Kthehu lart

9 pyetjet kyçe në të cilat Arabia Saudite nuk është përgjigjur për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

9 pyetjet kyçe në të cilat Arabia Saudite nuk është përgjigjur për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi GazetaExpress

Arabia Saudite ofroi një shpjegim në orët e hershme të së shtunës se çfarë ndodhi me gazetarin Jamal Khashoggi në Stamboll, 17 ditë pasi ai ishte zhdukur pas hyrjes në konsullatën e mbretërisë në Stamboll.

Por, edhe pse Mbretëria më në fundi konfirmoi se Khashoggi ka vdekur brenda konsullatës, siç dyshonte inteligjenca turke, sauditët nuk treguan se si ndodhi konflikti dhe  zhdukja e tij.

Më poshtë janë nëntë pyetjet në të cilat Arabia Saudite duhet të përgjigjet:

1.  A po e mendonte me të vërtetë Khashoggi rikthimin në Arabinë Saudite?

Në deklaratën e Arabisë Saudite thuhet se ‘të dyshuarit’ në rastin e vrasjes së Khashoggit udhëtuan për në Turqi për tu takuar me gazetarin i cili ishte i interesuar që të rikthehej në shtëpi. Megjithatë, Khashoggi kishte shkuar në konsullatë së bashku me të fejuarën e tij, turken Hatice Cengiz, e cila tha se partneri i saj po kërkonte dokumente nga qeveria saudite që u mundësonin atyre martesën.

Khashoggi u kishte thënë miqve të tij se dyshonte në përpjekjet e sauditëve për ta rikthyer në mbretëri. “Ai tha: Po bën shaka. Nuk u besoj aspak atyre”, citoi Khashoggin, Khaled Saffuri një aktivist politik arabo-amerikan.

2. Nëse duhej vetëm të bisedonin, pse të paktën 15 burra udhëtuan për në Stamboll për takim?

Qeveria saudite tha se diskutimi kishte nisur qetë por se shpejt ishte kthyer në një “grindje në mes të disa të dyshuarve dhe qytetarit”.

Arabia Saudite tha se ka arrestuar 11 burra për përfshirje në vdekjen e Khashoggit, derisa qeveria turke ka përmendur 15 të tillë, të cilët kishin arritur në konsullatë pak para se gazetari të zhdukej, e të cilët kishin lëshuar vendin të nëjten ditë.

Nuk është e qartë se pse një grup kaq i madh i njerëzve ishte i nevojshëm për një diskutim lidhur me rikthimin në Arabinë Saudite.

3. Pse në këtë grup burrash ishte një ekspert i mjekësisë ligjore dhe anëtarë të forcave të sigurisë?

Sërish, nëse bëhej fjalë vetëm për një diskutim, do të ishte i panevojshëm dërgimi i anëtarëve të forcave të sigurisë. The Post gjeti se të paktën 12 anëtarë të këtij ekipi janë identifikuar nga autoritetet turke si pjesë e forcave të sigurisë së mbretërisë.

Njëri nga të dyshuarit, Salah Muhammed al-Tubaigy, ishte ekspert i mjekësisë ligjore i njohur për zbulimin e shpejtë të autopsisë.

“Nuk mund të mendojë për një alternativë tjetër se pse do të ju nevojitej një ekspert i mjekësisë ligjore nëse jo për të mbuluar evidencën e krimit”, thotë për The Post, Bruce Riedel, ish-zyrtar i CIA’s.

4. Çfarë ndodhi brenda konsullatës?

Arabia Saudite e përshkroi si ‘përleshje ose grindje’ ngjarjen në konsullatë – një formulim që tregon përleshje fizike mes palëve.

Megjithatë, Khashoggi kishte hyrë në konsullatë dhe kishte takuar një ekip prej 15 burrave që tregon se palët nuk ishin të barabarta.

Zyrtarët turq besojnë se kanë ndarë me homologët e CIA’s një audio-incizim që ishte bërë brenda konsullatës që mund të hedh pak dritë në atë që mund të ketë ndodhur.

Regjistrimi mund të jap të dhëna të rëndësishme për atë se çka ka ndodhur me Khashoggin, përfshirë nëse vdekja e tij ishte e qëllimshme ose nëse ishte torturuar.

5. Çka ndodhi me trupin e Khashoggit?

Megjithëse Arabia Saudite thotë se gazetari vdiq brenda konsullatës, në deklaratën e të shtunës nuk tregohet se çka ndodhi me trupin.

Spekulimet e para thonë se pjesë të trupit të Khashiggit mund të jenë larguar nga vendi, edhe pse autoritetet turke kanë kërkuar së fundi në disa zona rurale në Stamboll.

6. Pse Arabia Saudite tha se Khashoggi ishte larguar nga konsullata kur një gjë e tillë nuk kishte ndodhur?

Kur Khashoggi nuk u rikthye nga konsullata, partnerja e tij, Cengiz, e cila po priste jashtë, kishte ngrit alarmin. Ndërkohë, zyrtarë saudit kishin thënë se gazetari ishte larguar nga konsullata nga dalja e pasme pak pas hyrjes dhe se ata gjithashtu ishin të shqetësuar për fatin e tij.

Princi i kurorës Mohammed bin Salman e përsëriti një deklaratë të tillë për Bloomberg me 5 tetor.

7. Si është e mundur që princi i kurorës nuk ishte i informuar për rastin?

Njoftimi i sauditëve nuk thoshte se princi i kurorës ishte i informuar për atë që kishte ndodhur me Khashoggin. Si mund të ndodh një gjë e tillë?

8. Burrat e arrestuar nga Arabia Saudite a janë të njëjtit që janë identifikuar nga autoritetet turke?

Qeveria e Arabisë Saudite tha se 18 persona ishin arrestuar lidhur me rastin. Nuk është e qartë, nëse ata janë në mesin e 15 të dyshuarve të identifikuar nga autoritetet turke.

9. Pse u deshën 17 ditë për të ardhur me këtë përfundim?

Më shumë se dy javë kanë kaluar që nga zhdukja e Khashoggit. Pse u desh kaq shumë kohë që të tregohej se Khashoggi ishte vdekur dhe se kur më në fund Riadi publikoi historinë, doli të jetë ajo që mund të bind kritikët e tij.


    Data: 21 Tetor 2018 20:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera