Kthehu lart

Ymeri: Po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE'së

Ymeri: Po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE'së GazetaExpress

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka reaguar pas deklaratës së Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, se vizat për kosovarët zor se do të hiqen para vitit 2020.

Ymeri ka thënë se ky proces kishte qenë i lidhur padrejtësisht me ratifikimin e Marrëveshjes për Shenjim të Vijës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, kushtëzim ky që asnjëherë nuk pati kurrfarë shpjegimi logjik.

“Dhe tash pasi që kjo marrëveshje u ratifikua, na thuhet se megjithatë duhet të presë procesi i liberalizimit të vizave. Kështu po vihet në pikëpyetje vetë kredibiliteti i institucioneve të BE-së”, ka thënë Ymeri.

“Lëvizja e lirë është një prej të drejtave dhe vlerave evropiane. Prandaj ngurrimi i vendeve të caktuara, anëtare të BE-së, për t’ua zgjeruar këto të drejta edhe qytetarëve të Kosovës, bie ndesh drejtpërdrejt me vlerat dhe të drejtat fundamentale që e kanë ndërtuar dhe mundësuar deri tash Bashkimin Evropian”, ka shtuar më tej ai.

Ymeri ka thënë gjithashtu se është gabim dhe e dëmshme që politikat e BE-së, veçanërisht karshi rajonit e Kosovës, të fillojnë të skicohen bazuar në qëndrimet ksenofobe të ekstremit të djathtë.

“Rritja e popullaritetit të forcave të këtilla politike është shqetësues për të gjithë. Dorëzimi i pjesshëm karshi tyre rrezikon t’u jep atyre të drejtë, në vend se t’i luftojë e reduktojë ato”, ka thënë Ymeri.

“Natyrisht që qeverisja në Kosovë e sundimi i ligjit duhet doemos të ndryshohen. Këto, jo për shkak të kushteve të BE-së, por për shkak të lirisë, barazisë e mirëqenies së qytetarëve. Mirëpo këto nuk ndryshohen duke plotësuar kritere objektive në regjistrin e disa burokratëve të Brukselit, por me një vizion progresiv zhvillimor për ekonominë e shoqërinë dhe me një proces gjithëpërfshirës vettingu për gjyqësorin, policinë dhe prokurimin”, ka thënë më tej deputeti Ymeri.

    Data: 03 Dhjetor 2018 23:23
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera