Kthehu lart

Shoqëri e dështuar me pajtimin dhe me kontributin e shumicës

Shoqëri e dështuar me pajtimin dhe me kontributin e shumicës Autori: Milazim Krasniqi GazetaExpress

Shumica vazhdimisht dhe gjithkund janë ata që janë pajtuar që të jetojnë në një shoqëri të pamoralshme, në një shoqëri të padrejtë, në një shoqëri konsumeriste e hedoniste, në një shoqëri parazitare. Po të mos ishte kjo kontratë okulte sociale, gjendja nuk do të ishte kështu si është dhe e tendencë që vitin 2018 të përkeqësohet edhe më shumë.

Shoqëria jonë, për aq sa është shoqëri, është e dështuar, si pasojë e pajtimit të shumicës që ta bëjnë të tillë. Pra, dështimi është rezultat logjik i mënyrës se si sillemi  në të e ndaj saj, e jo si deklarohemi.  Bile sa i përket deklarimit, ai është saktësisht e kundërta e realitetit, sepse secili pjesëtarë i kësaj shoqërie me të drejtën e fjalës, e pakta në internet, betohet solemnisht se punon me përkushtim e dashuri për këtë shoqëri, për këtë shtet  dhe për integrimin e tij euro-atlantik, madje edhe për barazi e drejtësi. Por, deklarimi solemn e zbulon hipokrizinë e folësve, sepse gjendja dramatike e shoqërisë sonë flet vetvetiu. 

Edhe në këtë fundvit mund t’i evokojmë se si janë deklaruar e si deklarohen në raste e ngjarje të ndryshme përfaqësuesit e ndryshëm të institucioneve, të asociacioneve, të shoqatave, të grupimeve, po edhe të individëve dhe t’i krahasojmë se si është gjendja reale në fushat për të cilat ata flasin me aq optimizëm. 1. Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ata të Ipeshkvisë së Kosovës, jo vetëm në festa po në çdo rast deklarohen plot pasion mbi dashurinë, vëllazërinë, solidaritetin, tolerancën, miëkuptimin e drejtësinë shoqërore me snesh. Recitimet e tyre lënë përshtypjen se ata tashmë nuk besojnë as vetë në fjalët që i shqiptojnë aq bujshëm e aq solemnisht. Shoqëria jonë nuk i ka përvehtësuar fare vlerat e dashurisë, vëllazërisë, solidaritetit, tolerancës, mirëkuptimit e drejtësisë shoqërore, për të cilat ata deklamojnë. E kundërta është e vërteta e realitetit tonë shoqëror: në shoqërinë tonë po dominon urrejta, grindja, smira, shpifja dhe pabarazia. Pra, angazhimet e bashkësive fetare ose janë joefikase ose janë të pasinqerta. Ndryshe, këtë rezultat dëshpërues nuk do të duhej ta kishin angazhimet dhe mesazhet e tyre. Indiferenca e pasuesve të tyre -besimtarëve, është dëshpëruese, sepse ata formalisht miratojnë me kokë mesazhe, ndërsa në veprime konkrete nuk duket se dallojnë esencialisht nga pjesëarët e tjerë të shoqërisë, që nuk udhëhiqen nga ato vlera sublime të besimeve fetare.

2. Përfaqësuesit e punëtorisë, ndonëse flasin më rrallë, se sa hoxhallarët e priftërinjtë, sa herë flasin, të shkaktojnë kokëdhembje. Janë të padijshëm dhe të pasinqertë. Ata flasin gjëra të mjegullta, ndërsa gjendja konkrete e punëtorisë në vendin tonë është skajshmërisht dëshpëruese: pa sigurime shëndetësore, të shumtët pa kontrata kolektive, pa mbrojtje në vendin e punës, pa kompensimin e shujtës dhe të udhëtimit. Pothuajse pa asgjë, argashti hesapi. Ndërsa, vetë punëtoria është e heshtur, apatike, nuk ndihet gjallë. Nuk ndihet gjallë as për 1 maj, kur në shumë vende të botës punëntorët të paktën protestojnë. 

3.Në universitetet tona publike e private momentalisht ka më shumë se 100.000 studentë. Ata studojnë në kushte të vështira, pa libra në gjuhën e studimit, pa programe adekuate me tregun e punës në vend dhe në kontinentin tonë, pa reforma që do t’i bënin programet konkuruese ndaj universiteteve të ngjashme në Evropë. Meqë gjendja është shumë e keqe, gjithë ky kontigjent kolosal i të rinjve, do të duhej të ishin më të organizuar për të ndryshuar gjendjen, ku janë katandisdur universitetet tona.Por ata kanë bërë të kundërtën: i janë përshtatur skemës së shndërrimit të universiteteve në strehimore ku ata futen për ta blerë qeveria paqen sociale. Bashkë me mësimdhënësit e tyre, ata e durojnë injorancën e politikanëve të padijshëm e të pamoralshëm, e durojnë peshën e një sistemi arsimor të dështuar. Faktikisht, edhe ata vetë janë pjesëmarrës aktiv në dështimin e sistemit dhe të të gjithë shoqërisë. 

4. Pjesë e koncensusit të heshtur për dështimin e shoqërisë sonë janë pa dyshim edhe elitat intelektuale. Përderi sa në gjendjen e tmerrshme të okupimit serb mbi Kosovën, të viteve nëntëdhjetë, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës u bënë artikuluesit më autentikë të interesave të shoqërisë e të vendit, sot në liri e ke zor ta gjesh një shkrimtar që shfaq opinionet e veta kritike, jo vetëm për gjendjes në shoqëri, po edhe për gjendjen katastrofale në fushën e botimeve, të kulturës në përgjithësi. Nuk mund të gjesh as piktorë, muzikologë, regjisorë, arkitektë, që janë si duhet të organizuar dhe që paraqesin opinione për gjendjen në fushat e tyre. Sa u përket institucioneve të tipit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, instituteve e muzeve, gjendja është edhe më e keqe. Të gjitha i ka pllakosur heshja, indiferenca, koketimi. 

5. Një rol në dështimin e shoqërisë e ka edhe diaspora. Në vend se të organizohej e të bënte presione me projekte për investime, ajo ka parapëlqyer gjithë këto vite që të organizojë dasma të kushtueshme, të sigurojë dru e pastërma për familjarët, të blejë banesa në të cilat nuk banon askush dhe të ankohen vajtueshëm pse ka vonesa në pikat doganore me Serbinë. Natyrisht, të gjitha ankesat e saj bien edhe më tutje në vesh të shurdhër të qeverisë e të institucioneve, sepse kjo diasporë, me shumicë, dërrmuese është folklorike, anakronike dhe provincialiste. 

6. Fshatarësia jonë, përveç rasteve të pakta, është bërë shembull i parazitizmit dhe i ankesave infantile për gjithçka. Një pjesë e madhe e tokave të vendit mbeten djerrë, sepse ata, deri sa pinë çaj rusi duke mbajtur këmbën mbi këmbë, thonë në kor: “nuk ka hesap me e punue token!” Prandaj, as ata nuk mund të dalin nga varfëria, ndërsa vendi harxhon miliona euro në importimin e grurit, mishit, qumështit, pemëve e perimeve. Pra, edhe në këtë rast ekizston një pajtim i heshtur ndërmjet qeverisë dhe fshatarëve tanë: qeverisë dhe karteleve të ndryshme u leverdis që të ketë sa më pak prodhim vendor e sa më shumë import, sepse ashtu e mbushin arkën nga doganat, si ehde xhepat e tyre, ndërsa fshatarëve u leverdis që qeveria nuk bën asgjë për ta, sepse ashtu kanë arsye të ankohen te familjarët në diasporë dhe të vazhdojnë të jetojnë nga “ndihmat e jashtit.” Po të kishte qeveria plan për zhvillimin e bujqësisë, e pakta që do të duhej të bënte, do të duhej t’u vinte gjoba atyre që nuk e punojnë tokën.

8. Shumica e mjekëve janë pajtuar që ta dështojnë shëndetësinë. 

9. Shumica e prokuroërve dhe gjyqtarëve janë pajtuar ta dështojnë sistemin e drejtësisë. 

10. Shumica e policiëve janë pajtuar ta dështojnë sigurinë publike. 

11. Si qershia mbi tortë, kjo elitë politike definitvisht është pajtuar që ta dështojë shtetin e Kosovës dhe po punon me entuziazëm në këtë drejtim. Faktikisht edhe tendencat abuzive të grupimeve të tjera, janë të frymëzuara, të inkurajuara e të lejuara prej saj dhe qeverive që dalin prej gjirit të saj. Natyrisht në të gjitha komunitetet dhe grupet shoqërore që u përmenden, ka njerëz të ndershëm e punëtorë. Por ata janë pakica e papërfillshme. Shumica vazhdimisht dhe gjithkund janë ata që janë pajtuar që të jetojnë në një shoqëri të pamoralshme, në një shoqëri të padrejtë, në një shoqëri konsumeriste e hedoniste, në një shoqëri parazitare. Po të mos ishte kjo kontratë okulte sociale, gjendja nuk do të ishte kështu si është dhe e tendencë që vitin 2018 të përkeqësohet edhe më shumë. 

E sigurt është që në instalimin e këtij modeli të dështuar të shoqërisë sonë, ka ndikimin e vet politika e padrejtë dhe shumë hileqare e Bashkimit Evropian, i cili me izolimin që ia ka imponuar Kosovës, e ka lehtësuar kapjen e shtetit nga grupet e fuqishme politike e ekonomike me precedentë kriminalë. Gjithsesi ndikim në këë gjendje ka edhe Serbia me politikat e sa të diversionit konstant ndaj stabiltetit dhe ekzistencës së këtij shteti të brishtë e të papërfunduar. Por, këta janë agjens të jashtëm, në vullnetin e të cilëve e nuk mund të ndikojmë direkt. Ata mbeten mospërfillës e armiqësorë, për kalkulimet e veta, por ne ua lehtësojmë zbatimin e tyre. 

Kjo është gjendja e shoqërisë dhe e shtetit tonë në fundvitin 2017, pra një shoqëri e dështuar me pajtimin e shumicës. Personalisht kam frikë se gjendja është pa gjasa për ndonjë përmirësim në vitin 2018. Pse? Sepse siç ka thënë Faik Konica: “shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh!” Pra, thjesht ne e refuzojmë mësimin, e refuzojmë korrigjimin, e refuzojmë përmirësimin. Siç ka thënë Mid’hat Frashëri, jemi popull kotsidashës. 

    Data: 31 Dhjetor 2017 12:08
    Autori: Milazim Krasniqi

    Të tjera