Kthehu lart

Një kërkim tjetër i Juan Rulfos

Një kërkim tjetër i Juan Rulfos Autori: Oktavio Paz GazetaExpress

Një analizë për romanin më të mirë meksikan të shekullit XX “Pedro Paramo” shkruar nga Juan Rulfo. Libri është një përgjigje e qartë dhe akoma më shumë: një shlyerje dhe një derë e hapur – ndaj romanit të Revolucionit meksikan të shkrimtarëve Mariano Azuela dhe Martin Guzman, po ashtu ndaj romanit krister, por gjithashtu paraqet një dialog po aq të frytshëm sa i Kafkës, Hamsunit apo Folknerit

Sa herë është përsëritur se «Pedro Páramo» është romani më i mirë meksikan i shekullit XX, ose, thënë ndryshe, është një nga romanet më të mirë të shekullit që sapo iku. Mite të ndryshme kanë vështirësuar një vlerësim ende më të madh të rëndësisë së tij: së pari, është dashur të luftohet me famën e të qenit romani meksikan “par excellance”, duke lënë mënjanë modernitetin dhe forcën universale të tij; së dyti, i është dashur të përballet me mosvlerësimin e disa kritikëve – përfshi këtu edhe një juri të shquar të çmimit Nobel – nisur nga numri i pakët i faqeve (ca më shumë se njëqind) të këtij romani, kur në to përfshihet një univers i tërë letrar. Si të mos mjaftonte me kaq, leximet thjesht antropologjike apo realiste të stilit të tij kanë fshehur gjetjen e jashtëzakonshme linguistike që autori ka arritur në të, përfshi edhe atë që fama e shpejtë e tij duhej të përballej me një valë thashethemnaje, sidomos në shtypin meksikan, që përçmonte talentin e Rulfos, duke parashtruar prova se ai kurrë nuk paskësh imagjinuar rezultatin përfundimtar të librit të vet, se e paskësh rindërtuar me duart e miqve të tij, të këshilluesve e korrektorëve, të cilët edhe sot e kësaj dite diskutojnë se kush është ati i vërtetë i librit. Janë aq të shumta shprehjet bajate që ka përhapur kritika, sa pothuaj është e pamundur të shpëtosh prej tyre. Edhe kështu, ndoshta ia vlen të shmangesh për një moment nga rrjedha e tezave, artikujve, komenteve dhe shënimeve të shkruara rreth tij, për të rifituar mrekullinë dhe admirimin që shkaktoi dalja e këtij romani në vitin 1956 dhe që përsëritet sa herë që një lexues i çliruar nga paragjykimet futet në faqet e tij. Në qoftë se titulli origjinal i zgjedhur nga Rulfoja për këtë vepër ishte “Pedro Páramo” – më i thjeshtë, por, të paktën, më bindës se “Pedro Páramo” -, është e nevojshme të mos lejosh që këto murmurima të vrasin edhe atë që nis rrugën drejt atij zgripi siç është Komala.

Linja e bukur me të cilën fillon romani – “Erdha në Komala sepse më thanë që këtu jetonte im at, një farë Pedro Páramo” – zotëron forcën profetike të kryeveprave. Në të vërtetë, Huan Preciado, rrëfyesi i romanit, nuk thotë “shkova”, por “erdha”: duke na u drejtuar neve që nga thellësitë e Komalës. Pra, të gjitha fjalët që jemi gati t’i dëgjojmë, më tepër se sa t’i lexojmë, dalin nga buzët e një të vdekuri. Huan Preciados i duket sikur zërat e të vdekurve, që do ta ndjekin në çdo hap, janë zhurma dhe murmurima, por kur ai na i kumton neve, atëherë edhe ai vetë bën pjesë në listën e fantazmave që e rrethojnë. Duke marrë përsipër zbulimin e së vërtetës, Huan Preciado, do ta paguaj guximin e tij me të vetmen trashëgimi, me jetën e tij. Pikërisht në mes të romanit, pasi është njohur me Doloritën, mike e vjetër e së ëmës, kur do të fillojë të dëgjojë zërat e banorëve të hershëm të fshatit, Huani do të pranojë kushtin e ri: “Është e vërtetë Dorotea – do të rrëfehet ai -, më vranë murmurimat”.
Të kuptuarit e kësaj të vërtete të përtej varrit është sikur mbi ne të binte papritur një kërcënim: njësoj si Huan Preciadoja edhe ne menjëherë do të fillojmë të dëgjojmë zëra, rënkime, fragmente këngësh apo vajesh – “Shamia që më dha e dashura / me lot ishte lagur” -, jehe betejash dhe dashurish të fshehta, mesazhe dhe paralajmërime që vijnë nga asgjëja, duke trullosur veshët tanë e duke na treguar se edhe shuarja jonë po afron. Ashtu si edhe udhërrëfyesja jonë, edhe ne fillojmë të besojmë se shpirtrat e të vdekurve janë aty, pranë nesh, duke folur me ne. Në këtë mënyrë, me sakrificën e vet, biri i Doloritës dhe i Pedro Páramos na hap dyert e Komalës që për disa minuta mund të vëzhgojmë atë pjesë të gjerë e të panjohur të tokës, në mes të rrugës që të shpie nga jeta në vdekje. Vetëm atëherë, kur të jemi bashkuar me Huan Preciadon në kufijtë e vdekjes, ne mund ta kuptojmë e ta përjetojmë historinë e babait të tij, kryetarit të tribusë indiane Pedro Páramo, shenjat e çuditshme të karakterit të tij, torturën e tij të brendshme dhe përçmimin e tij për të tjerët, ashtu si edhe trishtimin e tij të egër të shkaktuar nga vdekja e parakohshme e të birit, Migelit, dhe, mbi të gjitha, nga vdekja e të vetmes grua që kishte dashur me të vërtetë, Suzana San Huanit, një tipe e çmendur apo vizionare, nga ato bartëset e pafajshme të fatkeqësisë, soji i të cilave vjen nga Helena e Trojës dhe që përshkon tërë historinë e letërsisë derisa mbërrin te personazhet e shquar e të dalë mendsh të Folknerit. Dhe me të do të paraqitet e gjithë lista e personazheve rulfianë – aq realë e misteriozë sa edhe emrat e tyre -, të gatshëm të na çojnë nëpër robëritë e tyre ogurzeza.
Sepse Komala, ndryshe nga ç’na i paraqesin shumë, nuk ka të bëjë fare me Komalën e vërtetë – një katund i vogël me shtëpi borë të bardha në shtetin Kolima -, por ama as me ferrin nuk ka të bëjë. Komala e Rulfos – ai e ka zgjedhur këtë emër për referencë të fjalës “komal”, ajo tava prej balte në të cilën pjekin pitet, dhe për pasojë të afërsisë së saj me zjarrin – nuk është ndonjë metaforë e botës së përtejme apo e Hadit; përkundrazi, diçka edhe më e keqe: një vend i ndërmjetëm, një breg, një lloj gracke ku disa shpirtra vazhdojnë të vuajnë, duke mos gjetur dot jo vetëm ngushëllim, por as siguri për dënimin e përjetshëm. Ashtu si kryetari i vet, Komala është një terren i shkretë – nuk është e tepërt të thuash se përkthimi i parë i “The Ëast Land” i Eliotit i botuar në Meksikë, të cilin Rulfoja me siguri e pati lexuar, titullohej pikërisht “Páramo”* -, një tokë ku nuk rritet asgjë, ku të gjallët as nuk mund të pranohen (prandaj ishte e nevojshme vdekja e Huan Preciados), dhe prej së cilës nuk mundet as të shpëtojnë.
Në të vërtetë, siç përsëritet shpesh gjatë romanit, në Komala nuk ka asgjë, vetëm mbeturina të qenieve të gjalla, rënkime dhe sokëllima, teprica dhe pjesë të hedhura të banorëve të lashtë të saj: prej këtej vjen zgjedhja poetike e Rulfos për ta përshkruar si një përkohësi. Jo vetëm stili përpiqet t’i afrohet herë pas here heshtjes, jo vetëm frazat e shkurtra dhe të lakuriqta janë të një arkaizmi që na shpien në fillimet tona, e për pasojë asgjëkund, por edhe koha e copëtuar dhe vogëlsia e paragrafëve janë po aq metafora të shkurtësisë së dhimbshme të jetës dhe të kërcënimit të përhershëm të fundit që na pret. Kur lexon “Pedro Páramo” për herë të parë të duket sikur një erë e fuqishme – era e vdekjes – t’i rrëmben faqet dhe episodet e një libri shumë më të madh: për të rikuperuar kuptimin e historisë, lexuesi duhet të bëjë një sforcim tejet të madh për të rivendosur pjesët, për të ribërë historitë e veçanta, për të plotësuar jetët e cunguara të shumë të vdekurve. Ashtu si edhe Huan Preciadoja, për të rindërtuar Komalën dhe humnerat e saj, lexuesit i duhet t’i ringjallë ata për një moment; vetëm ashtu bëhet i aftë për të biseduar me kafkat dhe eshtrat, për të dëgjuar përsëri fjalët e tyre, për të krijuar iluzionin e çastit se vdekja u mposhtka, ose të paktën u ndalka. Për fat të keq, në fund nuk do të arrijmë më shumë se të konfirmojmë ciklin: me t’u prishur iluzioni, kuptojmë edhe më shumë se Pedro Páramo paska vdekur apo, akoma më keq, e vrasim përsëri me leximin tonë, me belbëzimet tona të kota, me murmurimat tona. Përkimi me “Vdekjen pa fund” të Hose Gorosticës, pothuaj poema më e gjatë meksikane e shekullit XX, nuk bën gjë tjetër veç konfirmon thellësinë e kësaj bindjeje dhe këtij shkurajimi. Më në fund edhe vetë Pedroja, i pushtuar nga zemërimi dhe trishtimi, nuk mund ta shmang dot rrënimin “sikur të qenkësh një pirg me gurë”.
Edhe pse ankthi meksikan ndaj vdekjes – tallja e nevojshme përpara kësaj bindjeje të pashmangshme – përshkon çdo faqe të “Pedro Páramos”, e vërteta është se historia që tregohet aty, mund të ndodhte kudo tjetër. Me gjithë besnikërinë e Rulfos ndaj të folmes së Altos de Jalisco, ose rikrijimit të historisë së plotë të një fshati meksikan gjatë epokës revolucionare, Komala mund të jetë çdo pjesë e Meksikës, pikërisht se nuk ndodhet kurrkund. Thatësira dhe vetmia e saj janë universale. Pa dyshim askush, veç një meksikani, nuk mund ta kishte shkruar dot – dhe natyrisht askush më mirë se Rulfoja -, por meksikaniteti i këtij romani nuk qëndron te folklori, as tek e folmja, por te përkatësia e tij e dyfishtë e një tradite të dyfishtë, lokale dhe universale, njëherazi. “Pedro Páramoja” është një përgjigje e qartë dhe akoma më shumë: një shlyerje dhe një derë e hapur – ndaj romanit të Revolucionit meksikan të shkrimtarëve Mariano Azuela dhe Martin Guzman, po ashtu ndaj romanit krister*, por gjithashtu paraqet një dialog po aq të frytshëm sa i Kafkës, Hamsunit apo Folknerit. Dhe, për më tepër, në roman nuk parashtrohet kjo çështje: kushdo që merr guximin për ta lexuar, ashtu si kushdo që vendos të futet në Komala, nuk del i pacenuar nga ajo përvojë. Pasi e kemi lexuar, pasi e kemi dëgjuar, atëherë edhe ne jemi prekur nga vdekja dhe prej saj duket sikur na është dhënë një jetë e re.

/Përktheu: Bajram Karabolli

    Data: 16 Korrik 2018 11:47
    Autori: Oktavio Paz

    Të tjera