur në projektin e Teatrit. 

Për të ilustruar tezën time, do të thosha se ato kullat “Fusha” prapa, që kanë synim vjedhjen, dëmtojnë estetikisht edhe vetë projektin “Flutura” të danezit sepse i marrin dritën frymën dhe hapësirën, për të cilën ka nevojë; dhe fakti që Rama nuk shqetësohet fare për këtë, përforcon tezën e atyre që thonë: harrojeni delirin, shikoni vetëm vjedhjen.

Debati megjithatë u përqendrua më shumë te pjesa kulturore e
projektit: te nevoja apo jo e ruajtjes së ndërtesës historike. Dhe
pikërisht këtu Rama shpalosi injorancën e tij të thellë, që, bashkë me
vjedhjen nuk mund të lërë kurrsesi të bëjë gjëra të bukura.
Do të ndalem vetëm në dy momente.

I pyetur nga Fevziu se me çfarë argumenti një objekt si Teatri
Kombëtar është futur në monumentet e kulturës në vitin 2000 dhe
tani është hequr për t’u shembur, Edi Rama u përgjigj se që nga ajo
kohë kanë kaluar 20 vjet.

Kjo përgjigje (pa përgjigje) nuk mund të
jepet pa qenë “profondamente ignorante” (thellësisht injorant) siç e
ka pas cilësuar dikur një ish- këshilltare e tij me profesion arkitekte.
Kryeministri që ka qenë edhe kryetar bashkie, edhe ministër Kulture
nuk e paska mësuar ende se lista e objekteve që janë monumente
historike nuk vjen duke u pakësuar, por duke u shtuar në një qytet që
nuk sundohet nga talebanët, sepse historia ecën përpara, çka do të
thotë se sot p.sh. ne kemi nevojë të shpallim monumente kulture
edhe shumë objekte të kohës së socializmit, ndërkohë që ata më të
vjetrit bëhen edhe më të çmuar ashtu si vera e mirë. 

Jo vetëm, por Kryeministri na nxori qartë se ai paska hequr si monument kulture
edhe godinën e ish Komitetit Qendror edhe Piramidën (duke lënë
vetëm asfaltin e bulevardit) sepse paska ndërmend t’i transformojë,
duke i vënë të parit një kapuç të madh mbi kokë dhe të dytit shkallë
për të luajtur fëmijët, duket sipas projektit të Vini Mass. A dominon
babëzia apo sëmundja psikike në këtë punë, për mua s’ka shumë
rëndësi. E rëndësishme është që këtu kemi të bëjmë me një padituri
të thellë edhe emocionale, edhe racionale mbi rëndësinë e
monumenteve të kulturës.

E kjo lidhet me një tjetër padituri që manifestoi Kryeministri në
emisionin e së enjtes, duke respektuar gjatë gjithë debatit “këshillën”
e Mark Twenit: “Gjithçka për të cilën ke nevojë në këtë jetë, është
injoranca dhe besimi dhe atëherë suksesin e ke të garantuar”.
Kur gazetarët i thanë se ka prishur një monument kulture (duke folur
për stadiumin), ai u përgjigj: “Monument kulture ka qenë i gjithë
Ansambli, jo thjesht Stadiumi”.

Sipas kësaj diturie, nëse i heqim një copë një monumenti kulture, ai nuk u cenuaka. Më pas, për të demaskuar deri në fund veten sipas atij parimit se po t’u prish
karakteri të zbehet edhe inteligjenca, filloi të thotë se ai nuk e ka
prishur objektin e Bozios, pasi fasadën, që qenka e vetmja gjë me
vlerë e objektit, e paskan futur brenda stadiumit: “Siç i bëjnë
italianët, nga të cilët unë mësoj, kurse ju nuk mësoni”, shtoi ai duke
përqeshur gazetarët.

Nuk dua të flas këtu për faktin se për të shembur një objekt të
mbrojtur me ligj, minimalisht duhet të ndryshosh më parë ligjin që e
ka bërë atë objekt të mbrojtur. Këtë shpresoj se do të vijë dita, kur
një drejtësi vërtet e pavarur do ta këtë objekt të hetimeve të veta.
Dua të theksoj edhe një herë aspektin e paditurisë së Kryeministrit
tonë.

Një nga gjërat më elementare që duhet të dijë një ish- ministër
Kulture dhe një ish-kryebashkiak kur flet për monumentet e kulturës,
është fakti se ka një rregullore që mbron objektet që janë monument
kulture, ku midis të tjerave, përcaktohen edhe largësitë (prej tyre) që
duhen ruajtur, në mënyrë që ata të mund të rrezatojnë vlerën e tyre,
për të cilën ruhen, bukurinë e tyre. 

Kurse ky me Casamontin e tij na e paska futur brenda stadiumit të ri fasadën e vjetër sikur të jetë ndonjë lodër, që e lëviz në shtëpinë e tij. Edhe diçka tjetër. Ku i paska
parë ky dhe Casamonti këto veprime në Itali me monumentet e
kulturës. Në Firencen e Casamontit, stadiumi “Artemio Franchi” ku
luhen ndeshjet e Fiorentinës, është i vitit 1931 dhe konsiderohet
simbol i arkitekturës së shekullit XX në qytet.Dhe është jashtë qendrës historike. 

Kurse në qendër, kur një kryebashkiak pati idenë të ndryshojë pak daljen e prapme të galerisë Uffici, për të vendosur atje një si tip strehe, sipas projektit të një arkitekti të njohur japonez, u ngritën gjithë njerëzit e artit dhe e ndaluan.

“Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa injoranca në veprim”, thotë Gëtja.
Shtojini kësaj edhe babëzinë për të vjedhur të Ramës dhe oligarkëve
rreth tij, edhe sëmundjen e pashërueshme të delirit të atij që mendon
se historia fillon me të dhe imagjinoni se si do të katandiset Tirana, që
edhe kështu është bërë e pashikueshme dhe e pabanueshme.

    Data: 23 Shtator 2018 11:11
    Autori: Fatos Lubonja

    Të tjera