Kthehu lart

Ekrem Kryeziu - Dramë që të prek thellë

Ekrem Kryeziu - Dramë që të prek thellë GazetaExpress

Pas mbylljes së Festivalit të Dytë Ndërkombëtar Teatror, në fund të vitit 2018, në skenën e madhe të Teatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, ku garuan trupat teatrore nga Kosova, Italia, Bullgaria, Kroacia, dhe Shqipëria (me dy drama), në vigjilje të Vitit të Ri 2019, me 26 dhjetor 2018 në orën 20, u inaugurua edhe një skenë teatrore në këtë institucion universitar - skena kamertale.

Me inaugurimin e kësaj salle u hap edhe një dritare, që frymëmarrjes teatrore në Kosovë, t’ i shtohet fuqia. Me këtë hap, Kolegji AAB po bëhet jo vetëm qerthull i dijes po edhe institucioni më i kompletuar teatror në Kosovë.

Trupa “Ad hoc” e AAB-së, në këtë sallë shfaqi dramën “Bretkosa” të autorit nga Kroacia, Dubravko Mihanoviq, e adaptuar për shikuesit e Kosovës nga dramaturgja Seadet Beqiri. Tema e kësaj vepre, për kah ideja, ngjason me të gjitha dramat nga letërsitë vendeve që kanë përjetuar luftëra.

Karakteristikë kryesore e kësaj vepre, që atë me nder e radhit krahas veprave të proveniencës së letërsisë botërore War and after war (Lufta dhe pas lufta) njerëzorja është në plan të parë. Edhe pas mbarimit të luftërave plagomat që lënë luftërat në njeriun vështirë shërohen.

Drama “Bretkosa”, e ndërtuar dhe e adaptuar mbi këto koordinata stilistike, bëri që publiku shqiptar në këtë sallë kamertale të Kolegjit AAB ta përjetojnë thellë fatin e personazheve ngase kjo temë sa ishte botërore ishte edhe plagomë e popullit shqiptar të Kosovës

“Kuarteti” i aktorëve, i prirë nga Ilir Tafa, “berberi”, kryepersonazhi i kësaj drame, rolin e të cilit Ilir Tafa gjatë shfaqjes, e ndërtoi me ritme dhe kundër-ritme, sa fizik aq edhe njësorë. Variacionet e interpretimit të tij shquheshin edhe me të folurit sa me turp, sa me plasje të herëpashershme që shënjonin baticat dhe zbaticat e oqeanit të dhembjes që buburitë në shpirtin e “Berberit”, ish luftëtar të cilit i ishin vrarë shokët e togut e ai e mallkonte veten që ka shpëtuar. Plasjet e tij,

hove hove ngjasonin me erupsione “vullkanike” që nuk e lënin të qetë shpirtin e tij.

Interpretimin “filigran” të Ilir Tafës denjësisht e përcollën Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi. Secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, të mbikëqyrë nga regjisorja Burbuqe Berisha dhe asistenti i saj Ledri Vula, dëshmonin në mënyrën më njerëzore për pasojat që lufta dhe paslufta kishte lënë vragë të mëdha në personazhet që ata luanin.

Kjo shfaqje, jo vetëm që e meriton por, e ka për obligim kulturor që të nisë një pelegrinazh teatror nëpër çdo qytet të Kosovës, patën apo s’ patën sallë teatri, ngase shfaqje e mrekullueshme është e “paketuar” ashtu që të komunikojë me sukses kudo që të shfaqet dhe nga akëcila “skenë” të ngritet ajo komunikon me sukses me shpirtin e molisur të atyre që plagomat e luftës ende lëngojnë në ta, e të atillë ka anë e kënd Kosovës.

    Data: 03 Janar 2019 13:14
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera