Kthehu lart

Vuçiq nuk do të shkojë në OKB, e dërgon kryeministren

Vuçiq nuk do të shkojë në OKB, e dërgon kryeministren GazetaExpress

Pasi u tërhoq nga bisedimet në Bruksel, Aleksandar Vuçiq duket se do të bojkotojë edhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në vend të tij, raportojnë mediat serbe, në New York do të shkojë kryeministrja Ana Brnabiq.

Burime të ‘Danas’ thonë se presidenti do ta anashkalojë eventin disaditor për shkak të angazhimeve të tjera të tij, transmeton Shqip. Vuçiq e pati lënë të kuptohej këtë, javën e kaluar, kur e paralajmëroi këtë mungesë me një justifikim jo fort bindës.

“Thjesht dua të jem më shumë në vend, nuk mund të jem gjithë kohës jashtë vendit”, citohet të ketë thënë ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë pritet të takohet javën e ardhshme me shefin e shtëpisë së bardhë, Donald Trump, dhe shtypi serb e ka një koment edhe për këtë zhvillim.

Sipas mediave atje, një lëvizje e tillë do të ishte goditje e fortë për Beogradin zyrtar.
Me deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, Amerika e tregoi më qartë se çdo herë tjetër se favorizon një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, dhe se mbështetet në zgjuarsinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, siç e theksoi diplomati i lartë, ndërmjetësuesja e procesit të dialogut.

Thaçi dhe Vuçiq po i mëshojnë që të dy idesë së shumëkundërshtuar të ndryshimit të kufijve, dhe Mogherini ka deklaruar se për të, çdo zgjidhje është e pranueshme për sa kohë mbetet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, deklaroi se “ideja e kufijve” është e vetmja ide konkrete e hedhur deri tani dhe Serbia doli me të “për shkak se Shtetet e Bashkuara, Rusia, Italia, Franca dhe Bashkimi Evropian, kanë ndryshuar qëndrimin dhe kërkojnë një zgjidhje paqësore për Kosovën”.

    Data: 20 Shtator 2018 09:57
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera