Kthehu lart

Fituesja irakiane e Nobelit për Paqe do ta ndërtojë një spital me paratë e fituara

Fituesja irakiane e Nobelit për Paqe do ta ndërtojë një spital me paratë e fituara GazetaExpress

Aktivistja irakiane, Nadia Murad, e cila këtë vit e fitoi Nobelin për Paqe, ka thënë se planifikon që me paratë e fituara nga çmimi ta ndërtojë një spital në vendlindjen e saj, i cili do t’iu kushtohet viktimave të dhunës seksuale.

Ajo ishte mbajtur si skllave seksi nga militantët e Shtetit Islamik. Premtimin për ndërtim të spitalit e bëri para shumë njerëzve që ishin mbledhur në vendlindjen e saj, në Sinjar të Irakut verior. “Me paratë që kam fituar nga Çmimi Nobel do ta ndërtoj një spital në Sinjar për t’i trajtuar njerëzit e sëmurë, kryesisht të vejat dhe gratë që i janë nënshtruar dhunës seksuale nga militantët e ISIS-it”, tha ajo.

Ajo deklaroi se së shpejti do të kontaktojë me organizatat ndërkombëtare për ta filluar punën në spital. Ajo i ka fituar një milion dollarë nga Çmimi Nobel, bashkë me mjekun kongolez, Denis Mukwefe, për përpjekjet e tyre për ta ndaluar përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte në konflikte të armatosura.

Murad ishte njëra nga shtatë mijë vajzat dhe gratë që janë zënë dhe janë detyruar të futen në skllavëri seksuale nga luftëtarët e ISIS-it në vitin 2014. Ajo ia doli të ikte dhe të gjente strehim në Gjermani, ku ka bërë fushata për mbështetje të komunitetit Yazidi. Ky lloj besimi ka elemente të Krishterizmit dhe Islamit, ndërsa ISIS-i i vlerëson si “adhurues të djallit”, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

    Data: 15 Dhjetor 2018 15:38
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera