Kthehu lart

Lidhjet e mundshme mes serbëve të Kosovës dhe Serbisë

Lidhjet e mundshme mes serbëve të Kosovës dhe Serbisë Autori: Nevena Radosavljevic GazetaExpress

Sot, serbët e Kosovës kryesisht kanë dokumente të Kosovës, meqenëse pa këto ‘dokumente të rreme’ ata nuk mund të funksionojnë normalisht. Nuk do të mund të hapnin llogari bankare, të votojnë, dhe siç u përmend, shumë ambasada po kërkojnë certifikata të lindjes të lëshuara nga institucionet e Kosovës për procedurën e aplikimit për vizë, e kështu me radhë

Deklarata mospërfillëse e Marko Gjuriqit ku thotë se, sikur të gjithë serbët tjerë, ai mund të udhëtojë në zonën e Shengenit, vetëm hedh kripë mbi plagët e serbëve të Kosovës që qartazi nuk janë ‘sikur të gjithë serbët tjerë’.

“Regjimi pa viza nuk zbatohet te poseduesit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të lëshuara nga Drejtorati i Koordinimit i Ministrisë së Brendshme të Serbisë”.
Kjo fjali, e cila gjendet në uebfaqen e Ministrisë së Brendshme serbe, ekziston për ta qartësuar faktin se qytetarët serbë që banojnë në Kosovë nuk mund të udhëtojnë pa viza në shtetet ku qytetarët e Serbisë mund të shkojnë pa viza.
Në fakt, nëse dikush do të gjejë informata se a i duhet vizë për të udhëtuar jashtë, Ministria e Brendshme ka një listë të plotë të shteteve, të gjitha të dhënat e duhura për ato vende, si dhe informata për marrjen e vizave — të gjitha këto në internet. Kjo fjali përsëritet vazhdimisht, por s’është asgjë e re. Serbët e Kosovës janë të vetëdijshëm se diskriminohen nga shteti që i quan qytetarë të vet.
Për më tepër, është fakt i pakundërshtueshëm se, çdo ditë e më shumë, serbët po përpiqen ta ndryshojnë adresën e banimit në vende të Serbisë që t’i marrin pasaportat e shumëkërkuara për të udhëtuar pa viza. Sidoqoftë, ky proces nuk është i lehtë.
Ajo lyp shumë muaj për t’u përfunduar, ka kontrolle të rregullta të policisë, dhe njerëzit prapë refuzohen në shumicën e rasteve sepse, natyrisht, ata nuk jetojnë në adresat të Serbisë të cilat i paraqesin.
Në qoftë se e harrojmë për një çast faktin se jeta në Kosovë është e pamundshme pa dokumente të Kosovës, pavlefshmëria e dokumenteve të Serbisë është arsye tjetër se pse një numër i madh i serbëve i marrin ato të Kosovë dhe i përdorin shumë e më shumë.
Edhe pse ka kohë që serbët e Kosovës janë të vetëdijshëm se nuk trajtohen “sikur të gjithë serbët tjerë”, kur dikush ta thotë këtë publikisht, ndjenja që të sjell s’është fare e këndshme.
Pra, kur Marko Gjuriqi, zyrtar i cili pretendon se lufton për mbijetesën e serbëve në Kosovë — edhe pse duket se bën vetëm gjëra që i vështirësojnë jetët e tyre (le ta kujtojmë hyrjen ilegale përmes kufirit) — dhe mbi të gjitha, është lider i ‘Zyrës për Kosovën dhe Metohinë’, nxjerr deklaratë mospërfillëse, ndjenja e parehatisë shndërrohet në zemërim të ashpër.
Duke iu përgjigjur një ftese të Presidentit Hashim Thaçi që të aplikojë për pasaportë të Kosovës para disa javësh, Gjuriqi ka thënë se ai nuk ka nevojë për pasaportë të një shteti të rremë sepse posedon pasaportë serbe “me të cilën mund të udhëtojë pa viza, sikur çdo qytetar tjetër i Serbisë” në 119 vende të botës.
Meqenëse serbët e Kosovës nuk gjenden në një pozitë ku mund të marrin pasaportë të tillë, kjo na çon drejt një përfundimi të thjeshtë: më në fund, dikush e konfirmoi të vërtetën e qartë se serbët e Kosovës nuk trajtohen “sikur të gjithë qytetarët tjerë të Serbisë”.
Mos më keqkuptoni, serbët e Kosovës nuk e shohin këtë si zhvillim të ri. Ata janë mësuar ta kenë të pamundur udhëtimin kur të duan, dhe shkojnë në Prishtinë për viza; ata e dinë faktin se dokumentet serbe bëhen më të pavlefshme dita-ditës, e dokumentet e Kosovës po bëhen realitet dhe nevojë e përditshme. Sidoqoftë, të njëjtët serbë jetojnë me iluzionin shteti i Serbisë do të bëjë diçka për të mirën e tyre, e jo të shkaktojë tensione kastile që rrezikojnë jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë.
Është lehtë të përligjet një iluzion i tillë: kur në njërën anë ke institucione të një shteti që e sheh si tëndin, pavarësisht se sa të dëmshme janë veprimet e tyre ndaj teje, dhe në anën tjetër ke institucione të një shteti të cilin s’e ke kërkuar fare – do të anosh nga ajo që dikur i ke besuar dhe që ende disi e sheh si tënden. Në këtë mënyrë serbët e Kosovës thjesht vendosin t’i anashkalojnë vendimet e veprimet e qeverisë së Serbisë, edhe pse ato janë, siç thashë, kryesisht të dëmshme për jetën e serbëve në Kosovë.
Deklaratat e Marko Gjuriqit mund të merren si vazhdimësi e kësaj. Sidoqoftë, zemërimi që t’i mbërthen faqet kur e dëgjon kreun i Zyrës për Kosovën të ta rikujtojë se nuk je si të gjithë qytetarët tjerë nuk zgjat shumë. Tashmë je mësuar me të.
Së paku prej përvojës së tij, Marko Gjuriqi duhet të ishte i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën jetojnë serbët e Kosovës (apo dikush mund të shpresojë ashtu).
Pra, të thuash në të njëjtën intervistë se Kosova është provincë jugore e Serbisë, dhe pastaj të japësh deklaratë mospërfillëse se “sikur të gjithë serbët tjerë”, ti gëzon lëvizje pa viza, është lënduese, si dhe kundërthënie e termeve. Nëse Kosova është provincë serbe, përse nuk trajtohen të gjithë serbët e Kosovës sikur qytetarët tjerë të Serbisë?
Përgjigjja me gjasë është kjo: ka kaluar kohë e gjatë prej se Kosova nuk është parë si e rëndësishme prej Serbisë. Kjo duket se është e qartë për të gjithë përveç Marko Gjuriqit.
Për më shumë, Gjuriqi po ashtu ka thënë se “pasaporta e rreme [e shtetit të Kosovës] është e pavlefshme.” Paj, ndoshta për “të gjithë serbët tjerë”. Nëse e krahasojmë pasaportën e Kosovës me pasaportat e Serbisë që u janë lëshuar serbëve të Kosovës, ato kanë vlerë të njëjtë. Sido që të jetë, serbët nga Kosova duhet të shkojnë nëpër ambasada në Prishtinë për ta nisur procesin e vizave.
Sot, shumica e ambasadave po kërkojnë dokumente të lëshuara nga Kosova, si certifikatat e lindjes, dhe nuk i pranojnë ato të lëshuara nga Serbia.
Pra, edhe kur serbët e Kosovës përdorin pasaportat e tyre të veçanta të lëshuara nga Drejtorati për Koordinim, atyre prapëseprapë u duhen disa dokumente kosovare. Sërish, kjo duket të jetë e qartë për të gjithë veç Gjuriqit.
Duhet të kihet parasysh: sot, serbët e Kosovës kryesisht kanë dokumente të Kosovës, meqenëse pa këto ‘dokumente të rreme’ ata nuk mund të funksionojnë normalisht.
Nuk do të mund të hapnin llogari bankare, të votojnë, dhe siç u përmend, shumë ambasada po kërkojnë certifikata të lindjes të lëshuara nga institucionet e Kosovës për procedurën e aplikimit për vizë, e kështu me radhë.
Është e vërtetë që pasaportat ‘e rreme’ të Kosovës nuk të lënë vetvetiu të shkosh në zonën Shengen, por së paku procesi i marrjes së vizave është i njëjtë për të gjithë, askush nuk diskriminohet dhe kanë pak a shumë të njëjtën vlerë si ato të lëshuara nga Drejtorati për Koordinim. Dhe po, kjo është arsyeja se pse ne nuk jemi ‘sikur të gjithë serbët tjerë’.
Se a është i vetëdijshëm Marko Gjuriqi për mënyrën e funksionimit të jetës në Kosovë ende mbetet e dyshimtë. Deklaratat sikur këto çojnë në përfundimin se, ose ai nuk e di fare, ose hiqet se nuk di. Sidoqoftë, nëse është i vetëdijshëm dhe e lë veten të flasë publikisht në këtë mënyrë duke na mbushur mendjen se ai s’bën asgjë tjetër veç sakrificë për Kosovën, ky është vetëm tregues mosrespekti ndaj atyre serbëve që ende jetojnë në Kosovë.
Më tej, Gjuriqi vazhdon të thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe në të njëjtën kohë na thotë neve serbëve të Kosovës se nuk jemi të barabartë me qytetarët tjerë të Serbisë.
Si lider i Zyrës për Kosovën, Gjuriqi, i cili dha deklaratë zyrtare për qytetarët serbë që haptazi përjashton serbët që jetojnë në Kosovë, ai na tregoi sërish se ku qëndrojnë serbët e Kosovës në lidhje me Serbinë, dhe si ajo i sheh ata në të vërtetë.
Ne s’jemi të barabartë dhe qartazi jo si të gjithë serbët tjerë. Përmes kësaj, Gjuriqi i ka bërë të pakuptimta të gjitha lidhjet e mundshme mes serbëve të Kosovës dhe Serbisë.(kallxo)

    Data: 31 Maj 2018 10:41
    Autori: Nevena Radosavljevic

    Të tjera