Kthehu lart

Sali Berisha: 3 hapat më emergjente që do të ndërmerrja për ekonominë

Sali Berisha: 3 hapat më emergjente që do të ndërmerrja për ekonominë GazetaExpress

Ish kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar në emisionin “Përballje” në SCAN ku foli për tematikat kryesore të ekonomisë.

Në përgjigje të pyetjes se cilat do të ishin 3 gjërat më emergjente që do të bënte sikur të ishte sërish kryeministër, ish kryeministri tha se nëse do të ishte në krye të ekzekutivit, 3 hapat më emergjente që do të ndërmerrte do të ishin:

–Do të vendosja së pari një paketë fiskale, e cila të ishte e pashembullt në rajonin e Ballkanit dhe Europës, për të nxitur në mënyrën më të fuqishme investimet dhe investimet e huaja.

-Do të bëja atë që bëmë në 18 muaj, shpartalluam 204 banda dhe grupe kriminale, do të bëhej Shqipëria një nga vendet më të sigurta.

-Dhe së fundmi, pa asnjë diskutim, Rruga e dytë e Kombit (Rruga e Arbrit) do të përfundonte me buxhet të shtetit në afatin 3 vjeçar.

Megjithatë, ish kryeministri theksoi se sa i përket mundësisë për të qenë sërish kryeministër “është një sikur që s’do të ndodhë kurrë” por përgjigja ndaj kësaj pyetje erdhi sepse këto, sipas tij, janë emergjencat më të mëdha të shqiptarëve.

Borxhi publik

Në vijim të intervistës, ish kryeministri foli edhe për qeverisjen e mëparshme të tij dhe për borxhet që iu lanë qeverisë së re që doli nga zgjedhjet e vitit 2013. Ish kryeministri evidentoi faktin se mandati i tij i dytë u ushtrua gjatë një periudhë kur Europa ishte përfshirë nga një krizë e thellë ekonomike, me ndikimin më të madh të dy partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë.

Pavarësisht impaktit te shkëmbimet tregtare, ish kryeministri evidentoi faktin se Shqipëria nuk ra në recesion dhe se institucionet financiare ndërkombëtare  vlerësuan maksimalisht këtë arritje të ekonomisë shqiptare.

E sa i përket shifrave të borxhit që u krijua në këtë periudhë për të cilat qeveria e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama i deklaroi si 720 milion euro, ish kryeministri bëri një parantezë duke shpjeguar se “pagesa e prapambetur është pagesë e cila ekziston në të gjithë vendet edhe më të zhvilluara të botës. Në disa vende është 3 muaj, 6 muaj dhe në vende të tjera shkon 1 vit dhe s’duhet të shkojë. Dhe Shqipëria kishte një vonesë 1 vjeçare në disa pagesa”.

E sipas ish kryeministrit, në total ishin gjithsej 120 milion euro, të cilat të llogaritura më vonë sëbashku me interesat, shkuan sipas agjencive të specializuara në 180 milion euro por jo më shumë.

Në vijim të intervistës, ish kryeministri Berisha tha se qeveria aktuale ka krijuar pagesa të prapambetura 220 milion euro ndërsa borxhi publik kalon shifrën 72 %, 10 % më shumë sesa në vitin 2013 kur nisi mandatin qeverisës.

“Çfarë bënë këta me borxhin? Në 8 vite ne ndërtuam 11 mijë e 300 kilometra rrugë, mijëra kilometra autostrada, superstrada, rrugë kombëtare, tunele e ura  dhe transformuam terësisht infrastrukturën e Shqipërisë. Çfarë bënë në 5 vite me miliarda euro që morën borxh dhe e çuan borxhin nga 62 në 72 përqind sot? Me thotë kush se çfarë bënë, ku janë? 1 kilometër rrugë nuk e kanë përfunduar akoma. Po kanë përdorur mes tyre investime publike 620 milion euro për të shtruar pllaka guri në sheshet e qyteteve, në atë që quhet rilindje urbane, në të cilën kanë vjedhur jo më pak se 9 herë koston e punimeve” tha Berisha.

Taksat

Ndryshimi i nivelit dhe i skemës së taksave në vend pas vitit 2013, sipas ish kryeministrit, ka qenë një faktor që ka ndikuar më negativisht në ekonomi dhe ekonomia shqiptare nuk është në nivelet e potencialit që paraqet situata ekonomike e Europës.

“Unë mendoj se rritja e taksave ka qenë një nga faktorët më negativë. Të kemi parasysh një gjë, këto janë vitet më të mira ekonomike për Europën. Ajo ka një ringritje terësore.  Dhe ekononomia shqiptare në vite si këto të Bashkimit Europian ka pasur një rritje mesatare prej 6 %. Kurse ekonomia shqiptare sot pretendohet të ketë një rritje 3 për qind dhe kjo në mënyrë absolute e falsifikuar nga Instituti i Statistikave” tha Berisha.

Investimet

Në vijim të intervistës, ish kryeministri tha se “rritja e taksave ishte një politikë toksike për ekonominë shqiptare në të gjithë aspektet” pasi prodhoi informalitet dhe uli fuqinë investuese në vend, krijimin e vendeve të punës e tërheqjen e investimeve të huaja.

“Nuk ka asgjë më katastrofale se në 5 vite në Shqipëri nuk ka ardhur asnjë kompani e vetme serioze. Përkundrazi, Shqipëria është mbajtur në investime të huaja këto vite vetëm nga kontrata e qeverisë së mëparshme, si TAP apo Devolli dhe disa kontrata të tjera” vijoi ish kryeministri.

Një shqetësim tjetër i përmendur nga ish kryeministri është ai i largimit nga Shqipëria të kompanive të mëdha dhe zëvendësimi i tyre me projekte investimi që në thelb janë pastrim i parave të drogës.

Koncesionet

Në vijim të intervistës, ish kryeministri evidentoi ndryshimin mes politikës së qeverisë së tij dhe asaj të qeverisë aktuale në fushën e koncesioneve. Gjatë qeverisjes së mëparshme, ish kryeministri tha se praktika e koncesioneve mundësonte që paratë private të futeshin në shërbim të publikut ndryshe nga sa ndodh tani. Sipas ish kryeministrit, në praktikën e mëparshme, “asnjë qindarkë nuk dilte nga buxheti i shtetit”.

Në praktikën e mëparshme, si ajo e koncesioneve në energjetikë, në përfundim të afateve të kontratës 15 apo 25 vjeçare, investimi i realizuar kthehej në pronë publike. Ndërsa me praktikën e qeverisë aktuale, sipas ish-kryeministrit, janë paratë e publikut që po shkojnë te privati, te njerëz pranë kryeministrit e madje “janë vjedhje të hatashme mes qeverisë dhe privatëve”.

    Data: 21 Qershor 2018 21:32
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera