Kthehu lart

Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për brainwashing

Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për brainwashing Autori: Ndue Ukaj GazetaExpress

Përballë ligjërimit që e stigmatizon të kaluarën, nuk duhet të heshtim, as të sillemi apatik dhe të pavëmendshëm, edhe pse, historia tregon se, betejat kundër kujtesës janë të humbura.

Shoqërinë shqiptare e kanë vërshuar debate të gjithfarshme, të cilat, në vend që ta këndellin atë, i kanë shkaktuar asaj molepsje dhe huti. Prandaj, është bërë krejt e zakonshme, që, të dëgjosh dhe të lexosh gjithfarë trillesh dhe rrëfimesh, me vend e pavend, për njerëzit e këtij vendit, për të kaluarën e tij, dhe, për personazhet themelorë që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për historinë dhe kulturën shqiptare. Ky lloj ligjërimi, ka bërë që, njeriu ynë të ligështohet moralisht, të përbuzë dhe mohojë çdo gjë; ndonjëherë edhe vetveten. 

Këto debate, si të tilla, më shumë u ngjajnë gulçimave, dhe janë pasojë e frustrimeve dhe inferioritetit të njeriut tonë, sesa debate qëllimmira dhe të frymëzuara nga ideja për të gjurmuar të vërtetën. Përkitazi me këtë, na duket i vlefshëm mendimi i Ernest Koliqit, i cili në librin e tij, “Dy shkolla letrare shkodrane” shkruante: “Nji komb qi përbuzë traditat e veta vendosë vetvrasjen e vet.”
Historia dhe kultura shqiptare, për dikë është bërë hale në sy. Dhe, në emër të një shkolle të çoroditur dhe mohuese, tentohet të zhvleftësohet ajo, duke u përçmuar dhe mohuar, pa asnjë argument dhe pa vlerësime serioze. 
Jam dakord që shoqërisë sonë i duhet kritika, por kritika si shenjë e mendjes së pjekur- siç sugjerojnë të diturit- dhe jo kritika destruktive, që bëhet me qëllime dhe synime rrënuese, për ta hutuar dhe molepsë njeriun. 
 
Kritika pa vend, argumentet seleksionuese, në funksion të ideologjive të caktuara, të vërtetat gjysmake, kanë shkaktuar një efekt negativ ndër ne, një kaos të vërtetë moral, duke e bërë shoqërinë tonë apatike, mosbesuese deri në pikë kritike, dhe, të habitur për çdo gjë dhe çdo kënd.
Pikërisht për këtë arsye, sot, janë të paktë ata shqiptarë, që me zemër dhe ndërgjegje, i dëgjon të thonë: lumi unë për vendin tim. Në të kundërtën, gjatë gjithë ditës, në vende pune, kafe, rrugë, institucione, shkolla, etj., dëgjon njerëz tek ankohen, lëshojnë kukama dhe gulçima, shprehin ankth, dëshpërim, paqartësi dhe pasiguri për vendin e tyre. Këto ankime i dëgjon në Tiranë, Prishtinë dhe në qytete tjera shqiptare. Në qytet dhe në fshat. Nga njerëz të sistemit dhe të tillë jashtë tij.

Shoqëria shqiptare, përveç prej prapambeturisë politike, po vuan edhe pasojat e një shkolle ligjërimore, që për qëllim ka shoqërisë t’ia bëjë një brainwashing (shpërlarje e trurit), dhe, njëkohësisht t’ia injektojë një kulturë të re, që bie ndesh me çdo gjë që është historia dhe e kaluara saj. Mbi këtë bazë, luftohet tradita, me të gjitha mjetet, duke u stigmatizuar ajo, për ligështitë dhe pamundësitë tona për të ndërtuar një shoqëri humane dhe solidare. Ky soj ligjërimi, në thelb është konstruksion ideologjik, absurd dhe utopik, e nga i cili, ne kemi kujtesë të freskët. 
Në fakt, të ashtuquajturat debatet të shumta historike dhe kulturore që zhvillohen te ne, kanë për qëllim të krijojnë një njeri të ri, që nuk beson në kulturën kombëtare. Ky njeri, sipas inxhiniereve të sotshëm ideologjikë që i gjejmë kudo, i ngjan njeriut komunist: ai nuk duhet të ketë të djeshme, por vetëm të nesërme, drejt së cilës duhet të marshojë pa shikuar prapa. Për dallim nga e kaluara komuniste, ky njeri, sot nuk imponohet me dhunë, shtypje, por me përçmim dhe injorim të traditës, në debate publike, në media dhe universitete. Në emër të kësaj shkolle, është bërë e modës që, të spekulohet dhe të flitet kuturu kundër kulturës kombëtare, pa kurrfarë argumente dhe pa përfillur të vërtetat empirike. 
Viteve të fundit, kemi parë sesi shqiptarë të shumtë, përqurrën sa herë gjejnë një copë letre, ku mund të flitet keq për Gjergj Kastriotin, ndërkaq, anashkalohet shumëçka, në mos gjithçka, që është shkruar me admirim për të dhe përmasën e tij ndërkombëtare, përpara Rilindjes Kombëtare. Këta predikues, shqiptarëve tentojnë t’iu mbushin mendjen se, Gjergj Kastrioti qe një trill i Rilindjes Kombëtare, i përdorur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, ndërkaq, siç dihet, e vërteta është krejtësisht ndryshe. 
Shoqëria jonë, sidomos rinia, janë në rrezik  real nga ky lloj ligjërimi kundër të shkuarës, i cili po promovohet hovshëm nga predikuesit e kësaj shkolle, që rinisë sonë i ofrojnë një të nesërmes, të projektuara përmes zhbërjes dhe urrejtës së kaluarës.  
Këtë ligjërim, sot e promovojnë ata që nuk duan shoqërinë tonë ta edukojnë, por duan ta kontrollojnë. Këta opinionkrijues, punojnë me shumë zell, që asaj t’i shuhet kujtesa, dhe me shumë zell kujdesën dhe shkruajnë, në atë mënyrë, që shqiptarëve t’iu mbushët mendja, se, ne jemi popull pa rrënjë në trojet tona. Thënë ndryshe, jemi komb koti dhe pa vlera.
Natyrisht, në kohë krizash, siç është kjo e jona, mund të gjinden shqiptarë që mund t’u besojnë këtyre dokrrave të tilla. Por, në gjithë këtë amulli debatesh, ata që lexojnë paçavure të tilla, duhet të pyesin: kah buron gjithë kjo urrejtje dhe ky ngazëllim për t’i nxjerrë shqiptarët sa më të pavlerë, pa rrënjë dhe pa identitet? 
Në anën tjetër, kur i sheh sesi flasin, arsyetojnë dhe interpretojnë këta predikues, ti, me të drejtë mund të pyesësh, nëse vërtet këta e kanë lexuar dhe kuptuar historinë dhe kulturën shqiptare, nëse e njohin atë, apo formojnë histori sipas qejfit të tyre; histori që mund të jetë e frymëzuar nëpër kafe, në këtë “institucion” të thashethemeve, ku shpeshherë ngjet të formohen “të vërtetat” historike dhe kulturore ndër ne. 
Të mësosh nga e kaluara, është këshillë e përhershme, por, kjo nuk do të thotë  të mbetesh peng i saj. Gjithë e dimë që historia jonë nuk është me lule, siç nuk është asnjë histori e asnjë populli, por nuk është për t’u përbuzë pafund. Duke e përbuzë dhe nënçmuar atë, nuk mund t’i kurojmë plagët dhe të këqijat e trashëguara, prandaj, nuk duhet të lejojmë që kriteret ideologjike, në thelb utopike, të na shëmtojnë të kaluarën dhe të na konstruktojnë të ardhmen. 

Historia dhe kultura shqiptare, me tërë specifikat e saj, tipologjitë dalluese, duhet të lexohet në kontekst me kohën dhe jo të paragjykohet me teori. Nuk është turp ta lexojmë atë. Përkundrazi, nëse e lexojmë dhe e njohim atë, mësojmë që të mos gabojmë.
  
Ne jetojmë në një vend të kontaminuar, ku rrënimi dhe degdisja shpirtërore, është shumë më e madhe se ajo politike e ekonomik, dhe ku, intrigat dhe mosbesimi, duken si forma më e lartë e komunikimit publik. Prandaj, kur flasim dhe shkruajmë për të kaluarën, duhet të tregojmë respekt dhe kujdes maksimal. Por, atë nuk mund ta zhbëjmë.
Përvoja historike ka treguar se, betejat me historinë, janë të humbura. Të bësh beteja të tilla, është të marrosesh si Don Kishoti, në luftën e tij me mullinjtë e erës. Sepse, siç shkruante shkrimtari Carlos Fuentes: “Nuk mund të ketë të tashme të gjallë me një të shkuar të vdekur. Kur e ndjekim të shkuarën nga dritarja, nuk vonon të na kthehet nga dera kryesore, e maskuar në mënyrat më të çuditshme. Betejat kundër kujtesës janë të humbura që në fillim për atë që i ndërmerr.” 

Përballë ligjërimit që e stigmatizon të kaluarën, nuk duhet të heshtim, as të sillemi apatik dhe të pavëmendshëm, edhe pse, historia tregon se, betejat kundër kujtesës janë të humbura.

    Data: 08 Qershor 2018 15:42
    Autori: Ndue Ukaj

    Të tjera