Kthehu lart

Shkrimtarja dënohet me 10 vjet burgim për shkak se shkroi roman për homoseksualët

Shkrimtarja dënohet me 10 vjet burgim për shkak se shkroi roman për homoseksualët GazetaExpress

Një shkrimtare kineze është dënuar me 10 vjet burgim për shkak se e ka shkruar dhe e ka shpërndarë një roman që e trajton temën e homoseksualitetit, duke nxitur debat të gjerë për shkak të shkallës së dënimit të marrë. Sipas raportimeve të mediave kineze, ajo ishte arrestuar vitin e kaluar, pas suksesit të romanit të saj, “Occupy”.

Policia në një rajon lindor të Kinës deklaroi se libri përshkruan skena të turpshme seksuale mes meshkujve, prandaj sipas tyre, kjo përbën shkelje të rregullave kundër dhunës, abuzimit dhe shkatërrimit. Ndonëse ajo u dënua para tri javësh, vëmendja për këtë vendim u rrit vetëm në ditët e fundit, pasi lajmi u shpërnda shumë nëpër internet.

Lexueshmëria e romaneve që e trajtojnë këtë temë është rritur shumë në vitet e fundit në Kinë, prandaj shumë autorë po publikojnë libra të tillë pothuajse çdo muaj. Besohet se shkrimtarja e dënuar kishte fituar më shumë se 21 mijë dollarë nga shitja e romanit “Occupy”.

Prodhimi dhe shitja e materialeve intime është rreptësisht e ndaluar në Kinë. Megjithatë, dënimi i ashpër për shkrimtaren ka nxitur shumë reagime në rrjetet sociale. Shumë komentues kanë thënë se dënimi i saj është më i lartë se dënimet që jepen për krime tjera, siç është dhunimi, që dënohet me 3 deri 10 vjet burgim.

Në vitin 1997, Kina e hoqi homoseksualitetin nga lista e veprave kriminale dhe disa vjet më vonë edhe nga lista zyrtare e sëmundjeve mendore. Sidoqoftë, aktivistët dhe ekspertët thonë se paragjykimet dhe diskriminimi mbeten sfida të këtij komuniteti në Kinë, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

    Data: 19 Nentor 2018 13:39
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera