Kthehu lart

Tahiri: Inkurajoj institucionet përgjegjëse për t'i shkuar deri në fund çështjes së verifikimit të veteranëve

Tahiri: Inkurajoj institucionet përgjegjëse për t'i shkuar deri në fund çështjes së verifikimit të veteranëve GazetaExpress

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kahjen që kanë marrë zhvillimet e fundit në çështjen e prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj.

Në një status në rrjetin social Facebook, i pari i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se akuzat ndaj institucioneve duhet të trajtohen seriozisht.

"Në kohën kur po përpiqemi të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe vëmendja jonë institucionale është më e fokusuar se kurrë më parë që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës të jetë sistem efikas, llogaridhënës dhe në të cilin kanë besim të gjithë qytetarët tanë, jam i shqetësuar për kahjen që po marrin zhvillimet e fundit në çështjen e Prokurorit të dorëhequr z. Blakaj.

 Çdo akuzë ndaj institucioneve ka përgjegjësinë e vet, po aq sa edhe duhet të merret seriozisht dhe të trajtohet deri në fund. Fatkeqësisht, këtë e pamundëson shmangja nga ballafaqimi dhe mos adresimi i problemeve nëpërmjet rrugëve institucionale" ka shkruar Tahiri.

Ndonëse pushtet janë të ndara, Tahiri ka shkruar se askush nuk është i pavarur nga përgjegjësia sesi administron me veprimtarinë institucionale.

"Në anën tjetër, pushtetet janë të ndara dhe të pavarura në punën e tyre sipas mandatit që i ka përcaktuar Kushtetuta, por asnjëri nuk është i pavarur nga përgjegjësia se si administron me veprimtarinë institucionale.  Gjithsecili prej nesh duhet të jetë përgjegjës për një sistem të drejtësisë të qëndrueshëm, efikas, llogaridhënës dhe transparent, që është në përputhje të plotë me aspiratat tona shtet formuese dhe në përputhje të plotë me pritjet e qytetarëve, ndaj të cilëve shërbejmë. Në tërë këtë diskurs, ajo çfarë është më e rëndësishme është mos devijimi nga problemi konkret" ka shkruar më tutje Tahiri.

Ministri edhe me këtë rast ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të vazhdojnë hetimin deri në fund në çështjen e verifikimit të numrit të veteranëve të UÇK’së , për ti dhënë dënimin e merituar keqpërdoruesve.

"Si ministër i Drejtësisë , inkurajoj institucionet përgjegjëse për të trajtuar deri në fund çështjen e verifikimit të numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të sjellin para drejtësisë çdo abuzues me vlerat më sublime të shoqërisë tonë. Çdo para e taksapaguesve tanë që është keqpërdorur në emër të statusit të veteranëve të luftës, duhet të rikthehet dhe keqpërdoruesit duhet të marrin dënimin e merituar" ka përfunduar Tahiri.

    Data: 20 Gusht 2018 19:34
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera