Kthehu lart

Zgjedhjet në Itali: Fundi i një bote të mbaruar

Zgjedhjet në Itali: Fundi i një bote të mbaruar Autori: Preç Zogaj GazetaExpress

Zgjedhjet politike të së dielës në Italinë fqinje, tradicionalisht më të ndjekurat në Shqipëri pas presidencialeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prodhuan një ndryshim radikal të kuadrit politik të Apenineve. Lëvizja “Pesë yjet”, një konglomerat rrymash antiestablishment, ka dalë partia e parë në shkallë kombëtare me 33,7 për qind të votave, një rezultat që në Itali zakonisht e shënojnë partitë e mëdha, që përcaktojnë qeverisjen e vendit përgjatë një periudhe të caktuar.

Në garën për primatin, Lëvizja “Pesë yjet” është alternuar me diferencë të madhe me Partinë Demokrate të Mateo Renzit, që është ndalur në shifrat 18,7 për qind si parti më vete dhe 22,8 për qind bashkë me forcat e tjera të së majtës. Një tjetër formacion politik antiestablishment, i njohur edhe për përdorimin e retorikës antieuropianiste, “Lidhja e Veriut” e Mateo Salvinit, ka dalë papritur forca e parë në koalicionin e qendrës së djathtë me 17,4 për qind të votave, duke lënë prapa për herë të parë partinë “Forca Italia” të Silvio Berluskonit, që u mbështet vetëm nga 14 për qind e zgjedhësve që morën pjesë në votime.

Duke parë në një anë disfatën e partive të sistemit qeverisës njëzet e pesëvjeçar, të majta dhe të djathta dhe përparimin e hovshëm në anën tjetër të partive antisistem si “Pesë yjet” dhe “Lidhja e Veriut”, shumë analistë po flasin për lindjen e një republike të tretë, që pason republikën e parë të Pasluftës së Dytë Botërore dhe republikën e dytë që lindi mbi tërmetin politik, i cili shkaktoi tanxhentopoli i famshëm në fillim të viteve nëntëdhjetë. Do të lindë apo jo në Itali një republikë e tretë në kuptimin jo retorik të fjalës, kjo do të shihet në të ardhmen me ndryshimet që do të sjellë realiteti i ri politik që prodhuan zgjedhjet e së dielës.

Zgjedhësit italianë treguan drejtimin. Topi tani është në duart e të zgjedhurve, në radhë të parë të formacioneve fituese, por edhe të formacioneve humbëse, që nuk mund të mos lexojnë mesazhin e votës popullore maxhoritare. Janë bërë e po bëhen shumë komente, një festival analizash që vazhdojnë. Në mediat italiane dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Ka befasi dhe shqetësim në kontinent për votën italiane. Vendi që dallohej për lidhjen e fortë me idenë europianiste dhe për kulturën e hapjes dhe mikpritjes ndaj të tjerëve, del se ka prodhuar një shumicë trasversale antieuropiane, që nuk e ka asnjë vend tjetër i BE-së dhe që mund të fusë në krizë vetë ekzistencën e Bashkimit.

Po të ishte ky kuptimi dhe pasoja e votës italiane, e diela që shkoi do të duhet të regjistrohet si një ditë e keqe edhe për Shqipërinë, që përpiqet prej shumë vitesh të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Një Itali jashtë Europës do të na përballte me skenarin që nuk kemi dashur ta mendojmë: të mbërrijmë në destinacion në çastin kur të mos ketë më BE. Italianët votojnë për vete në radhë të parë, jo për të tjerët. Kjo është qartë. Për sa na takon nga kjo anë e Adriatikut, ne shqiptarët jemi ndier e ndihemi fatlumë në fqinjësinë me Italinë, i kemi qenë dhe i jemi mirënjohës, i kemi dashur dhe i duam vetëm të mirën. E mira e Italisë rrezaton në Shqipëri.

Sikurse rrezatojnë edhe negacionet që ajo prodhon e lufton në territorin e saj. Duke u kthyer te zgjedhjet e së dielës, Italia na mban me mendje të ngritur për erërat që fryjnë atje. Shumë prej nesh duam të besojmë se italianët kanë votuar të dielën pikësëpari për problemet e tyre të brendshme, për shijet e tyre, për raportet që ata kanë me politikanët dhe partitë e tyre. Nga kjo pikëpamje, ata hodhën poshtë partitë e sistemit qeverisës që kishin intalauar alternimin në qeverisje me të njëjtat politika dhe zgjidhje, duke ndryshuar vetëm emrat dhe flamujt.

Ata hodhën poshtë politikanët e vjetër apo të konsumuar, që kishin mbyllur ciklin apo e mishëronin këtë sistem dhe prandaj nuk mund të vazhdonin më, siç ishin Silvio Berluskoni, Mateo Renzi dhe të tjerë politikanë të vjetër të establishmentit. Berluskoni thuri ëndrrën e një riciklimi të tretë a të katërt në moshë të shtyrë, në një formë të çuditshme, përmes delfinëve të tij ndër vite. Ai nuk do të mund të niset më pas rezultatit të së dielës. Por Berluskoni i ka gjithsesi disa fitore të çmuara në palmare. Gabimi i tij, që mund të jetë tipik për një miliarder dendi dhe liberal, është se nuk diti të tërhiqej në momentin e duhur.

Mateo Renzi, një politikan i ri i së majtës italiane, po shuhet pa u ngjitur dot si yll atje ku e pat projektuar për një farë kohe pritshmëria e publikut italian. Renzi doli zbuluar shpejt, duke vepruar si kryeministër i rrethanave, i pavotuar nga populli si i tillë. Ai nuk e kuptoi me sa duket mesazhin e humbjes në referendumin kushtetues të personalizuar të dhjetorit 2016. Ai u rifut në lojën e madhe për të marrë revanshin me këmbënguljen tipike të një politikani të afashinuar pas dukjes, manierave. Të tjerë guru të së majtës dhe së djathtës tradicionale u rrëzuan më votë të dielën.

Epitafi më i gjetur i kësaj vaterloje elektorale kur përgjatë një të diele pothuajse i gjithë spektri i vjetër përfundoi në “na ishte një njëherë” ishte ai i ish-Kryeministrit, Masimo D’Alema, eksponent i shquar i së majtës italiane për dekada me radhe, që tha sikur po fliste në emër të gjithë “Hadesit” politik të 4 marsit: Faji ynë është që konsideruam të gjallë një botë që nuk ekziston më. Nuk ka dyshim se shprehja është shumëkuptimëshe, në stilin e këtij politikani të mprehtë.

Por ajo të jep çelësin për të kuptuar çfarë ndodhi në fakt. Partitë dhe politikanët e establishmentit nuk e kuptuan, qenë në iluzion ose nuk mundën t’u përgjigjen kërkesave të kohës. Koha në politikë është ajo që përjetojnë dhe presin qytetarët, të rinjtë. Kështu është. Këtë bënë partitë e protestës, siç ishte Lëvizja “Pesë yjet” apo ikonklastët e Lidhjes së Veriut, që u dëgjuan të buçasin deri për një Itali etnikisht të bardhë e të pastër apo të rimarrin temën e ndarjes si një reaksion zinxhir ndaj asaj që ndodhi në Katalonjë. Ka plot në radhët e formacioneve fituese që duan daljen e Italisë nga Europa apo edhe daljen më vete të Lombardisë e ndonjë krahine tjetër bastion i Legës së Veriut.

Por më bindës duken disa analistë italianë, që i japin më shumë pikë votës kundër establishmentit, duke e parë antieuropianizmin kryesisht si një veshje të jashtme të retorikës populiste dhe, më tej, si një reagim kritik ndaj mënyrës së funksionimit të BE-së dhe pozicionit të Italisë atje. Rezultatet e së dielës treguan se vota antiestablishment është ende gjallë në Itali, madje më e fortë akoma.

Këtë e konfirmon fakti se Lëvizja “5 yjet” është prezente aty ku ndihet më shumë braktisja, tek ajo shtresë shoqërore, që jeton në një realitet totalisht tjetër dhe nuk pranon më të poshtërohet me gënjeshtrat elektorale të establishmentit të konsumuar, mbuluar në luks. Por partitë fituese nuk ofruan vetëm kundërshti e protestë. Ofruan edhe gjëra të tjera. Mbi të gjitha, qarkullim elitash. Pepe Grilo, themeluesi i Lëvizjes “5 yjet”, surprizoi që herën e parë në zgjedhjet e para katër vjetëve.

U duk se po nisej në rrugën e një karriere të gjatë, por katër vjet me vonë në krye të fushatës së kësaj lëvizjeje ishte një djalë i ri, simpatik dhe shumë i zoti nga Napoli, Luixhi de Maio. Luigi Di Maio, 32- vjeçar është në fakt i fituari i madh i këtyre zgjedhjeve. Lideri i qeshur i Lidhjes së Veriut, Salvini, është gjithashtu një produkt i qarkullimit të elitave dhe zgjedhjeve demokratike në partinë e tij. Kështu, Italia vazhdon të befasojë me shembuj të rrallë, që kanë arsye dhe vlerë për politikën si të tillë.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë krijuar një rebus për sa i përket krijimit të një shumice qeverisëse. Zgjidhjen do ta gjejnë të zotët e punës. Ajo që ka interes për ne lidhet me reflekset e këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Establshmenti ynë është çimentuar me korrupsionin e lartë në sistem dhe në lidhjen e politikës me krimin. A munden zgjedhësit shqiptarë ta shembin me votë, siç e shembën zgjedhësit italianë?

Të marrim një shembull. Renzi është vëllai binjak i Edi Ramës për sa i përket qeverisjes propagandistike, konceptimit të politikës si show, mbështetjes në gjeste dhe në parulla libreske pa thelb. Renzi kishte sidoqoftë meritën se nuk është përfolur të ketë lidhje me krimin apo, zoti na ruajt, të mendojë të blejë vota. Megjithatë, italianët e hodhën. Në Shqipëri ka arsye që kjo që i ndodhi Renzit t’i ndodhë dhjetëfish binjakut të tij. Por mjerisht, ka pak gjasa për momentin. E para dhe kryesorja, sepse në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira.

Kleptokracia ka bllokuar sistemin. E dyta, Shqipëria është vend i vogël, partitë kryesore kanë shumë anëtarë, mbi një- qind mijë PS dhe PD, disa dhjetëra mijë LSI, më shumë se partitë e mëdha në vendet me 60 milion banorë. Pra, mbetet shumë pak popull jashtë korporatave partiake, shumë pak qytetarë që votojnë sipas gjykimeve të lira që krijojnë për qeverinë dhe opozitën. Ky është rrethi vicioz. Shqiptarët, në rastin më të mirë ndryshojnë qeveritë, por jo politikat.

Një lëvizje si “5 yjet” fjala vjen, ka vështirësi të lindë e të bëhet një forcë kuptimplote në Shqipëri. Së paku sot për sot. Por duhet të presim zhvillimet nga fronti i drejtësisë së re për të kuptuar çfarë do të ndryshojë. Deri atëherë, le të reflektojmë, ndër të tjera, për risitë e zgjedhjeve në Italinë fqinje.

    Data: 11 Mars 2018 11:21
    Autori: Preç Zogaj

    Të tjera