Kthehu lart

Shteti i Osmanëve

Shteti i Osmanëve Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Rasti i punësimit të katër fëmijëve të Osman Ejupit në Telekom dhe shumë tjerë të ngjashëm shpërfaqin më së miri funksionimin e sistemit nepotik e lidhjet partiake, respektivisht kapjen e shtetit nga struktura politike e parapolitike. Kosova nuk është shtet i barazisë, i qytetarëve, por i atyre që e konsiderojnë ndërmarrje private punësimi e përfitimi

Më rastisi të lexoj një intervistë të Osman Ejupit, dhënë për Gazetën Express në vitin 2015. Në cilësinë e ish-kryetarit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ai kishte folur për problemet rreth rregullimit të tregut të naftës në Kosovë, respektivisht rreth mundësisë së një marrëveshjeje jo të ligjshme të kompanive së derivateve, për caktimin e çmimeve.

Ejupi kishte deklaruar se naftëtarët po e shkelnin ligjin që kishte të bënte me konkurrencën. Sipas tij, konkurrenca në tregun kosovar është e dëmtuar në masë të madhe në shumë fusha.

Pra, bëhet fjalë për Osman Ejupin i cili, katër vjet pas kësaj interviste, u bë kryetitull i mediave. Jo për ndonjë lajm të mirë në fushën e konkurrencës, por për shkak se brenda një muaji, në Telekomin e Kosovës u punësuan katër fëmijë të tij. Në atë kohë, Ejupi ishte njëri nga drejtorët e bordit të ndërmarrjes. Vendet e punës për fëmijët e Ejupit ishin siguruar më pak se tre muaj pasi ai mori pozitën e drejtorit. Sipas raportimit të KTV’së, që të gjithë ishin punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.

Pak ditë pasi skandali u bë publik Ejupi ofroi dorëheqje, por katër fëmijët e tij vazhdojnë punën në Telekom.

Ejupi mbase mund të mbajë ligjërata për konkurrencën e mosrespektimin e ligjit përkatës në shumë fusha, por se mbi çfarë kriteresh dhe në çfarë kushtesh konkurrence u punësuan fëmijët e tij, ende nuk është marrë vesh. Ashtu siç nuk është bërë e ditur se si ndodhi që pikërisht fëmijët e tij të dalin më të zotët dhe më të mirët në konkurrencë të ashpër me të tjerët që provojnë të punësohen në Telekom.

* * *

Mund të konsiderohej cikërrimë, në këtë vend ku çdo ditë ndodhin superskandale, po që se vetëm Ejupi do të vepronte kështu. Shumë të tjerë si ai, qindra të tjerë iu gjejnë vende pune familjarëve e të afërmve të tjerë në insitucione e kompani publike. Tash njëzet vjet, nepotizmi është kthyer në rregull dhe nuk përbën përjashtim. Tregu është deformuar plotësisht, kriteret profesionale në shumicën e konkurseve janë zëvendësuar me kriterin nepotik dhe institucionet vazhdojnë të mbushen me familjarë të njerëzve në pushtet e me militantë partiakë. Kriteri i familjarizmit është një ndër kushtet për t’u punësuar nëpër institucione e kompani publike.

Të gjitha partitë politike që kanë qenë e janë në pushtet sektorin publik e konsiderojnë si një ndërmarrje private, personale punësimi. Kjo ka bërë që qytetarëve t’iu ofrohen shërbime të dobëta e joprofesionale dhe, po ashtu, të dëmtohet konkurrenca e shëndoshë në tregun e punës dhe mundësia e barabartë për të gjithë. Kjo ka bërë që mijëra të rinj të humbin shpresën se mund të gjejnë një vend pune nëse nuk kanë lidhje familjare e partiake me njerëzit në pushtet, me njerëzit e pushtetshëm.

Pas ditë pas skandalit me Ejupin mediat raportuan se Naser Shala ishte zgjedhur me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës drejtor i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Deputetët nuk kanë përfillur rekomandimin e ambasadës britanike që kishte mbikëqyrur perocesin e rekrutimit dhe që nuk e kishte rekomanduar Shalën për këtë pozitë, duke e konsideruar të papërshtatshëm. Në shenjë mospajtimi, ambasadori britanik dha dorëheqje nga bordi i agjencisë, ndërkaq vendimi u kundërshtua edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë. “Deputetët treguan se më shumë vlerësojnë nepotizmin më shumë se të drejtat pronësore të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Naser Shala, i cili në luftë nihej si komandant “Ftyra” ka qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Ishin shpallur të pafajshëm. Ndërkohë, emri i

tij ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Kjo ishte bërë e ditur në përgjimet e Rastit Pronto.

* * *

Rasti Pronto ka shpërfaqur më së miri funksionimin e sistemit nepotik e lidhjet partiake, respektivisht kapjen e shtetit nga struktura politike e parapolitike. Pronto ka shpërfaqur se ky shtet nuk është i qytetarëve, por i Osmanëve, Naserëve, Ademëve e të tjerëve si këta. Shtet i atyre që vazhdojnë ende ta mbushin Telekomin dhe kompani e institucione tjera përplot familjarë e akraba, që në kohë zgjedhjesh përkthehen në vota. Në këtë mënyrë, këta njerëz me paratë tona i blejnë votat, e blejnë pushtetin, e kapin shtetin. Pushtetin e shtetin që nuk është në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të tyre.

    Data: 07 Mars 2019 13:35
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera