Kthehu lart

Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (1)

Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (1) Autori: Bardhyl Mahmuti GazetaExpress

Më 24 maj të këtij viti, teologu Mustafa Bajrami publikoi reagimin e tij ndaj shkrimit tim të titulluar «Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, është e drejtë legjitime e popullit hebre». Mirëpo, siç e pohoi edhe vetë...

Më 24 maj të këtij viti, teologu Mustafa Bajrami publikoi reagimin e tij ndaj shkrimit tim të titulluar «Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, është e drejtë legjitime e popullit hebre».Mirëpo, siç e pohoi edhe vetë në mesazhin që ma dërgoi, në reagimin që ka bërë kundër meje nuk i ka qëndruar besnik tekstit të shkrimit tim. Po i drejtohem publikisht Mustafa Bajramit se është e drejtë legjitime e secilit person të shprehet lirshëm dhe të shpërndahet mendimi i tij, ashtu siç ia merr mendja. Së paku këto dy aspekte të të drejtave të njeriut për fjalën e lirë duhet të respektohen. Etika në komunikim është çështje në vete. Ajo që e bën të rëndë formën e reagimit të Mustafa Bajramit nuk ka të bëjë me shprehjen dhe shpërndarjen e pikëpamjeve të veta në publik, por me faktin se konfrontimet e mendimeve që kanë të bëjnë me temat ku kërkohet përdorimi i argumenteve shkencore, nuk përdoret ARGUMENTUM AD PERSONAM (logjika e sulmeve kundër personit). Aq më tepër kur emrit të vet i vë titullin akademik DR! Në këtë fushë debatesh, manipulimi me thëniet e kundërshtarit është gjëja më degraduese për nivelin intelektual.  

Që në hyrje të reagimit të vet, Dr. Mustafa Bajrami thekson se «në shkrimin tim unë e kam përmendur disa herë emrin e tij». Pohimi i tillë është i vërtetë, siç është plotësisht e vërtetë se unë e kam cituar besnikërisht tekstin e tij dhe në përputhje me thëniet e tij kam shprehur qëndrimet e mia. Atëherë, me të drejtë shtrohet pyetja se si vepron Dr.Mustafa Bajrami në reagimin e tij ndaj shkrimit tim? Secili lexues i dy shkrimeve do të bindet se jo vetëm që nuk i përmbahet tekstit të shkrimit tim, siç e pohon edhe vet, por, ajo që është më neveritëse, m’i ngjet një varg etiketash që do të shqyrtohen më poshtë dhe polemizon me etiketat që janë sajuar prej tij! Kam bindjen e plotë se ai që do të lexojë shkrimin tim deri në fund do të bindet në faktin se kjo mënyrë e etiketimit nuk është shpikje e këtij teologu, sepse as në formë e as në terminologjinë që përdoret nuk ka asgjë origjinale në reagimin që mban emrin e Dr. Mustafa Bajramit. Këtu kemi të bëjmë me formë të shabllonëve tanimë të njohura edhe nga opinioni i gjerë publik! 

Në vend të ideve ku dallojmë mes vete, Dr. Mustafa Bajrami bën përshkrimin e tij të parë për mua. Ai i njofton lexuesit e tij se «edhe më parë Bardhyl Mahmuti ka dëshiruar të më kap për gjuhe për debat me te rreth disa temave që me sa shihet, nuk i di sa duhet. Dorën në zemër, ai nuk është i padijshëm. Ai është një penë e mprehtë shqiptare dhe me përvojë në tema politike. Shkrimet e tij rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej. Ato shkrime i qëndisë bukur, ka një gjuhë të rrjedhshme dhe është i pasur në fjalë. Është i butë ndaj bashkëmendimtarëve të vetë, por i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve. Therrë në sy i ka teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmon papërmbajtshëm». 

Nuk po ndalem shumë në fjalët që lidhen me shkrimet e mija të fushës politologjike, sepse janë fakte të pamohueshme që unë shkruaj për më shumë se tri dekada rresht dhe u takon lexuesve t’i vlerësojnë shkrimet në përputhje me pikëpamjet e tyre politike dhe filozofike. Ajo që nuk lidhet me asnjë fakt ka të bëjë me etiketimin se gjoja unë jam «i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve» dhe i paskësha «therrë në sy teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmoj në mënyrë të papërmbajtshme»!  

Për secilin njeri që mban me dinjitet një titull akademik të doktorit të shkencave është e paimagjinueshme të bëjë shpifje të tilla. Por ky kriter i etikës intelektuale nuk është i vlefshëm për Doktor Mustafa Bajramin. Ai i bën këto shpifje vetëm e vetëm që të mund të plasojë akuzat se unë qenkam pa dinjitet! Ai me patetizëm shtron pyetjen sugjestive në relacion me shpifjet e konstruktuara prej tij: «Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë lindjen islame ndërsa shqiptarët i përkasin edhe fesë islame?». 

Të deklarohet pa fije turpi se gjoja unë i kam «therrë në sy teologët musliman shqiptarë dhe i sulmoj papërmbajtshëm» është rezultat i të njëjtës logjikë që ia vesh dikujt etiketën dhe polemizon me sajesën e vet sikur të ishte realitet. Kjo formë e manipulimit degradon titullin që ia ke vënë vetes o Mustafa Bajrami!  

Shpifja e kësaj natyre e Mustafa Bajramit më detyron të sjell për lexuesit që nuk ka pasur mundësi t’i përcjellë shkrimet e mia qëndrimet rreth kësaj çështjeje. Qëndrimet e publikuara për vite me radhë do të nxjerrin në shesh se cilën kategori të teologëve e kam «therrë në sy» dhe se ku e kanë origjinë shpifjet e këtij lloji. Mirëpo, para se të trajtoj këtë aspekt po e përmend edhe akuzën e tretë që bën kundër meje ky teolog. 

Dr. Mustafa Bajrami nuk mjaftohet që më akuzon se «shaj Turqinë» dhe se i paskësha  «therrë në sy teologët musliman shqiptarë», por ai mundohet të shpjegojë veprimet që m’i veshë sikur të ishin rezultat i një etikete të re: njeri me «mendësi komuniste nga e cila vështirë se mund të lirohem»! Jo vetëm kaq. Gënjeshtrën për «Bardhyl Mahmutin komunist» e paraqet si një të vërtetë universale për të gjithë shqiptarët! Pa u skuqur aspak ky doktor i teologjisë deklaron se «i madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një anti-demokrat i përbetuar»!!! Dhe për të qenë deri në fund koherent me këtë shpifje, në shkrimin e Mustafa Bajramit, Bardhyl Mahmuti nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia e krimeve të komunizmit. Pasi që renditë krimet e epokës së komunizmit në Shqipëri kundër hoxhallarëve, priftërinjve dhe intelektualëve, shembjen e tempujve të fesë dhe luftën kundër Perëndimit, ai pohon se unë dhe ata si unë «nuk mund t’i fshehim tmerret që i kishte përjetuar populli shqiptar nga komunizmi». Dhe në fund, pas të gjitha shpifjeve dhe fajësisë që m’i vesh, ky doktor i shkencës nuk e lë pa shtruar edhe preokupimin kryesor të tij: «si mund të jenë të mbeturit e kësaj të lige sot njerëz që ia duan të mirën shqiptarisë? Si mund tu besohet njerëzve të cilët deri dje vranë intelegjencinë shqiptare, syrgjynosen penat më të ndritura të kombit dhe shkruan më të keqen e mundshme kundër mendjes së ndritur shqiptare?». Me një fjalë, akuza se unë «shaj Turqinë», se i «kam therrë në sy teologët musliman shqiptarë», se kam «mendësi komuniste», se jam «anti-demokrat» e kështu me radhë 

T’i marrim shpifjet një nga një! 

Siç e citova më sipër, Mustafa Bajrami shkruan se «shkrimet e Bardhyl Mahmutit rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej dhe se ato shkrime janë të qëndisura bukur, me një gjuhë të rrjedhshme dhe të pasura në fjalë». Pohimi i tillë le të nënkuptohet se Dr. Mustafa Bajrami është në njohuri të shkrimeve të mija. Lexuesit që kanë përcjellë shkrimet e mija e dinë se botimet në gjuhën angleze dhe gjuhën frënge të librit tim të titulluar «Mashtrimi i Madh» kanë gjetur vend në bibliotekat e universiteteve më prestigjioze në botë. Këtë vend e ka siguruar falë trajtimit shkencor të fakteve dhe respektimit të metodologjisë së mirëfilltë shkencore gjatë hulumtimit për gjenocidin serb në Kosovë. Secili njeri që e ka pasur në duar këtë libër, qoftë në botim shqip, qoftë në gjuhët e huaja, e ka parë se unë u shpreh «Mirënjohje të përjetshme» personaliteteve të shquara botërore, politikanë dhe intelektualë që u mobilizuan për t’i dhënë fund Planit Serb të spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë. Në mesin e personaliteteve që kam veçuar nga koha kur isha Shef i Grupit Diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, përmenden Bylent Exheviti (Bülent Eceviti) dhe Sylejman Demireli (Sülejman Demireli) si personalitete të shquara të Turqisë që kanë dhënë një kontribut të madh për Kosovën. Këtë mirënjohje të përjetshme ndaj Turqisë së epokës së Bylent Exhevitit dhe Sylejman Demirelit mund ta lexojë secili njeri që dëshiron t’i verifikojë faktet. Mirënjohja i takon Turqisë së asaj periudhe edhe sikur të mos jetonte asnjë shqiptar në këtë shtet. 

E kuptoj se të gjithë njerëzit që barazojnë Turqinë me Erdoganin nuk mund t’i pranojnë  kritikat që dikush mund t’i adresojë kundër regjimit që vret, burgos, mbytë në burgje përmes torturave dhe dënon kundërshtarët e vet me burg të përjetshëm. Por një njeri që pretendon se mban titull akademik të heshtë para një dhune që është shndërruar në sistem dhe t’i cilësojë «të pa denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve» nuk është aspak dinjitoze. Përkundrazi, forma e këtillë e veprimit të Dr. Mustafa Bajramit është shprehje monumentale e manipulimit ideologjik për ta zhvendosur debatin në një rrafsh tjetër. Fatkeqësisht për te, rrafshin ku e ka zhvendosur problematikën është një terren tejet i rrëshqitshëm, si në akull! 

Përtej kritikave lidhur me situatën që u krijua pas dorëzimit të qytetarëve me origjinë nga Turqia, me leje qëndrimi në Kosovë, nga autoritetet e Kosovës, ajo që më së shumti u dhemb një kategorie njerëzish ndër viset shqiptare ka të bëjë me kritikat që u adresohen përpjekjeve neo-otomane për të rishkruar historinë tonë dhe ta rikthejnë influencë e dikurshme në Ballkan. Kësaj kategorie u them ta lexojnë «Don Kishotin» e Servantesit për ta kuptuar kontekstin alla turka të Erdoganit. Kuptohet nëse nuk ju pengon që ka qenë i përkthyer nga Fan Noli, prift ortodoks shqiptar. 

Qëndrimet ndaj dhunës që ushtron regjimi i Erdoganit në Turqi janë qëndrime personale që secili njeri i krijon në përputhje me botëkuptimet e veta politike, filozofike ose religjioze. Meqë më akuzon për «anti-demokrat të përbetuar» po i drejtohem Mustafa Bajramit dhe sortës së tij unë nuk jam demokrat i llojit të brumosur në kallëpet e shkollës (medhhebit) të tyre,  që të hesht përballë terrorit që ky regjim ushtron ndaj kundërshtarëve të Erdoganit. Jam kundërshtarë i përbetuar i pseudo demokratëve të çiftit të Mustafa Bajramit që kërkojnë «tolerancë demokratike» ndaj kësaj dhune, nën arsyetimin se në Turqi jetojnë miliona shqiptarë! 

Meqë më akuzon se i paskësha «therrë në sy teologët musliman shqiptarë» po i drejtohem Mustafa Bajramit dhe sortës së tij se unë, Bardhyl Mahmuti, jam kundërshtar i përbetuar i të gjithë teologëve myslimanë shqiptarë, pa marrë parasysh se çfarë detyre kryejnë aktualisht në kuadër të Bashkësive islame të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, që bëjnë dua për «Sulltan Erdoganin», siç u pëlqen ta quajnë këtë diktator, dhe që luten për fitoren e tij kundër popullit kurd në Siri.  

Teologët e këtillë myslimanë shqiptarë, që mbështesin dhunën dhe terrorin e «Sulltan Erdoganit» nuk shprehin pikëpamjet e tyre fetare, sepse do të ishte paradoksi më i madh të bëheshin dua për t’i vrarë kurdët të cilët i përkasin të njëjtës fe. Ata shprehin pikëpamjet e tyre politike!  

Interpretimi i kritikave të mia kundër teologëve myslimanë shqiptarë që dalin me qëndrime politike për të mbështetur një dhunë të egër e barbare, si të ishte kritikë «e egër kundër islamit dhe teologëve musliman shqiptarë» nuk është asgjë tjetër pos përpjekje e Dr. Mustafa Bajramit për të fshehur gjurmët e një politike që përpiqet t’ia fusë «therrën në sy» popullit shqiptar. 

Kam bindjen e plotë se përveç teologëve neo-otoman shumica e besimtarëve myslimanë shqiptarë nuk luten për të mbështetur krimet e «Sulltan Erdoganit» apo të kujtdo qoftë në botë, sepse shqiptarët e dinë më mirë se shumëkush që dhuna, kudo që të ushtrohet dhe nga kushdo që të bëhet ka emërues të përbashkët përgjakjen e njerëzve të pafajshëm, lotët, vuajtjet, shkatërrimet...  

Mustafa Bajrami dhe sorta e tij duhet ta dinë se unë nuk jam asi «demokrati» që do të dëshironin teologët neo-otoman të përkatësisë shqiptare. Unë nuk i aplaudoj sulltanizmit! 

Dr. Mustafa Bajramit po «i pengojnë ata që refuzojnë të tjerët që nuk mendojnë si ata, nuk besojnë si ata, nuk i takojnë fesë dhe medhhebit të tyre». Madje kërkon që kjo dukuri t’u pengojë edhe të tjerëve, sepse sipas tij unë dhe njerëzit si unë «me qëllim e pa asnjë argument fajësojnë teologët musliman shqiptarë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve». 

Është e drejtë e Mustafa Bajramit dhe cilindo njeri të sortës së tij që ta pengojnë qëndrimet tona por është manipulim i kulluar të thuhet se «pa asnjë argument fajësojnë teologët myslimanë shqiptarë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve».  

Sicili teolog i sortërs suaj mund të mohojë faktin se nëpër disa xhami ku xhemati përbëhet kryesisht prej shqiptarëve, u bënë lutje për fitoren e «Sulltan Erdoganit» në luftë kundër myslimanëve kurd në Siri? Ky nuk është argument? Apo mos pretendoni se duatë e tilla qenkan në interes të shqiptarëve? 

Cili teolog i sortërs suaj mund të mohojë faktin se teologë myslimanë shqiptarë kanë fyer publikisht figurat më të njohura shqiptare: shtyllën kryesore të identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, humanisten që e njeh tërë bota, Gonxhe Bojaxhiun e njohur si Nëna Terezë, Ismail Kadarenë, ambasadorin kombëtar të kulturës dhe letërsisë shqiptare? Apo mos pretendoni se fyerjet ndaj tyre qenkan në interes të shqiptarëve? 

Teologët shqiptarë të kësaj sorte shkuan aq larg sa morën edhe funksionin që sipas fesë islame i takon vetëm Allahut: ua caktuan se kush do të shkojë në xhehenem nga këta personalitete shqiptare! Ky nuk është argument? Apo mos pretendoni se një gjë të tillë e bënë në interes të shqiptarëve?  

Ti pohon publikisht se nuk ke lënë pa lexuar «as libër, as ese, as analizë, as shkrim e as fjalë që e ka shkruar Dr. Shefqet Krasniqi, të këtij teologu të proveniencës islamike që tejkaloi përmasat edhe ballkanike dhe arriti të bëhet njëri prej personaliteteve më të shquara në Ligën Botërore të Dijetarëve Myslimanë» dhe bëhesh garant se «ai nuk ka shqiptuar kurrë ama bash kurrë dhe në asnjë moment ndonjë fjalë që bie ndesh me parimet islame». Nëse për ty dhe teologët e sortës tënde trajtimi i humanistes shqiptare me përmasa botërore Nënës Terezë si grua e pamoralshme «që ndërron burrat kur të dëshirojë»  «nuk bien ndesh me parimet islame» atëherë së paku mos e shpallni se ky kualifikim është në përputhje me interesat shqiptare! Nëse për ty dhe teologët e sortës tënde «nuk bien ndesh me parimet islame» kompetencat që ia jep vetes Shefqet Krasniqit për të treguar se vendi i Nënë Terezës është «midis xhehenemit» atëherë po ju them se shumë herët keni filluar të shpërndani «Fetva» për xhenet dhe xhehenem! 

Po të drejtohem ty dhe sortës së teologëve e historianëve neo-otoman se kur aspiratat sulltaniste cenojnë qenien tonë kombëtare, shqiptarët e të gjitha besimeve religjioze do të bëhen bashkë si shqiptarë dhe do t’ua tregojnë vendin e merituar. Rreth kësaj çështjeje nuk kam asnjë iluzion: si në kohën e luftërave të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut që pati pashallarë me origjinë shqiptare të sortës së Ballabanit, edhe në kohën e sotme kjo sortë ka lëshuar rrënjë. Nëse historia do të përsëritet duhet ta dinë teologët neo-otoman se Ballabani mbeti si coftinë në muret e Kështjellës së Krujës, mure që simbolizojnë rezistencën dhe krenarinë tonë kombëtare. Teologët myslimanë shqiptarë të kësaj sorte, që bëjnë si zorra në prush kur ua kritikon «Sulltan Erdoganin», kërkojnë nga ne që të mos i refuzojmë kur ata shajnë figurat më të rëndësishme kombëtare shqiptare!   

Teologët myslimanë shqiptar të kësaj sorte që ne i kritikojmë shkuan aq larg sa indoktrinuan një numër jo të vogël të rinjsh shqiptarë me urrejtje kundër SHBA-ve dhe shteteve të demokracive perëndimore. Ky indoktrinim pati si pasojë atentatin e parë kundër ushtarëve amerikan pas çlirimit të Kosovës (emrin e atentatorit shqiptar nga Kosova në Gjermani nuk po ja përmend sepse e konsideroj si viktimë të kësaj sorte teologësh) kur humbën jetën disa ushtarë amerikanë. Është fakt i pakontestueshëm se si pasojë e këtij indoktrinimi, me qindra shqiptarë shkuan në të ashtuquajturën «luftë të shenjtë» për krijimin e Kalifatit Islamik, dhjetëra prej të cilëve kanë mbetur të vrarë. A nuk janë argument këto që them, kur dihet se edhe drejtësia e ka thënë fjalën e vet për një numër prej kësaj sorte teologësh? Sikur të mos ishin fakte të pakontestueshme Ministria e Drejtësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të kishin nënshkruan një marrëveshje për të angazhuar 20 imamë në programe për të deradikalizuar ekstremistët islamikë që vuajnë dënimet në burgje. Apo mos pretendoni se këta teologë myslimanë shqiptarë nuk kanë punuar kundër interesave të shqiptarëve? 

Dhe në fund, meqë çështja iniciale e konfrontimit tonë publik ishte qëndrimi ndaj ekzekutimit të një vendimi të moçëm të SHBA-ve për ta transferuar ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem po ndalem në një segment të raporteve shqiptaro-hebraike. Dihet botërisht se shqiptarët, të njohur për mikpritje dhe solidaritet, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk dorëzuan asnjë hebre të përndjekur. Pa marrë parasysh relacionet politike dhe diplomatike në mes dy shteteve tona me Izraelin, përpjekja për të kryer një atentat kundër ekipit të kombëtares izraelite, në shtëpinë tonë, është akti i përgatitur nga qarqet më antishqiptare. Fatmirësisht, viktimat e këtij indoktrinimi nuk arritën të kryejnë aktin terrorist që do t’i hidhte hijen më të rëndë imazhit të shqiptarëve. A ka nevojë të shtroj pyetje se në interes të kujt ishte përpjekja më e turpshme për të realizuar një akt të tillë terrorist? Mendoj se jo. 

Kritikat e mia kanë qartësi se ku godasin: ata imamë që kanë qenë në shërbim të shërbimeve sekrete sllave dhe sot kanë hyrë në shërbim të ideve neo-otomane. Edhe pse Dr. Mustafa Bajrami mundohet të fshehë se ku i dhemb, manipulimi i tij është i nivelit aq të ulët sa ajo del qartë nga gjuha dhe terminologjia që përdorë. 

Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (2) 

Akuzat për “anti-islamik”, “komunist” dhe “antidemokrat” janë gjuhë dhe terminologji e shërbimeve sekrete sllave  

Pohimi i Mustafa Bajramit se ai "nuk i ka qëndruar besnik tekstit të shkrimit tim", nuk do të kishte qenë shumë i rëndë, sikur të kishte përdorur një logjikë gjuhësore origjinale. Gjuha dhe terminologjia që përdor ky teolog në reagimin e tij kundër meje janë logjikë gjuhësore dhe terminologji të sajuara në laboratorët e shërbimeve sekrete sllave.  

Meqenëse Mustafa Bajrami dhe bashkëmendimtarët e tij më drejtohen duke kërkuar nga unë "emra konkretë të teologëve shqiptarë myslimanë që punojnë kundër interesave të popullit shqiptar", e shoh të domosdoshme që të përfshij një spektër temash, për të kuptuar drejt qëndrimin tim. Do të ketë edhe emra konkretë të teologëve shqiptarë myslimanë, që ishin rekrutuar nga shërbimet sekrete sllave për të punuar kundër interesave të kombit tonë. Madje atyre do t’u dalin boll, ndërsa besimtarët e devotshëm do të neveriten kur t’i dëgjojnë emrat dhe punët e këtyre lloj teologësh, që janë objekt i kritikave. Kuptohet, nëse nuk i kanë ditur. 

Në fillim e theksoj se një numër hulumtimesh shkencore dhe vepra të fushave të ndryshme kanë argumentuar në mënyrën më të mirë të mundshme se, që nga krijimi i shteteve kombëtare në Ballkan, strategjia serbe ishte fokusuar në shkatërrimin e qenies shqiptare: vrasjet, grabitjet e pasurisë, shkatërrimet, dëbimet, shpërnguljet për në Turqi dhe forma të tjera të dhunës. Sado që do të ishte me interes të trajtohej dhuna antishqiptare gjatë periudhës së sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, po kufizohem vetëm në përmendjen e konkluzionin që del si rezultat i studimeve të shumta: gjatë periudhës historike kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkan, propaganda serbe stigmatizonte shqiptarët si "mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë". 

Pas shpërbërjes së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe krijimit të Jugosllavisë Komuniste, shqiptarët përjetuan të njëjtat tmerre dhe vetëm stigmatizimet ndryshuan. Në kontekst të polemikës që po zhvillojmë, po veçoj një segment të strategjisë serbo-maqedonase për realizimin e objektivave të vet. Edhe pse është fakt i pamohueshëm që Jugosllavia Komuniste nxori nga Platforma e Vasa Qubrilloviqit orientimin që në strategjinë e vet antishqiptare të përfshihen hoxhallarët, unë nuk e kam trajtuar këtë temë deri tani. Për të vetmen arsye, se dhunën dhe terrorin e ushtruar kundër popullit shqiptar e konsideroj si rezultat i vizionit sllav për të pasur "një shtet pa të tjerët". Politika ekspansioniste e pushtimit të territoreve tona dhe politika ekspulsioniste për dëbimin e shqiptarëve janë shtyllat e strukturës ideore që përbëjnë "Vizion serb për hapësirën shtetërore". Përballë një vizioni të tillë, instrumentet e realizimit të këtij vizioni dalin në rend të dytë. Pra, vetëm për këtë arsye nuk e kam trajtuar angazhimin e teologëve myslimanë shqiptarë të instrumentalizuar për realizimin e vizioneve serbe dhe maqedonase.  

Për ata që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë platformën antishqiptare të përpiluar nga akademiku serb Vasa Çubrilloviqi, po nxjerr disa elemente, që na hyjnë në punë për të ndriçuar këtë aspekt të polemikës.  

Pasi konstaton "se për shkak të naivitetit dhe fanatizmit të saj popullata myslimane i nënshtrohet shumë lehtë ndikimit fetar", Vasa Çubrilloviqi u sugjeron autoriteteve shtetërore të Serbisë që, "për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet të bëjnë për vete hoxhallarët dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke i kanosur". Krahas kësaj, Vasa Çubrilloviqi udhëzon që të gjenden agjitatorë, të cilët do ta lëvdojnë Turqinë dhe jetën e atjeshme, të shajnë Kosovën si vend i nëmur, si vend i kryqit, ku rrezikojnë të bëhen shkje, të propagandojnë për shpërnguljen në Turqi, për të ruajtur fenë e kështu me radhë. (Është me interes të lexohet në tërësi ky elaborat antishqiptar, për të parë aplikimin e formave të reja të strategjisë së moçme).   

Meqë kërkohen nga unë argumente për të dëshmuar se teologë myslimanë shqiptarë kanë hyrë në shërbim të politikave antishqiptare, atëherë do ta përfshij edhe këtë aspekt. Të jemi të qartë. Sa i përket këtij aspekti, nuk do të flas për periudhën kur shumica e njerëzve nuk janë gjallë. Do të ndalem vetëm për gjërat që mund të vërtetohen nga dëshmitarët e gjallë, që kanë qenë të implikuar në strategjinë antishqiptare. 

Po tërheq vëmendjen, se njëra nga strategjitë kryesore të shërbimeve sekrete të sllavëve të jugut ishte fshehja e gjurmëve të krimit antishqiptar, propagandimi i parajsës jugosllave, ku gjoja shqiptarët gëzonin të gjitha të drejtat, sidomos ato fetare, dhe zhvendosja e vëmendjes nga gjendja e shqiptarë në Jugosllavi në situatën në Shqipëri.  

Mustafa Bajrami më akuzon se gjoja unë përdor një "gjuhë të formësuar në bungaja të historisë së errët shqiptare, gjuhë me deformime patologjike, gjuhë e periudhës komuniste, gjuhë e njerëzve që s'e duan islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare dhe metodat e njohura serbe për të diskriminuar myslimanët".  

Në vijim të shkrimit tim po sjell për lexuesin disa pjesë të shkrimeve, ku kam pasqyruar qëndrimet e mia rreth këtyre çështjeve, të publikuara për dy dekada rresht. Pasi të kem sjellë këto shkrime, do të kërkoj nga lexuesi të mendojë se cila palë përdor "metodat e njohura serbe": unë apo teologët myslimanë të llojit të Mustafa Bajramit. Kam bindjen e plotë që lexuesi do ta kuptojë se strategji e kujt është, që të më bëjnë përgjegjës për krimet që ka bërë  komunizmi në Shqipëri.  

T’i shohim gjërat si kanë qenë! 

Përkundër asaj që territoret shqiptare nën Jugosllavi u copëtuan në mes Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, logjika e dhunës antishqiptare në thelb mbeti e njëjtë. Megjithatë, kjo dhunë u zbatua në forma që u përshtateshin rrethanave të secilës nga këto tri republika. Për këtë arsye edhe qëndrimet e mia kanë qenë të përqendruara në kontekstet e republikave përkatëse. Po filloj me Maqedoninë, sepse aty kam bërë një përshkrim kronologjik që nga themelimi si Republikë Socialiste në kuadër të Federatës Jugosllave e deri në periudhën pas luftës së vitit 2001. 

Në "Platformën Antidiskriminim të Shqiptarëve në Maqedoni", autor i të cilës jam unë, kam trajtuar edhe këtë aspekt në kuadër të një problematike të përgjithshme. Në përputhje me këtë platformë u botua edhe shkrimi im i titulluar "Kush janë ekstremistët politikë dhe radikalët fetarë në Maqedoni". Përmes këtyre publikimeve tërhoqa vëmendjen se, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, premtimet komuniste për respektimin e së drejtës për vetëvendosje u shoqërua me një dhunë të dyfishtë ndaj shqiptarëve: terror fizik dhe terror psikologjik. Për të sjellë argumente për pohimet e mia, në këto shkrime ndër të tjera thuhet: 

"Që nga shtatori e deri në dhjetor të vitit 1944, nën akuzat e “antikomunizmit ekstrem” u ekzekutuan me mijëra shqiptarë: në Kumanovë dhe rrethina të saj u ekzekutuan mbi 700 shqiptarë; në Shkup dhe rrethina të tij 1400 shqiptarë; në Kampin e Gostivarit, ku kishte mbi 5000 të burgosur, 800 u ekzekutuan, ndërsa një pjesë e madhe vdiqën nga pasojat e torturave; në Kampin e Monopolit të Tetovës, ku kishte mbi 10 000 të burgosur, 1200 shqiptarë u ekzekutuan brenda natës, ndërsa mbi 500 të tjerë i dërguan në Shkup, gjoja për t’i mobilizuar për frontin e Sremit. Asnjëri nuk u kthye që andej. Në Kërçovë, vetëm nga fshati Zajaz u ekzekutuan 320 shqiptarë; në vendbanimet e tjera shqiptare ndodhi e njëjta gjë: vrasje, burgosje, tortura...! 

Këtij terrori fizik iu shtua edhe terrori psikologjik, që konsistonte në paraqitjen e instalimit të komunizmit në trojet shqiptare dhe mosrespektimin e së drejtës për vetëvendosje, si “Çlirim”! 

Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të imponohet si interpretim i vetëm i historisë në të gjitha diskurset publike dhe private në Maqedoni dhe më gjerë. Bartës kryesorë të përçimit të këtij interpretimi të historisë ndër shqiptarët do të jenë disa shqiptarë "të ndershëm", që u integruan në strukturat shtetërore për të trumbetuar për gjysmëshekulli vëllazërim-bashkimin dhe “parajsën jugosllave” të respektimit të të drejtave kombëtare. 

 Trumbetonin me aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “ballistë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”! 

Trumbetonin me po aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “NDSH-istë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”! 

Trumbetuan edhe më tepër kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “nacionalistë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”! 

Trumbetuan po aq zëshëm kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “irredentistë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”! 

Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të trumbetohet edhe pas krijimit të Maqedonisë si shtet i pavarur, por me një ndryshim të vogël: në vend të “ekstremistëve antikomunistë”, shqiptarët u vranë, u burgosën dhe u keqtrajtuan nën akuzën e “ekstremistëve antidemokratë”. 

- Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Bit Pazar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci! 

- Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Gostivar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci! 

- Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Ladorishtë! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci! 

- Vrasje, burgosje, tortura... në Kollare të Kërçovës! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci! 

Pos vrasjeve, burgosjeve, keqtrajtimeve, shkatërrimit të gjurmëve ilire, diskriminimit kulturor dhe etnik të shqiptarëve, periudha komuniste në Maqedoni, në synimin për asgjësimin fizik dhe kulturor të shqiptarëve, lidhet edhe me religjionin.  

Komunistët e kësaj republike jugosllave krijuan Kishën Ortodokse maqedonase, e cila sot e kësaj dite nuk njihet si kishë autoqefale nga asnjëra qendër e ortodoksisë (as nga Patrikana e Rusisë e as nga Patrikana e Stambollit).  

Në koordinim të plotë me politikën komuniste të Maqedonisë,  Kisha Ortodokse maqedonase përcaktoi si orientim parësor vënien nën kontroll të kishave ortodokse të frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks. Aplikimi i këtij orientimi strategjik pati si rezultat që sot, pas gjashtë dekadave të kësaj politike, askush nuk mund të japë një përgjigje se sa shqiptarë ortodoksë kanë ruajtur identitetin e vet kombëtar në Maqedoni. Pak, për të mos thënë hiç! 

Orientimi i dytë strategjik i Kishës Ortodokse maqedonase ishte humbja e të gjitha gjurmëve të katolicizmit shqiptar në Maqedoni. 

Për realizimin e këtij qëllimi u zbatua sistematikisht dëbimi, shpronësimi dhe asimilimi i shqiptarëve katolikë, si dhe vendosja e kontrollit shtetëror mbi kishën katolike. Koordinimi i politikës ekstreme me fondamentalizmin religjioz e lanë Kishën Katolike Shqiptare në Maqedoni pa meshë në gjuhën shqipe dhe emëruan, për herë të parë, një maqedonas (Kiro Stojanov) në krye të saj.  Me këtë edhe është bërë shndërrimi i kishës katolike shqiptare e ritit romak në kishë katolike të ritit bizantin të Lindjes dhe Dioqeza e Shkupit, historikisht e njohur si Kryedioqeza e Dardanisë, është vendosur nën Kryedioqezën e Vërhbosnies me seli në Sarajevë. Po rikujtojmë se Andrea Bogdani (gjyshi i Pjetër Bogdanit, figurës së shquar të historisë shqiptare), ishte kryepeshkopi i parë, ndërsa Mark Sopi i fundit i Dioqezës së  Shkupit, deri në ndarjen e saj nga ajo e Prizrenit në vitin 2000.  

Me projektin e ndërtimit të Kishës Ortodokse maqedonase mbi themelet e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës, simbolit të katolicizmit shqiptar) dëshirohet t’i jepet fund këtij objektivi strategjik.  

Të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman, orientim i veçantë strategjik i kësaj kishe ishte koordinimi me strategjinë politike të komunistëve për  pushtimin e shumicës dërmuese të pronave të Bashkësisë Fetare Islame, rrënimin e xhamive dhe objekteve të tjera të kultit fetar dhe përpjekja për t’i asimiluar shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale të quajtur “MAKEDONSKI MUSLIMANI”! 

Lufta Globale kundër fondamentalizmit islamik "ka trimëruar" Kishën Ortodokse maqedonase të ndërmarrë një fushatë të “pyllëzimit” të territoreve, që ende kanë mbetur me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase! Në të njëjtën kohë, jo vetëm që nuk lejohet ndërtimi i Xhamisë së Çarshisë të djegur në vitit 2001 në Prilep, por as nuk lejohet falja e xhumasë në oborrin e kësaj xhamie. 

Përveç të gjitha formave të lartpërmendura të dhunës, periudha komuniste në Maqedoni karakterizohet edhe me politikën e ndërrimit të strukturës së popullsisë. Vetëm gjatë kësaj periudhe u shpërngulën për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe në Europë mbi 38 000 shqiptarë nga rrethi i Manastirit, mbi  80000 shqiptarë nga rrafshi i Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, me dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë nga rrethi i Velesit, Prilepit, Prespës, Ohrit, Strugës, Kërçovës, Dibrës, Shkupit dhe Kumanovës. Në të njëjtën kohë, territoret shqiptare u kolonizuan me sllavë të ardhur nga disa shtete të Europës Lindore. 

U deshën të kalojnë më shumë se pesë dekada, që shqiptarët e Maqedonisë të flakin sintagmën “PAS ÇLIRIMIT” dhe t’i përgjigjen apelit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për t’u çliruar. 

Nga të gjitha pasojat e luftës arritëm një rezultat: PARIMET THEMELORE TË JAJCËS u zëvendësuan me PARIMET THEMELORE TË MARRËVESHJES SË OHRIT. Kjo për të ruajtur Maqedoninë unitare! 

Bilanci është i ngjashëm! 

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës së “komunizmit sllavo-maqedonas”, disa shqiptarë  "të ndershëm"  u integruan në strukturat e Republikës Socialiste të Maqedonisë për të trumbetuar për gjysmëshekulli “vëllazërim-bashkimin” dhe luftën kundër: 

 - “ekstremizmit antikomunist shqiptar”,  

- “ekstremizmit nacionalist shqiptar”,  

- “ekstremizmit irredentist shqiptar”! 

Në mënyrë të njëjtë, pas Luftës së UÇK-së kemi integrimin e “shqiptarëve të ndershëm” në strukturat e shtetit maqedonas për të ruajtur “bashkëjetesën ndëretnike” nga “ekstremizmi shqiptar”, nga “terrorizmi shqiptar”. 

Për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, analogjia e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së UÇK-së është kuptimplotë: iu premtua vetëvendosja dhe liria dhe këto premtime nuk u realizuan as pas Luftës së Dytë Botërore e as pas Luftës së UÇK-së; shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së UÇK-së u vranë e po vriten, u burgosën dhe po burgosen, u torturuan e po torturohen, u diskriminuan e po diskriminohen...!  

Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Sopot, Brezë, Tanushë, Vaksincë, Brodec, Haraçinë, Radushë ...! “PAS ÇLIRIMIT” ! Në demokraci! 

Dhuna dhe terrorizmi i regjimit të Maqedonisë nuk ka të ndalur. Sikurse dikur, ashtu edhe tani! Monstrumët qeveritarë të Shkupit terrorizojnë shqiptarët! Tani nën akuzën e “radikalizmit islamik shqiptar”! 

Fatkeqësisht, sikurse në të kaluarën, edhe tani të njëjtit “shqiptarë të ndershëm” apo pjella e tyre politike dhe mediatike, valëvisin akuzat e sajuara në kabinetet antishqiptare sikur të ishin realitete! 

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas, që herë nën petkun e komunizmit, e herë të veshur me kostumin e demokratëve vranë, torturuan, burgosën, dënuan dhe dëbuan me qindra mijëra shqiptarë nga trojet e veta etnike, janë vërsulur për të dëshmuar se ekstremizmi shqiptar paraqet rrezik për Maqedoninë dhe rajonin!  

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas që përvetësoi kishat e frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks dhe asimiluan shumicën absolute të shqiptarëve të këtij besimi në kombin e krijuar nga komunistët jugosllavë e që mbajnë emrin "maqedonas"!  

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas, që përvetësoi Kishat Katolike të frekuentuara nga shqiptarët katolikë! 

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas dhe fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas, që u përpoqën të asimilojnë shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale “MAKEDONSKI MUSLIMANI”! 

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, janë mobilizuar dhe si qen të tërbuar janë vërsulur për të dëshmuar se shqiptarët “radikalë islamikë” janë rrezik për Maqedoninë, Ballkanin, NATO-n dhe krejt botën!  

Si dëshmi për të argumentuar tezat e tyre sjellin fotot e disa flamujve turq e arab në mesin e mijëra flamujve shqiptarë në protestat antiqeveritare dhe thirrjen "Allahu Ekber", që u dëgjua disa herë në protesta. 

Të dashur shqiptarë kudo që jetoni! Sidomos ju që nuk e njihni realitetin tragjik në këtë shtet ku aplikohet regjimi terrorist kundër shqiptarëve! 

 - Në shtetin e Maqedonisë jetojnë edhe qytetarë që identifikohen si turq, të besimit islam, që në tubimet politike dhe kulturore dalin me flamuj të Turqisë. Mund të ketë edhe individë që identifikohen me flamuj të shteteve arabe! 

 - Në të gjitha xhamitë që ende nuk janë rrënuar nga ekstremizmi politik sllavo-maqedonas dhe fondamentalizmi ortodoks sllavo-maqedonas PESË HERË NË DITË thirret ezani! Dhe për ata që nuk e dinë, ezani fillon me "Allahu Ekber"! 

Të gjithë e dimë se as prania e flamujve e as thirrja "Allahu Ekber!" në vetvete nuk përbëjnë ekstremizëm politik apo radikalizëm fetar! 

Të gjithë e dimë se në shtete të ndryshme të botës, në Ballkan dhe në Maqedoni, ka ekstremizëm politik dhe fondamentalizëm fetar!  

 Të gjithë e dimë se gjatë protestave, në të shumtën e rasteve, ky ekstremizëm shprehet me brohoritjet “VDEKJE AMERIKËS!” “VDEKJE NATO-s!”, si dhe me djegien e flamurit amerikan! Këto skena i kemi parë shumë shpesh! I kemi parë në shtete të ndryshme të botës në të njëjtën mënyrë si edhe në Maqedoni! Por jo nga “ekstremistët politikë shqiptarë” e as nga “radikalët islamikë shqiptarë”! 

Protestat antiqeveritare që shprehën revoltën e popullit kundër proceseve të montuara gjyqësore ishin paqësore, të drejta dhe demokratike! Aty, krahas dominimit të flamurit kombëtar shqiptar, dominoi edhe flamuri amerikan dhe flamuj të tjerë dhe nuk u dogj asnjë flamur i asnjë shteti! 

Dhe në fund të shkrimit tim "u bëhet thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen e që nuk konsiderohen “të ndershëm” nga armiqtë tanë, se duhet të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik antishqiptar dhe fondamentalizmit ortodoks në Maqedoni, që paraqesin gjeneratorin e krizave të vazhdueshme politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe fetare në këtë pjesë të Europës!".  

Secili lexues mund të shohë se në qëndrimet e mia të publikuara për dy dekada rresht ka një koherencë intelektuale për të ngritur zërin kundër të gjitha formave të dhunës që janë bërë ndaj shqiptarëve myslimanë, katolikë dhe ortodoksë nga ekstremizmi politik maqedonas dhe fondamentalizmi ortodoks në këtë shtet. (Për pasojat e ekstremizmit politik të Beogradit dhe fondamentalizmit ortodoks në Serbi do të flas në pjesën që vijon). 

Të gjithë lexuesve të besimit islam u kërkoj të lexojnë edhe një herë qëndrimet e mia lidhur me revoltën time kundër diskriminimit që u është bërë shqiptarëve në Maqedoni. Secili lexues do të bindet se, përveç "hoxhallarëve komunistë", askush nuk mund ta cilësojë si "anti-islame" revoltën time për shpronësimin e Bashkësisë Fetare Islame, rrënimin e xhamive dhe dëbimin e shqiptarëve myslimanë. (Për "hoxhallarët komunistë" do të flas në pjesën e katër të shkrimit tim). Përveç "hoxhallarëve komunistë", askush tjetër nuk mund ta cilësojë si "anti-islam" arsyetimin tim, se në Maqedoni nuk ka "radikalë islamikë shqiptarë" dhe se ky nocion është shpikje e shërbimeve sekrete sllave për t’i njollosur shqiptarët. Asnjë njeri i logjikshëm nuk mund ta cilësojë si "anti-islam" konstatimin tim, se në Maqedoni ka radikalizëm fetar e ai është "fondamentalizmi ortodoks". Përveç "hoxhallarëve komunistë", askush tjetër nuk mund ta cilësojë si "anti-islam" qëndrimin tim, se thirrja "Allahu Ekber!", në vetvete, nuk përbën radikalizëm fetar! 

Cila gjuhë dhe terminologji që përdor unë për të denoncuar dhunën e ushtruar kundër shqiptarëve në Maqedoni mund të cilësohet si "gjuhë komuniste, gjuhë me deformime patologjike, gjuhë e njerëzve që s'e duan islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare"? Cilën metodë paskam përdorur unë e që mund të kualifikohet si "metodë serbe për të diskriminuar myslimanë"?  

Nga kronologjia e shkurtër e stigmatizimit të shqiptarëve që u përmend më lart, secili lexues e kupton se shërbimet sekrete sllave përdornin etiketimin e shqiptarëve me ideologjitë, që në kontekste të ndryshme historike perceptoheshin keq nga opinioni publik ndërkombëtar dhe ai vendor, për të justifikuar dhunën. Këtu qëndrojnë arsyet që shpjegojnë faktin pse dënoheshin shqiptarët herë si "nacionalistë", herë si "antikomunistë", herë si "komunistë stalinistë", herë si "antidemokratë", herë si "terroristë islamikë" e kështu me radhë. Kjo metodë serbe shpjegon arsyet pse pjella e komunistëve të djeshëm dhe argatëve të tyre që vijnë nga të gjitha drejtimet profesionale dhe religjioze akuzojnë atdhetarët si "komunistë" dhe "antidemokratë! 

Çdo lexues e ka të qartë se stigmatizimi që më bën Mustafa Bajrami, duke më etiketuar si "komunist", si "antidemokrat", si "anti- Turqisë", si "anti-islamit", nuk ka asgjë origjinale të këtij teologu. Gjuha dhe terminologjia që është përdorur kundër meje është kopje e metodave serbe për njollosjen e shqiptarëve. Kjo është një plagjiaturë e kulluar nga "Libri i Bardhë" i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.  

Kjo kopje e shëmtuar e metodës serbe për të më njollosur, e degradon titullin akademik që i ka vënë emrit të vet përpara Mustafa Bajrami. Ai intelektual që ka pak dinjitet, do të shpërndante gënjeshtrën se gjoja "i madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një antidemokrat i përbetuar". 

Çdo intelektual që ka qenë i interesuar për ta kuptuar strategjinë që kanë përdorur shërbimet sekrete sllave kundër shqiptarëve, ka pasur mundësi të bindet se, me qëllim që të njollosen udhëheqësit e UÇK-së në Kosovë, se gjoja i përkisnin ideologjisë së ekstremit të majtë dhe rrjedhimisht luftonin për ta kthyer komunizmin në Kosovë, më shumë se gjysma e "Librit të Bardhë", të përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe të shpërndarë në fillim të luftës në vitit 1998, i kushtohet prezantimit tonë si "komunistë-marksistë-leninistë-stalinistë-enveristë" dhe si "antidemokratë të përbetuar". 

Këtyre gënjeshtrave nuk u besuan shtetet demokratike dhe na hapën dyert e qendrave diplomatike me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne nuk kemi pasur as moshën e as nuk kemi jetuar në Shqipëri për të qenë komunistë të vendit amë.  

Prandaj, secili që ka lexuar "Librat e Bardhë", që ishin përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë, me qëllim që të NXININ shqiptarët, do të bindej që akuza e mësipërme e Mustafa Bajramit kundër meje duhet të formulohet kështu: I madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti dhe shokët e tij janë akuzuar si "komunistë" dhe "antidemokrat" nga Shërbimi Sekret Serb!  

Pa marrë parasysh përkatësinë dhe bindjet religjioze, është turp për çdo njeri që i thotë vetes "shqiptar", të plasojë në opinionin publik shqiptar sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë për të njollosur ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe prej tyre. 

(Vijon shkrimi “Bashkësia Fetare Islame dhe Shërbimet Sekrete Jugosllave”) 


    Data: 30 Maj 2018 17:40
    Autori: Bardhyl Mahmuti

    Të tjera