Kthehu lart

Për një projekt bashkëkohor të shekullit 21 për xhaminë qendrore në Prishtinë

Për një projekt bashkëkohor të shekullit 21 për xhaminë qendrore në Prishtinë Autori: Arianit Bytyçi GazetaExpress E hënë, 17 Korrik 2017 11:01

Në Kosovë insistohet që një objekt i ri fetar, në shekullin 21 të ndërtohet bazuar në Arkitekturën osmane të shekujve të kaluar, madje duke kopjuar projekt xhamie nga Turqia. Kjo nuk duhet të tolerohet. Nuk duhet të përsëritet në asnjë formë gabimi i projektit të Katedrales, i cili po ashtu është kopjim i projekteve të katedraleve të ndërtuara shekuj më parë, duke humbur kështu mundësinë e ndërtimit të një katedrale bashkëkohore që do të ishte simbol bashkëkohor i Prishtinës

Si autor i një projekti arkitektonik pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar të Arkitekturës për Xhaminë Qendrore në Prishtinë, bashkë me kolegët Redman Toska, Iliriana Bozo, Arta Januzi, Eridona Rukiqi dhe Ardian Uruqi nga Studiot e Arkitekturës "Prima Engineering" nga Prishtina, dhe "Studio Rebus" nga Tirana, mendoj se vetë procesi i përzgjedhjes së projektit fitues nga institucionet që e kanë shpallur këtë konkurs ka dëshmuar katërçipërisht se ky konkurs ndërkombëtar i Arkitekturës duhet të RIVLERËSOHET apo të RISHPALLET. Kësaj radhe kjo është më se e domosdoshme të bëhet në mënyrë transparente dhe projekti fitues të përzgjidhet nga një juri realisht profesionale me kredibilitet ndërkombëtar, duke rezultuar me një projekt që do të sillte risi në kuadër të promovimit të vlerave arkitektonike dhe urbanistike.

KONCEPT IDEJA BASHKËKOHOREB E PROJEKTIT TË XHAMISË QËNDRORE NË PRISHTINË

 Projekti ynë për Xhaminë Qendrore në Prishtinë është konceptuar në frymën e arkitekturës bashkëkohore dhe në integrimin e elementeve kombëtare si Plisi përmes formësimit arkitektonik të kupolës së Xhamisë dhe elementeve fetare, si Ajetet kuranore, të integruara në fasadën e objektit, si dhe në elementin arkitektonik të katër minareve "që rriten deri në qiell" duke formësuar kompozicionin e pastër të xhamisë. Koncepti i hapësirës së hapur që e rrethon gjithë objektin është hapi i parë që ka definuar Xhaminë Qendrore, si thelbi i një territori në periudhën e zhvillimit, ku qarkullimi i këmbësorëve është mjaft intensiv në të gjitha anët e vendit. Kjo qasje krijon një hapësirë publike vibrante, të karakterizuar me fluksin e lartë të lëvizjes.

Raporti prej 50% i shfrytëzimit të parcelës për ndërtesën tregon kufijtë e organizimit të hapësirave të hapura, të mbyllura dhe gjysmë të mbyllura, të zbukuruara me gjelbërim dhe ujë për të përmirësuar kualitetin e zonës dhe për të krijuar një hapësirë mikpritëse jo vetëm për besimtarët islamë, por edhe për komunitetin përreth Xhamisë.

Ne kemi arritur të unifikojmë formën e pastër simetrike dhe të ofrojmë vend të përshtatshëm për gjithë kapacitetin me orientimin drejt Mekës, duke integruar të gjitha funksionet me komunikimin optimal që kërkohet. Xhamia si tërësi është një pikë mikpritëse me materializimin e saj të lehtë dhe të ndritshëm, me bashkimin e rrjedhshëm të masave të tij, si dhe mundësinë për të hyrë në Xhami nga të gjitha anët e kompleksit.

 Minaret me kompozicionin e tyre të rrjedhshëm janë bashkuar për të paraqitur ekzistencën e një qendre për grumbullimin e besimtarëve. Dinamika e krijuar nga ndriçimi do të krijojë një simbol të ngrohtë dhe të bukur për të gjithë qytetin e Prishtinës, sidomos gjatë natës.                

Peizazhi është shumë komunikativ dhe i lidhë lokacionet nga ndërtesat ekzistuese përreth, gjë që mundëson që Xhamia Qendrore të bëhet një pikë kreative dhe dinamike e qytetit. Dyqanet dhe zyrat do të ofrojnë rrethinë me shërbimet e tyre të ndryshme në të njëjtën kohë, në nivelin zero, duke ofruar gjelbërim dhe hapësirë për të ecur dhe sidomos hapësirë të jashtme për lutje.


I gjithë kompleksi është integruar natyrshëm në lokacion, duke ofruar privatësi gjatë lutjeve ditore dhe ritualeve fetare, përderisa rrethina është menduar të shfrytëzohet si hapësirë e përbashkët publike e kësaj pjese të Prishtinës.

NË STAMBOLL SOT NDËRTOHEN XHAMI BASHKËKOHORE – NDËRSA NË PRISHTINË TENTOHET TË IMPONOHET NDËRTIMI I XHAMIVE TË SHEKUJVE TË KALUAR

Është subjektive për neve si autorë të këtij projekti të vlerësojmë se kemi arritur të dizajnojmë një projekt më përmbajtësor dhe më kreativ sesa projekti i shpallur fitues. Por, siç do të thoshte një koleg imi arkitekt: Arkitektura nuk është subjektive, pasi vlera e mirëfilltë arkitektonike shihet qartë dhe flet vet me gjuhën e saj. Prandaj, është më se e domosdoshme që gjithë ato 90 apo më shumë projekte konkurruese në konkursin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë të RIVLERËSOHEN edhe njëherë nga një juri vërtetë me kredibilitet ndërkombëtar dhe të shpallet si projekt fitues një projekt që do të mishërojë frymën bashkëkohore të vendit tonë. Kjo duhet t’iu thuhet hapur edhe investitorëve dhe mbështetësve financiarë të këtij projekti, kushdo qofshin ata, qofshin edhe investitorë dhe mbështetës nga Turqia. Atyre duhet rikujtuar se pikërisht në Stamboll vite më parë është ndërtuar një Xhami e bazuar në Arkitekturën Bashkëkohore, Xhamia Sakirin, e projektuar nga femra e parë arkitekte turke që ka projektuar ndonjëherë tempull fetar islam, arkitektja Zeynep Fadilloglu. Një projekt bashkëkohor me vlera origjinale, për t'u admiruar.

Dhe, në anën tjetër në Kosovë insistohet që një objekt i ri fetar, në shekullin 21 të ndërtohet bazuar në Arkitekturën osmane të shekujve të kaluar, madje duke kopjuar projekt xhamie nga Turqia. Kjo nuk duhet të tolerohet. Nuk duhet të përsëritet në asnjë formë gabimi i projektit të Katedrales, i cili po ashtu është kopjim i projekteve të katedraleve të ndërtuara shekuj më parë, duke humbur kështu mundësinë e ndërtimit të një katedrale bashkëkohore që do të ishte simbol bashkëkohor i Prishtinës.

(Autori është arkitekt)

    Data: 17 Korrik 2017 11:01
    Autori: Arianit Bytyçi

    Të tjera