Kthehu lart

Iseni: Vendimi i Kosovës për rritje të doganave për produkte bujqësore është hap i pakuptimtë

Iseni: Vendimi i Kosovës për rritje të doganave për produkte bujqësore është hap i pakuptimtë Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore GazetaExpress

Vendimin e Kosovës për vendosje të doganave mbrojtëse për produkte bujqësore ushqimore të importuara, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMV) e konsideron si të pakuptimtë, respektivisht hap të gabuar nga pala tjetër, e cila mund të ketë efekt negativ në biznes, por edhe të jetë në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s, për ç'arsye duhet të rihetohet.

"Republika e Kosovës është partneri më i rëndësishëm i shkëmbimit tregtar me Republikën e Maqedonisë. Vendosja e masave të këtilla, që janë restriktive dhe janë në kundërshtim me tregtinë e lirë mes vendeve kuptohet që e konsiderojmë si të pakuptimtë, gjegjësisht hap të gabuar nga pala tjetër", tha Drilon Iseni, drejtor ekzekutiv i Odës.

Ai, siç transmeton Gazeta Express, shton se ka reagime edhe nga ana e furnizuesve nga Kosova dhe se edhe ata ankohen ndaj kësaj mase.

"Ata mendojnë se nuk kanë potencial nga resurset e tyre dhe t'i plotësojnë nevojat reale. Për këtë kanë qëndrim të kundërt ndaj kësaj mase", tha Iseni.

Ai bëri thirrje që Qeveria kosovare të punojë me urtësi për tregti të lirë, sepse siç tha, kjo masë mund të shkurtohet me Marrëveshjen e CEFTA-s. Nëse Kosova nuk i plotëson detyrimet që i ka ndërmarrë, kjo mund të ndikojë në reputacionin e vendit.

Masa fillon të zbatohet të premten. Për të gjitha llojet e frutave dhe perimeve, që hyjnë në Kosovë nga vende tjera, si masë e përkohshme që do të zgjasë 90 ditë, do të paguhet 30 për qind doganë më e lartë nga aktualja.

Në listën e prodhimeve bujqësore, që do t'u nënshtrohen masave të përkohshme doganore janë: patatja, domatja, specat, kastraveci, shalqiri, pjepri, lakra e hershme (pranverore), lakra e vonshme (vjeshtore), sallatë (në të gjitha varietet), spinaqi, qepa, karrotat, fasulet monokulturore, molla, dardha, kumbulla, qershia, mjedra, manaferra dhe misri. /MIA/

    Data: 18 Korrik 2018 14:29
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera