Kthehu lart

Si vdiq dhe si u ringjall të nesërmen gazetari rus në Ukrainë?

Si vdiq dhe si u ringjall të nesërmen gazetari rus në Ukrainë? Autori: Berat Buzhala GazetaExpress

Ukraina dhe Rusia në dekadën e fundit kanë luftuar kundër njëra tjetrës në mënyrat më të ndryshme. Mirëpo ngjarja e javës së fundit e ka kaluar çdo fantazi. Vrasja dhe ringjallja e gazetarit Arkady Babchenko u krahasua me avanturat e Sherlock Holmesit.

Ndodhi edhe kjo në gazetarinë botërore: Një gazetar rus, Arkady Babchenko, u vra të martën në apartamentin e tij, në Kiev të Ukrainës, për t'u ringjallur, për habinë e të gjithëve, një ditë më pas, gjatë një konferencë për shtyp të organizuar nga shërbimi sekret ukrainas.

Ky skenar bizar, i pashembullt deri më tash, u realizua nga shërbimi sekret i Ukrainës në bashkëpunim me Babchenkon. E gjithë bota demokratike qau.

Për të ndjerin u shkruan përkujtime. Presidenti i Ukrainës e akuzoi për këtë vrasje, kë tjetër përveç Vladimir Putinin. Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, nga ana tjetër, e akuzoi Ukrainën që e kishte kryer vrasjen në mënyrë që vrasjen t'ia veshnin rusëve.

Në këtë hallakamë diplomatike veten jashtë nuk e lanë as shtetet perëndimore. Reagimet më të forta erdhën nga Mbretëria e Bashkuar, zyrtarët e të cilit shtet ende janë me vaj në buzë. Në territorin e tyre besohet që po operon shërbimi sekret rus, i cili po i përndjek kundërshtarët e presidentit Putin, të cilët janë strehuar në ishull. Viktima e fundit është Sergei Skripal, ish-agjent rus, i cili u helmua bashkë me vajzën e tij, kjo e fundit çuditërisht i shpëtoi këtij sulmi, por jo edhe babai i saj. Viktima ka pasur edhe para kësaj vrasje.

Boris Johnson, sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, më të dëgjuar për 'vrasjen' e gazetarit rus në Ukrainë, pa u menduar dy herë, u hodh me kokë në këtë pishinë, që fatkeqësisht nuk kishte ujë.

Të gjithë u shtangën kur dy ditë pas kësaj "vrasjeje", Babchenko u shfaq i gjallë, me një buzëqeshje sarkastike në fytyrën e tij. U shtang edhe bashkëshortja e tij, të cilët vetëm dy ditë më herët i ishin treguar fotografitë e burrit të saj të shtrirë në një pellg të gjakut, ku thuhej se ishte goditur me plumba pas shpinës. Posaçërisht u tronditën organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, si Reporterët pa Kufij, që thanë se kjo lojë nuk ka asgjë të përbashkët me profesionin e gazetarit. Sipas tyre, një inskenim i tillë nuk do të duhej të ishte pranuar nga Babchenko, pa marrë parasysh se çfarë informatash për jetën e tij ai i ka marrë nga shërbimi sekret ukrainas. Aktin e vrasjes dhe ringjalljes së gazetarit disident rus e konsideruan të dëmshëm edhe mediat kryesore botërore. Thanë që një gjë e tillë do t'i ndihmojë shumë Putinit dhe atyre që e mbrojnë atë. Tash, sipas tyre, apologjetët e carit rus, pas çdo krimi, pas cdo vrasje të vërtetë, do të thonë "a jeni të sigurtë që ai është vrarë". Një tjetër kishte shkruar në Twitter, në mënyrë ironike: "Tash kur t'i tregoni krimet e Helmetave të Bardha ruse në Siri, unë do t'ua tregoj foton e Babchenkos së vrarë".

Kush është Babchenko?

Ky 41-vjeçar, kur kishte qenë më i ri, si 20-vjeçar, kishte marrë pjesë dy herë si ushtar në luftërat ruse në Çeçeeni. Fillimisht në atë që e kishte nisur Boris Jelcin, e pastaj në atë që e kishte bitisur Vladimir Putin. Pasi kishte parë shumë krime që kishin ndodhur atje, Babchenko ishte tërhequr. Ai kishte filluar të shkruante për krimet e ushtarëve rus, shkrime të cilat ia kishin tërhequr vëmendjen gazetës kryesore ruse anti Putin, Novoya Gazeta, që kishin vendosur që ta punësonin si gazetar. Kësaj gazete, që nga viti 2001, i janë vrarë gjashtë gazetarë. Më prominentja prej të gjithëve ishte Anna Politkovskaya, e vrarë në vitin 2006, për shkak të shkrimeve për luftën në Çeçeni. Është interesant të ceket që kjo gazetë është themeluar nga ish lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev. Ai, paret që i kishte fituar nga ndarja e cmimit Nobel për Paqe, i kishte përdorur për të blerë kompjuterë dhe inventarë tjetër të nevojshëm për këtë gazetë.

Në Novoya Gazeta, Babchenko ka punuar deri në vitin 2017, ku ka raportuar në mënyrë kritike për agresionin rus në Ukrainë dhe Siri. Kërcënimet më të mëdha në drejtim të tij, ato të cilat e bindën që të braktiste Moskën për Kievin, erdhën kur Babchenko kishte deklaruar që nuk do të mbante zi për rrëzimin e një aeroplani rus. Ai bashkë me familjen u zhvendosën për në kryeqytetin e Ukrianës, shtet ky që ka probleme të mëdha me Rusinë që prej vitit 2014, vit në të cilin ishte rrëzuar qeveria pro ruse. Forcat pro ruse i mbajnë të pushtuara disa territore të Ukrainës. Çdo ditë në mes të dy qeverive ka gjuhë të ashpër dhe akuza e kundër akuza. Për çdo krim që ndodh, ato nxitohen ta akuzojnë njëra tjetrën.

Për shkak të kësaj klime të thellë të mosbesimit, shërbimi sekret i Ukrainës ka qenë i bindur, për këtë ka paraqitur edhe disa fakte te mjegullta, që shërbimi sekret i Rusisë kishte dhënë urdhër për t'i vrarë 30 persona në shtetin e tyre. Sipas shërbimit sekret ukrainas, në mesin e caqeve për t'u goditur ka qënë edhe gazetari Babchenko. Madje, sipas asaj cfarë thanë në një konferencë për shtyp zyrtarët e Ukrainës, me një cmim prej 40 mijë eurove ishte paguar edhe personi që do ta vriste gazetarin. Ky person është arrestuar në Kiev.

Mënyra e vetme, sipas shërbimit sekret ukrainas, për ta shpetuar Babchenkon ishte që fillimisht ta 'vrisnin' në mënyrë që rusët të tërhiqeshin, e pastaj ta rikthenin në jetë prapë, kur të kishte kaluar rreziku.

Rusia dhe Ukraina janë dy shtetet më të forta që kanë dalë nga Bashkimi Sovjetik. Të dyjat këto fuqi të frikshme nukleare. Ukraina është pajtuar në mesin e viteve të 90'ta që të heq dorë nga armët nukleare, nën mbikëqyrjen e SHBA'së dhe Rusisë.

Ukraina gjatë gjithë këtyre viteve, politikisht, është luhatur sa nga Rusia sa nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Populli ukrainas mendohet që lehtësisht anon më shumë në drejtim të Perëndimit. Në anën tjetër, shteti rus, me në krye Putinin, nuk ka rreshtur së sulmuari fqiun e tij, që së paku me anë të frikës ta mbajë në anën e vet. Rusia e ka rrëmbyer Krimenë nga Ukraina, por edhe disa territore në lindje të këtij shteti, të cilat janë të banuara me rus.

Përveç luftës klasike, Rusia ndaj Ukrainës zhvillon edhe luftë speciale, duke përdorur mediat dhe sulmet e shpeshta kibernatike. Këto dy shtete rivalitetin në mes tyre në vitet e fundit e kanë shtrirë edhe në sport. Derisa në Ukrainë u luajt finalja e Ligës së Kampioneve, në Rusi do të zhvillohet Kampionati Botëror i futbollit. Mediat perëndimore kanë qënë jashtëzakonisht kritike kur FIFA kishte vendosur që Rusia të jetë organizatori i kampionatit botëror, sepse e konsiderojnë si një shtet ku nuk respektohen as minimalisht të drejtat e njeriut. Por, dyshohet që kjo gjë ishte përgatitur falë lidhjeve korruptive të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe ish shefit të FIFA's, Sepp Blater. Si kundërpërgjigje ndaj këtij akti, UEFA e ka shpërblyer Ukrainën me finalen e Ligës së Kampioneve.

Ndoshta kjo gjë nuk është kurrfarë garance për paqe, mirëpo as Rusia e as Ukraina nuk kanë refuzuar që lojërat sportive të hapen prej dy këngëtareve nga Kosova, Dua Lipa dhe Era Istrefi, përkundër faktit që asnjëri shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Askush nuk e ka as idenë më të vogël se edhe sa kohë do të vazhdojë ky rivalitet. Pas ringjalljes së tij gazetari Babchenko deklaroi që do të jetojë deri në moshën 96-vjeçare. Ai premtoi që do të jetojë aq gjatë sa një ditë do të vallazojë mbi varrin e Vladimir Putinit. Tash ka mbetur vetëm edhe të dihet se në çfarë moshe ai do ta realizojë këtë vepër artistike?

    Data: 31 Maj 2018 20:37
    Autori: Berat Buzhala

    Të tjera