Kthehu lart

Këshilltari kryesor i Donald Trump: Kosova dhe Serbia të arrijnë shpejt marrëveshje

Këshilltari kryesor i Donald Trump: Kosova dhe Serbia të arrijnë shpejt marrëveshje GazetaExpress

John Bolton, Këshilltari për Siguri i Presidentit amerikan Donald Trump, në një takim me Ministrin e Jashtëm slloven, Miro Cerar, ka biseduar për nevojën e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kam mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë në një takim Ministrin e Jashtëm slloven, Miro Cerar. Si aleat të NATO’s, ne diskutuam interesat tona të përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë në Europë dhe nevojën që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Bolton në Twitter.

Në gusht të këtij viti, John Bollton, Këshilltari i Trumpit, kishte zgjedhur kryeqytetin ukrainas për të tregua qëndrimin e SHBA’së se nuk kundërshtojnë korrigjimin e kufijve nëse palët pajtohen.

“Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territorial”, kishte thënë Bollton.

Në anën tjetër në Presidencën e Kosovës kishin përkrahur idenë e Boltonit.

Bekim Çollaku kishte thënë për Express se Bolton s’ka përmendur shkëmbimin e territoreve por vetëm korrigjimin e kufijve qëndrim ky i thënë kohë të gjatë.

“... Bolton nuk e ka përmendur fare opsionin e shkëmbimit të territoreve. Për hirë të vërtetës, ai vetëm ka deklaruar se "SHBA-të nuk e kundërshtojnë një marrëveshje që implikon korigjimin e kufirit, në rast se të dy palët pajtohen". Ky është thelbi i deklaratës dhe i qëndrimit të qartë të SHBA-ve lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky qëndrim i qartë dhe mbështetës i SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ka kohë të gjatë që është bërë i qartë”, kishte  shtuar ai.

Gazeta Express, përmes burimeve diplomatike, përmes një artikulli të publikuar muajin e kaluar, ka mësuar se Administrata e Donald Trumpit i ka dhënë dritën e gjelbër opsionit të ndarjes së Kosovës. Sipas të njëjtit burim, ka mundësi që Trump për këtë gjë është marrë vesh me presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin e Helsinkit.

Në janar të këtij viti, Zyra e Presidentit Thaçi, e kishte lënë të hapur idenë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Aktualisht, dialogu final me Serbinë ka filluar ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vucic.

Qeveria e Kosovës ka propozuar një ekip dialogues me në krye Fatmir LImajn, i cili ka refuzuar të nisë punën pa e bërë pjesë edhe opozitën.

Zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë kanë thënë se kjo është faza finale e dialogut në të cilën do të ketë një Marrëveshje finale.

Deri më tash, Presidenti Thaçi ka thënë se do të ketë korrigjim dhe ndryshim të kufijve, njohje të Kosovës dhe anëtarësim në OKB. Madje, ka thënë se Kosovës do t’i bashkohet edhe Lugina e Preshevës.

Express ka shkruar sot se Partia e katërt në Kosovë, PSD, po synon ta përfshijë në dialogun me Serbinë edhe Partinë e Isa Mustafës dhe atë të Albin Kurtit.

Partia Socialdemokrate ka dërguar një Projektrezolutë, e cila pritet te votohet sot, me të cilën synon që opozitës t’ia japë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë kurse gjysmën tjetër pushtetit. Ka propozuar bashkëkryesues të dialogut. 

    Data: 15 Dhjetor 2018 09:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera