Kthehu lart

Bajrush Mjaku: Teatri kërkon sakrificë dhe vetëbesim për të pasur rezultate

Bajrush Mjaku: Teatri kërkon sakrificë dhe vetëbesim për të pasur rezultate GazetaExpress

Teatri kërkon sakrificë, kërkon para së gjithash vetëbesim. Do të thotë duhesh të jesh i përgatitur për t’u flijuar për teatrin në qoftë se dëshiron të vish deri tek rezultatet. E nëse mendon se në teatër duhet të hysh vetëm e vetëm për të qenë pjesë apo për të qenë në listët të rrogës, për të siguruar një rrogë, siç edhe po ndodh, mund të them se aty nuk ka teatër dhe nuk do të ekzistojë teatër. Mund t’ju bëjnë godina të cilat kushtojnë me miliona e miliona euro, t’ju ofrojnë kushte, por teatrit para së gjithash duhet t’i jepet niveli i një teatri të mirëfilltë, një politikë e mirëfilltë e repertorit të larmishëm të autorëve, regjisorëve, tha në intervistë për MIA-s aktori dhe drejtor i Qendrës Teatrore për Fëmijë Bajrush Mjaku

Teatri kërkon sakrificë, kërkon para së gjithash vetëbesim. Do të thotë duhesh të jesh i përgatitur për t’u flijuar për teatrin në qoftë se dëshiron të vish deri tek rezultatet. E nëse mendon se në teatër duhet të hysh vetëm e vetëm për të qenë pjesë apo për të qenë në listët të rrogës, për të siguruar një rrogë, siç edhe po ndodh, mund të them se aty nuk ka teatër dhe nuk do të ekzistojë teatër. Mund t’ju bëjnë godina të cilat kushtojnë me miliona e miliona euro, t’ju ofrojnë kushte, por teatrit para së gjithash duhet t’i jepet niveli i një teatri të mirëfilltë, një politikë e mirëfilltë e repertorit të larmishëm të autorëve, regjisorëve, tha në intervistë për MIA-s aktori dhe drejtor i Qendrës Teatrore për Fëmijë Bajrush Mjaku.

Vallë tani luhen shfaqje nga autorë të njohur si më parë?
“Ne, në fakt në Qendrën Teatrore për Fëmijë, por edhe në Teatrin për Fëmijë Çair repertorin e përpilojmë në mënyrë të tillë çfarë na dedikojnë kushtet. Kushtet janë këto. Deri në këtë vit kemi pasur një shumë simbolike prej 500 mijë denarësh nga Ministria e Kulturës për të realizuar projekte, shumë e cila nuk është e mjaftueshme për të realizuar shfaqje. Ne, duke pasur parasysh se këtu nuk ka asnjë të punësuar në këtë institucion që është institucion jo nën kthetrat e Qeverisë, por i themeluar dhe vepron si institucion i themeluar jashtë institucionit do të thotë me projekte të produksioneve private. Kur ke parasysh që s’ka asnjë të punësuar, duke filluar nga ajo se nuk kemi aktorë, nuk kemi as nga stafi teknik, kështu duhet t’i paguajmë të gjithë me mjetet të cilat i sigurojmë vetë. Ne jemi të detyruar, në fakt, vetëm për hir të asaj që të realizojmë shfaqjet. Kemi shfaqje në repertor dhe t’i animojmë fëmijët, t’i ftojmë e t’ju ofrojmë kënaqësi që të konsumojnë teatër për fëmijë e sidomos viteve të fundit edhe Teatrin e Kukullave, i cili teatër është në mungesë të madhe tek fëmijët shqiptarë. Para së gjithash gjëja kryesore ka qenë që të gjejmë tekste me nga tre ose katër aktorë e jo më tepër. Nuk do të thotë se ka munguar kualiteti i shfaqjeve. Ndërsa sa i përket autorëve, katër vite me radhë në repertor për momentin e kemi Ezopin me fabulat e tij, dhe kjo flet në këtë teatër punohen autorë të tillë të cilët vërtetë kanë pasur porosi për fëmijë dhe të cilat porosi fëmijët dinë t’i konsumojnë në mënyrën më të re. Përndryshe, përveç Ezopit, për momentin në repertor e kemi edhe Jeton Neziraj, një prej dramaturgëve të rinj dhe më cilësorë në rajon me “Mullinjtë e erës”. Kemi edhe autorin çek me përmasa botërore Karell Çapek me shfaqjen “Nën krevat”, të cilën e shfaqim për çdo ditë për nxënësit e shkollave fillore.

Sa ka ndërhyrë politika në aktrim, kulturë?

-Në institucionet kulturore ka ndërhyrë politika, por edhe në të gjithë institucionet e tjera. Në prononcimet e mia vazhdimisht e kam thënë se politika ka gjetur mënyrat që të futet edhe në xhami, aty ku xhemati, besimtarët shkojnë të lutet e le më në institucionet kulturore, shëndetësore. Kur ke parasysh se drejtori i institucioneve emërohet prej partisë e cila është në koalicion qeveritar, vazhdimisht kur ndërrohet koalicioni qeveritar ndërrohen edhe drejtorët me gjithë stafin tjetër. Por, ajo që më brengos më shumë është se nëse drejtori qenka anëtar i asaj partie që është në koalicionin qeveritar pse edhe aktorët të luajnë rolin e pozitës kur aktori, artisti në përgjithësi kudo në botë, e sidomos unë e kam preferuar me dekada të jem opozitë e pozitës, por siç thotë Doktor Stokmani në “Armikun e popullit” të Ibsenit “Edhe opozitë e opozitës”. Do të thotë në çdo moment kur partia apo njerëzit të cilët udhëheqin partinë apo janë më të zëshëm në parti apo koalicionin qeveritar kur nuk e kanë në rregull kemi ditur të dalim e të themi Jo nuk është kjo dhe se duhet të gjendet një rrugë tjetër. Do të kisha dashur në të ardhmen që politika të jetë shumë larg jashtë institucioneve të tilla si kulturore, arsimore e shëndetësore. Do të kisha dashur që njerëzit që merren me kreativitet në kulturë të harrojnë ngjyrat e të mos të jenë të ngjyrosur me ngjyra partiake dhe të jenë vetvetja, por e keqja është se ka shumë pak të tillë dhe kjo më brengos.

 Vlerësimi juaj për aktrimin në përgjithësi në Maqedoni?
“Unë i përkas një gjenerate që ka startuar në dërrasat e skenës së teatrit që nga vitet e 70-ta dhe çështjen e perceptimit të teatrit të gjeneratave të artistëve e kisha ndarë në gjeneratën e kaluar që i përkasin aktorë të gjeneratës time të cilët teatrin e kanë pasur pasion, të cilët teatrin e kanë bartur në vetvete, kanë ditur të flijohen për teatër. Sot me bindje shumë të thellë dhe keqardhje të madhe e them se nuk shoh asnjë prej aktorëve, artistëve të gjeneratave të mëvonshme dhe të gjeneratave të reja të cilët pajisen me diploma të aktrimit nëpër akademitë e ndryshme të cilët i kemi të shumtë, dhe në vend që tani të kemi cilësi e të mbledhim në teatro ata të cilët vërtet do të kenë çka të japin për teatrin, që ta kenë teatrin pasion, të punojnë me pasion e ta kenë mision e jo profesion ose vetëm të gjenden në listë të rrogës.  Kjo më bën që të ndjehem keq. Teatri kërkon sakrificë, kërkon para së gjithash vetëbesim. Do të thotë duhesh të jesh i përgatitur për t’u flijuar për teatrin në qoftë se dëshiron të vish deri tek rezultatet. E nëse mendon se në teatër duhet të hysh vetëm e vetëm për të qenë pjesë apo për të qenë në listën e rrogës, për të siguruar një rrogë, siç edhe po ndodh, mund të them se aty nuk ka teatër dhe nuk do të ekzistojë teatër. Mund t’ju bëjnë godina të cilat kushtojnë me miliona e miliona euro, t’ju ofrojnë kushte, por teatrit para së gjithash duhet t’i jepet niveli i një teatri të mirëfilltë, një politikë e mirëfilltë e repertorit të larmishëm të autorëve, regjisorëve. Le të mos mundohemi të tregojmë patriotizëm me atë që ja unë po bëj teatër vetëm me regjisorë vetëm të rrugës sime, por të dalim edhe nëpër rrugë të tjera dhe të shohim e të marrim atë që mundet  regjisori të japë për momentin për teatrin dhe që teatri me siguri do të ecë përpara. 

Para disa ditëve kishit shënimin e shfaqjes së 101-të për vitin 2018 në Qendrën Teatrore për Fëmijë në bashkëpunim me Teatrin për Fëmijë Çair, keni bashkëpunime të tjera me teatro dhe qendra të tjera teatrore nga vendi dhe jashtë vendit?
-Ne nuk kemi bashkëpunime të tilla. Kemi pasur vetëm pjesëmarrje nëpër festivale, edhe atë kohëve të fundit, sepse nuk kemi pasur as kushte për të aplikuar diku, për të siguruar mjete për të qenë pjesë e atyre festivaleve. Kemi marrë pjesë në festivalin “MES” në Sarajevë, që është një prej festivaleve më të mëdha të teatrit në Evropë, si dhe në festivalin “Dimri i Sarajevës”, festival multikulturor internacional ku nga e gjithë bota prezantohen projekte nga lëmi të ndryshme të artit skenik. Me ndihmë financiare nga Komuna e Çairit për mirëmbajtje të objektit, gjatë vitit të kaluar arritëm të realizojmë tre premiera dhe 98 repriza, që është një numër i madh dhe krenari për ne të angazhuarit në këtë teatër. Këtë vit arritëm të realizojmë 101 shfaqje për fëmijë për nxënës të shkollave të Komunës së Çairit, Qytetit të Shkupit dhe rrethinës. Këtë vit kemi aplikuar për ta institucionalizuar këtë institucion dhe ta shndërrojmë Qendrën Teatrore për Fëmijë në Teatër për Fëmijë dhe të Rinj, që do të jetë i vetmi në gjuhën shqipe dhe të jetë financiarisht nën kthetrat e Ministrisë së Kulturës, Qeverisë.

Cila shfaqje nga Qendra Teatrore për Fëmijë është më e ndjekur?
“Në Qendrën teatrore për fëmijë realizojmë një shfaqje dhe e shfaqim 30 repriza, meqë jemi të detyruar të veprojmë në këtë mënyrë për momentin derisa nuk kemi aktorë dhe staf të artistëve të punësuar që do ta kishin luajtur pa numër. Shfaqja që po bën jetë, që po vazhdon të jetë ende në skenë është “Fabulat” e Ezopit në regji të Besfort Idrizit, ku kjo shfaqje është punuar në vitin 2014. Me këtë shfaqje kishim edhe një turne në Anamoravë, Gjilan, Kaçanik, Ferizaj. Është shfaqje që e kërkojnë shkollat e fëmijët. Por edhe shfaqja tjetër “Fabulat postare” e punuar nga një regjisore e njohur bullgare nga Teatri i kukullave nga Bullgaria, ka interesim të madh nga fëmijët që mezi po presin që ta shikojnë.

Dhe në fund cilat janë planet e Qendrës Teatrore për Fëmijë për vitin 2019?
– Më 28 mars të këtij viti do të udhëtojmë për në Izmir të Turqisë, në njërin prej festivaleve më të mëdha të teatrit për fëmijë në Turqi. Kemi edhe një ftesë tjetër shumë interesante që me shfaqjen “Përrallat postare” nga dramaturgu çek Karell Çapek, festival që për hir të emrit të tij organizohet për çdo vit e që u dedikohet fëmijëve, i cili është me karakter internacional. Na ka ardhur edhe një njoftim për një kërkesë për të aplikuar në një festival të teatrit për fëmijë në Kinë. Kemi aplikuar me tre projekte në Ministrinë e Kulturës dhe se me siguri do të përsëritet suksesi i vitit që sapo kaloi. Nëse realizohet institucionalizimi i Teatrit premtoj se do jemi në çdo vend e në çdo qendër tjetër në Maqedoninë Perëndimore nga Kumanova e deri në Resnjë dhe t’i përmbushim kërkesat e fëmijëve të ciklit të ulët në Maqedoni.

/mia.mk/

    Data: 07 Janar 2019 16:04
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera