Kthehu lart

Bashkëfajësia e drejtpërdrejtë e Britanisë në luftën e Jemenit duhet të marrë fund

Bashkëfajësia e drejtpërdrejtë e Britanisë në luftën e Jemenit duhet të marrë fund Autori: Rowan Williams GazetaExpress

Mundohuni të numëroni se sa herë do ta dëgjoni shprehjen “paqe në botë” gjatë javës së ardhshme. Është njëra nga klishetë më të mëdha të Krishtlindjeve, nëse duam të bëhemi cinikë. Në vitin kur e shënojmë njëqind vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, kur pamja e varrezave masive të miliona njerëzve është ende e freskët në mendjen tonë, këto fjalë duhet të jenë më shumë sesa një thënie e rëndomtë sezonale.

Përfshirja e Britanisë së Madhe në luftë nuk ka të bëjë me të kaluarën. Falë Zotit, shumica nga ne nuk e kemi përjetuar drejtpërdrejt ndikimin e një lufte të plotë. Sidoqoftë, politika jonë zyrtare ende po e mbështet vrasjen dhe tmerrin afatgjatë në pjesët tjera të botës. E kemi parasysh Jemenin, ku gati 14 milionë njerëz po përballen me uri si rezultat i një lufte që po vazhdon të marrë jetën e shumë njerëzve. Kjo është një luftë në të cilën qeveria britanike është e përfshirë përmes shitjes së armëve për Arabinë Saudite. Kjo shitje është rritur për dy të tretat që nga viti 2016 dhe tash përbën gati gjysmën e eksportit të armëve të Britanisë së Madhe.

Një raport i publikuar nga organizata bamirëse “Christian Aid” për standardet e dyfishta të qeverisë britanike e vë në pah tensionin e dhimbshëm mes fjalëve dhe veprave tona për krijimin e paqes dhe vëllimin e eksportit të armëve, gjë të cilën nuk e marrim seriozisht. Rreth gjysma e fondeve tona për zhvillim shkojnë në shtetet dhe rajonet që janë të prekura nga konfiktet e dhunshme dhe gjysma e armëve të shitura shkojnë në vendet ku forca ushtarake përdoret kundër qytetarëve dhe shteteve fqinje. Duket sikur ne po i krijojmë dhe po i mbajmë të gjalla këto konflikte, që pastaj të shpenzojmë të holla për t’i lehtësuar efektet e tmerrshme të tyre.

Kjo nuk ka kuptim as në rrafshin ekonomik, as në rrafshin moral. Zhvillimi i qëndrueshëm ka nevojë për siguri politike dhe sundim të ligjit. Kjo arrihet kur njerëzit e kanë një vend të sigurt që quhet shtëpi, furnizim të sigurt me ushqim dhe qasje të garantuar në shërbimet mjekësore dhe shkollim. Mënyra më e mirë e shfrytëzimit të buxhetit tonë për ndihma është shpenzimi në projekte që e krijojnë këtë lloj të zhvillimit të qëndrueshëm, që do të thotë se ndërtimi i paqes është aspekt thelbësor i zhvillimit. Nëse duam që ta shmangim humbjen e fondeve tona të jashtme për ndihma, ne duhet patjetër të investojmë në institucione të sigurta dhe mbi të gjitha në shmangien e konflikteve të armatosura. Nuk mund ta arrijmë këtë nëse njëkohësisht ofrojmë  burime për luftë në mënyrë krejtësisht të paturpshme.

Bëjmë thirrje për një rishikim të menjëhershëm të shitjes së armëve për shtetet që vazhdimisht po i shkelin ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, duke ndërmarrë veprime vdekjeprurëse ndaj qytetarëve të tyre apo ndaj shteteve fqinje. Ne e sfidojmë qeverinë britanike që ta marrë rolin e ri të udhëheqëses në promovimin e paqes dhe sundimin e ligjit në kontekste të këtilla përmes ndjekjes së logjikës së shpenzimit të ndihmave duke i njohur konfliktet e armatosura si burim të shumë sfidave zhvillimore. Kjo nuk nënkupton vetëm ndërprerje të shitjes së armëve për shtete të caktuara por edhe investim pozitiv në programe që ndërtojnë bashkëpunim ndërkombëtar, mbështetje efektive pas traumave, trajnime për ndërmjetësim dhe menaxhim të konflikteve dhe fuqizim të institucioneve të shoqërisë civile.

Këto fjalë janë pjesë e kartolinave tona të Krishtlindjeve, të cilat mbështetësit tanë do t’ia dërgojnë këtë javë Sekretarit të Jashtëm, Jeremy Hunt. E themi këtë me tërë forcën sepse një anketë e re për organizatën “Christina Aid” tregon se gati tri të katërtat e qytetarëve britanikë e mbështesin ndërprerjen e shitjes së armëve për shtetet që kryejnë vrasje diskriminuese. Një shumicë e ngjashme e përkrah edhe zhvillimin e progameve që bazohen në nevojat e menjëhershme të njerëzve në terren e jo vetën në prioritetet e sigurisë që i përzgjedh Britania.

Britania aktualisht po përballet me paralizë politike përderisa po përpiqet ta gjejë zgjidhjen për një shumicë të thjeshtë votash. Në raport me kontekstin global, kjo paraqet një konsensus për atë se si ne mund të bëhemi udhëheqës transformues në një botë plot me konflikte. Kjo garantohet nga mbështetja e shumicës për qasje më të mirë dhe më koherente ndaj ruajtjes së paqes. A do të na dëgjojë qeveria dhe klasa politike? Gati 70 milionë njerëz në mbarë botën janë zhvendosur për shkak të konflikteve të dhunshme dhe ky numër po rritet vazhdimisht. Ne duhet ta kapim rrënjën e problemit dhe të veprojmë shpejt e në mënyrë të efektshme.

Në të kundërtën, shprehja “paqe në botë” vërtet do të mbetet pak më shumë sesa një klishe e këndshme. Për të krishterët, ardhja e Jezusit në botë shënon fillimin e një vetëdije të re për mundësitë njerëzore dhe dinjitetin njerëzor. Ky është premtim mahnitës, por nuk është thjesht një çështje e rehatisë dhe kënaqësisë sepse kërkon sinqeritet për thellësinë e vuajteve të shkaktuara nga lufta, guxim dhe durim për t’i kundërshtuar ato, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express./Përktheu: Nasuf Abdyli/

    Data: 15 Dhjetor 2018 11:27
    Autori: Rowan Williams

    Të tjera