Kthehu lart

Brenda 'burgut' ku po mbahen një qytetar i Libisë dhe një i Bosnjës

Brenda 'burgut' ku po mbahen një qytetar i Libisë dhe një i Bosnjës Arjeta Shabani Autori: Arjeta Shabani GazetaExpress

Korridore të gjata e të ngushta të dërgojnë drejt dhomave të Qendrës së Mbajtjes për të Huajt në Vranidoll të Prishtinës. Ndonëse nuk është burg, dhomat që gjenden në këtë objekt nuk kanë shumë dallim prej qelive. Express ju sjellë shkrimin me detaje rreth kësaj qendre

Ditët janë të gjata e të pashpresa për ta. Tërë ditën ata i presin dy orët e pauzës që të mund të dalin jashtë objektit ku po mbahen tash e sa kohë, duke bërë kështu që jeta e tyre të mos ketë shumë dallim nga ajo e të burgosurve.

Këtë formë jetese e bëjnë për më shumë se gjashtë muaj, dy shtetasit e huaj që po vazhdojnë të mbahen në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll të Prishtinës.

Ata janë të vetmit që po mbahen në këtë qendër tash e sa kohë, ndonëse në fillim të vitit ishin rreth 40’të, shumica e të cilëve vinin nga Kina, Gjermania, Franca e Shqipëria, ndonëse këta të dy vijnë nga vende të tjera.

Koridoret që dërgojnë në dhomat e të huajve

Udhëheqësi i kësaj qendre, Selman Nimani tregon për Gazetën Express se në qendrën që drejton aktualisht gjenden vetëm dy të huaj, njëri prej të cilëve është me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina, e tjetri nga Libia.

Nimani tregon se që nga fillimi i vitit në ketë qendër janë mbajtur rreth 40 të huaj, të cilët janë zënë duke tentuar të hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe pa dokumentacion.

"Në këtë qendër për momentin gjenden dy shtetas të huaj. Njëri është nga Bosnja e Hercegovina, e tjetri nga Libia. Periudha kohore që gjenden këtu është njëri qe nëntë muaj, e tjetri qe gjashtë. Ata kanë hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, dhe nuk kanë pasur dokumentacion. Tash derisa Ministria ta rregullojë çështjen e dokumentacionit për t’i kthyer në vendet e origjinës, ata mbahen në qendër të mbajtjes”, tregon ai për Express.

Dhomat e të huajve

Por, ndonëse në këtë qendër përgjatë tërë vitit mbahen të huajt, aty mungon psikologu dhe mjeku. Edhe nëse ndonjëri prej të huajve sëmurët, ata duhet ta presin emergjencën deri sa të vijë në këtë qendër. Drejtori thotë se kanë bërë kërkesë për këtë çështje, por se ende nuk ka asgjë.

 “Na mungojnë psikologu dhe mjeku. Kemi ba kërkesë, por ende nuk ka asgjë. Shërbimet sa i përket anës psikologjike i marrim nga një OJQ, e sa i përket shërbimeve mjekësore e thirrëm Emergjencën, dhe gjithmonë na përgjigjen. Ndonjëherë i dërgojmë edhe vet në Qendër Klinike dhe Universitare. E përcjellim 24 orë gjendjen e tyre. Nëse e vërejmë që nuk është mirë ndonjëri prej tyre iu ofrojmë ndihmën e nevojitur”, thotë Nimani për Express.

Drejtori Nimani thotë se të huajt ushqehen tri herë në ditë, dhe se menyja u ndërrohet çdo ditë. Derisa deklaron se sipas përllogaritjeve që ai ka bërë, një i huaj i kushton shtetit të Kosovës rreth 25 euro në ditë.

Kuzhina

“Menyja e ushqimit ndërrohet, me kërkesë tonën përshtatet. Por, ajo që vlen të përmendet është se menyja asnjëherë nuk është e njëjtë. Ose ka raste, kur sëmurën të huajt, dhe ua ndërrojmë ushqimin në bazë të kërkesave”, tregon ai.

Gjatë ditës, ai tregon se të huajt kanë dy orë pauzë, disa prej të cilëve i shfrytëzojnë për të lexuar e disa për të luajtur shah. Derisa aty janë duke vazhduar punimet edhe për ndërtimin e fushës së sportit, ku ata do të kenë më shumë mundësi për aktivitete sportive.

“Aktivitetin e kanë dy orë pauzë, e kanë aktivitete të lira. Disa luajnë shah e disa lexojnë. Tani jemi duke e rregulluar edhe fushën sportive, ku do të kenë më shumë mundësi për aktivitete sportive.”

Dhoma e leximit

Afërsia e objektit ku ndodhen me malin e rrugën, ka bërë që disa herë të huajt të arratisen nga qendra. Një rast të tillë, Nimani thotë se e kanë pasur edhe këtë vit. 

E ndonëse këta të huaj po mbahen në Kosovë pa dëshirën e tyre, të tjerë të huaj po kërkojnë azil në Kosovë.

Objekti nga jashtë

Vendi më i varfër në rajon është kthyer në “strehë” të sigurt për shumë prej të huajve. Rreth 100 të huaj ia mësyjnë Kosovës për çdo vit për të kërkuar azil.

Por, këtë vit numri i tyre është rritur edhe më shumë. Prej 147 të huajve sa kishin kërkuar azil në 2017’ën, numri i tyre këtë vit ka arritur në mbi 400 azilkërkues.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë treguar ditë më parë për Gazetën Express, se vetëm këtë vit në vend janë regjistruar 425 azilkërkues.

Sipas statistikave të MPB’së, vetëm në dy vitete e fundit, azil në vend kanë kërkuar rreth 700 persona.

Ndërkohë, aktualisht në Kosovë janë azil 107 persona. Derisa arsyet kryesore që i kanë shtyrë këta të huaj që t’i drejtohen vendit më të varfër në rajon po del të ketë qenë lufta në vendet e tyre, bindjet politike dhe përkatësia etnike. /Gazeta Express.

    Data: 06 Dhjetor 2018 17:55
    Autori: Arjeta Shabani

    Të tjera