Kthehu lart

Post festum Ditës së Arsimit

Post festum Ditës së Arsimit Autori: Mislim Zendeli GazetaExpress

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, sot puna në arsim. Kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi do thoshte Migjeni. Kur shef fëtyra të zbeta edhe sy rinorë të trishtuar dhe harlisur ngase nuk e gjejnë fare veten në realitietin tonë te hidhur që e ka kapluar shoqërinë tonë ditëve të sodit.

Është e neveritshme, e keqe madje dhe e turpshme, që sot të shtiresh sikur gjithëçka është në rregull me arsimin e gjeneratave të reja. Ka vite, që nuk ndjehehem rehat thotë Dr. Shehdula në letrën e tij të hapur dhe se ka kaluar një kohë e gjatë, që nuk shoh apo dëgjoj të harxhohet një cent për punime shkencore, literaturë dhe projekte studentore në drejtim të avancimit të dijes dhe shkencës, ndërkohë që ka plotë para për, pllaka mbi pllaka, lule mbi lule, përvjetore dhe të ngjashme. 

Vlojnë në rrjetet shoqërore urimet të përcjella me foto që dokumentojnë darka e dreka që shënojnë ditë dhe data nga më të ndryshmet. Me thanë të drejtën, më bren mendimi dhe ndërgjegja, që jam pjesë e një sistemi arsimor ku, studentët kalohen pa dije elementare, ku dhjetëshat kërcasin mbi baza farefisnore, klanore, politike dhe formash tjera të lidhjeve të paqarta e meskine. Jam i trishtuar, kur shoh gjendjen e mjerueshme të studentëve cilësor, të cilët bredhin me diploma të nduarnduarshme nëpër korridoret e institucioneve dhe luajnë rolin e administratorit pa karrige në vendin e punës. 

Apo studentë të cilët kanë mbaruar magjistratura e që kërkojnë punë si kamerierë, shitës, punëtorë krahu, e vende të ngjashme pune. Ndërkaq edhe të rinjtë që kanë mbaruar shkollat jashtë nuk janë në një pozitë më të kënaqshme, ata nuk gjejnë dot punë në sistemin tone të kalbur deri në palcë pasi karriket i kanë zënë të vjetrit dhe s’i lëshojnë fytin tua sharrosh thotë me të drejtë, Edison Ypi.

Është fajtor sistemi arsimor dhe ne që drejtpërdrejtë jemi të kyçur në procesin i quajtur arsim sipëror, i cili studentët i mbush me njohuri gjysmake edhe atë teorike e që i bën të paaftë të gjenden dhe punojnë në terren. Praktikat profesionale i janë lëshuar mëshirës dhe fatit të punëdhënësve të pangopur të cilët tani ankohen se nuk kanë fuqi punëtore. Vajtojnë ata tani, kur rinia po largohet definitivisht nga vendlindja dhe kërkon perpektivë gjithandej nëpër botë. Të njejtët harrojnë se janë bashkëpjesmarrës në krimin e quajtur migrim. pasi nuk ndërmorrën asgjë për t i inkuadruar dhe angazhuar në bizneset ekzistuese. 

Në përditshmëri, nëpër ndeja dakordohemi të gjithë, se tani, i keqi, mediokri, i paafti, jokurrizori, etj. është bërë model i të “arriturave” tek rinia. Dhe kjo me të drejtë, pasi ata i kanë kapur të gjitha pozitat nëpër institucionet relevante dhe nuk kanë lënë hapësirë për taborin tjetër, të merituarit, të shkëlqyeshmit, profesionistë e shkencëtarë. Dhe fill bisedave me kafe e çajëra e dërdëllisjeve shterpe, boshe e monotone, vazhdojmë me avazin e vjetër.

Edhe sikur të ngrihej Migjeni, sot nuk do mund të përshkruaj mjerimin që ka kapluar sistemin e arsimit tek ne. Ky mjerim punon në dëm të ardhmërisë së fëmijve tanë dhe si i tillë do të len njolla të pashlyeshme në zhvillimin e shoqërisë tonë nëpër dekada. 

Ndaj mendimin se, është koha të fillojmë të kthjellohemi, të themi realitetin edhepse është i dhëmbshur. Nuk duhet të mburemi dhe të thurim lajka për vetveten dhe as që kemi kohë për ngritje të dollive edhe për festa të tilla siç është dita e arsimit, por t’i përveshemi punës dhe të ngrisim e kultivojmë gjenerata të reja, të cilët do të mund ballafaqohen me realitetet e krijuara në tregun global të punës. Koha e iluminizmit dhe e vetëkënaqësisë ka kaluar moti. Nuk jemi në epokën e rilindasve por në kohën e nanoshkencës dhe bioinformatikës.  

M. Z.

07 Mars 2019

    Data: 08 Mars 2019 15:01
    Autori: Mislim Zendeli

    Të tjera