Kthehu lart

Më përpara Bondsteel e rrëzon qeverinë, sesa ikën për shkak të taksës

Më përpara Bondsteel e rrëzon qeverinë, sesa ikën për shkak të taksës GazetaExpress

Më shumë ka gjasa që një ditë të bukur trupat amerikane të nisen drejt Prishtinës, ta rrëzojnë qeverinë e Kosovës, ta heqin taksën, ta rivendosin rendin dhe qetësinë në vend, sesa ta fusin bishtin nën shalë dhe të ikin nga këtu në panik duke thënë "shqiptarët na dolën dorësh, prandaj po ikim, sepse nuk na mbetet zgjidhje tjetër". Ata mund të largohen për arsye të tjera.

Kushdo që beson që kampi "Bondsteel" është ndërtuar gjatë pasluftës për t'i mbrojtur shqiptarët nga Serbia, ose serbët e Kosovës prej shqiptarëve, atëherë, së paku për momentin, e meriton çmimin e idiotit të vitit në fushën e analizave gjeostrategjike. Viti është shumë i gjatë dhe është e pamundur të parashikohet nëse ky çmim do t'i rezistojë kohës. Për momentin gjasat duken të mira.

Kjo nuk do të thotë assesi që amerikanët një ditë nuk do të tërhiqen prej Bondsteelit dhe prej Kosovës, sepse edhe Roma një ditë ishte tërhequr, e edhe Perandoria Osmane, sepse bota është dinamike, por ajo që dëshiroj të them unë është që ata nuk do të tërhiqen për shkak të një takse, e as për shkak të asnjë vendimi kundërthënës të qeverive të Kosovës, tash e as në të ardhmen. Fakti që brenda një fjalie gjenden amerikanët, romakët dhe osmanët, nuk është kurrfarë tendence për barazimin e tyre, është thjesht një perspektivë. Por të kthehemi te tema.

Më shumë gjasë ka që një ditë të bukur trupat amerikane të nisen drejt Prishtinës, ta rrëzojnë qeverinë e Kosovës, ta heqin taksën, ta rivendosin rendin dhe qetësinë në vend, sesa ta fusin bishtin nën shalë dhe të ikin nga këtu në panik duke thënë "shqiptarët na dolën dorësh, nuk kemi çfarë kërkojmë ne më në Kosovë, prandaj po ikim, sepse nuk na mbetet zgjidhje tjetër". Le ta përmend dikush një rast që amerikanët janë tërhequr nga një vend, ku banorët lokalë nuk e kanë hedhur asnjë gur në drejtimin e tyre. Ata në fakt nuk tërhiqen as nëse banorët lokalë hedhin - jo vetëm gurë - në drejtim të tyre. Ushtarët amerikanë janë në një territor jo për arsye romantike ose dashurore, por për arsye të interesave strategjike të tyre. Dhe këtë "interesa" nuk do të doja që askush ta lexonte në trajtën banale të fjalës, ose në trajtën që përdoret në jetën tonë të përditshme. Në këtë rast, deri para ardhjes së Trumpit në pushtet, me interesa amerikane nënkuptohej mbajtja larg e Rusisë prej një territori të caktuar, organizimi i zgjedhjeve të lira në një territor të caktuar, respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve në një territor të caktuar. Me fjalë të tjera, interes dhe qëllim amerikan ka qenë demokratizimi i rajoneve të botës, që ishte e kundërta e asaj që garantonte Kina dhe Rusia, si dy forcat tjera të mëdha botërore. Ndër vite, këtë e pranojnë edhe vetë amerikanët, është abuzuar në këtë drejtim, posaçërisht në rajone në fqinjësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku janë rrëzuar pushtete dhe instaluar pushtete duke mos e respektuar votën e lirë dhe vullnetin qytetar. Mirëpo as këto raste, si Nikaragua dhe Kili, nuk mund të trajtohen krejtësisht si bardh dhe zi. Ja për shembull Kuba, ose tash së fundi edhe Venezuela, shtete këto që i mbijetuan 'imperializmit' amerikan nuk është që po e çudisin botën për të mirë. Përkundrazi.

Nuk e di as vetë përse shkova kaq larg, sepse nëse nuk gaboj, po flisnim për taksën dhe Bondsteelin. Ah po, kur Trumpi erdhi në pushtet, ai erdhi aty duke premtuar tërheqjen e trupave amerikane nga pjesë të ndryshme të botës, si bie fjala Siria, Afganistani, Iraku, ku ushtarët amerikanë po vriten për çdo ditë. Mirëpo Trumpi, në momente të delirit të tij, kishte thënë që do t'i tërhiqte trupat amerikane edhe nga bazat e tyre në Kore të Jugut dhe Japoni, sepse sipas tij, këto dy shtete nuk po bënin asgjë për SHBA'në, e cila po u ofronte atyre sigurinë, në mes të tjerash, nga Koreja Nukleare Veriore, por edhe nga Kina dhe Rusia. Është e kotë tash të provoj të sqaroj përse kjo ishte një qasje qesharake, sepse përpara meje, e shumë më mirë sesa unë, këtë e kanë bërë amerikanët. Mirëpo shpjegimi më i thjeshtë ishte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i ofruar siguri Japonisë dhe Koresë, i kanë ofruar siguri Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe interesave të tyre ekonomike. Japonia dhe Koreja, të dyjat, nuk janë jashtë sistemit tonë diellor. Madje mendohet që Koreja Veriore ka zhvilluar kapacitete nukleare të cilat do të mund ta preknin territorin e SHBA've.

Pra, në krye të herës strategjia e Trumpit ishte tërheqja e trupave amerikane, pa marrë parasysh nëse qeveritë e tyre vendosin taksa ose nuk vendosin. Ishte thjesht një premtim i tij elektoral, që ai zotohet që do ta mbajë. Përpjekja e parë serioze për implementimin e këtij vendimi është vendimi për t'u tërhequr nga Siria, hap ky që nxiti shtrëngatë në Pentagon. Ministri i Mbrojtjes, Jim Mattis, u shkarkua/dha dorëheqje, për shkak të këtij hapi. Hapi i dytë duket të jetë Afganistani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në fazën finale të negociatave me talibanët, prej të cilëve po kërkojnë garanci të plota që nuk do të përfshihen në akte terroriste kundër SHBA've në këmbim të largimit të ushtarëve të tyre prej atij territori.

Dhe siç po e shohim, as nga Siria, as nga Afganistani, por as nga Japonia dhe Koreja e Jugut, SHBA-ja nuk i tërheq ushtarët përse ata, ose qeveritë e tyre, e bëjnë këtë ose atë veprim. Trump po punon me një "excel" përpara vetes: Sa fitojmë dhe sa humbim prej pranisë sonë në atë shtet, ose në atë rajon? A më shumë fitojmë a humbim? Ka mundësi që të gjitha këto përllogariten pastaj edhe me jetët e humbura të ushtarëve versus profitit, ose versus sigurisë nacionale amerikane. Kështu, ka mundësi që është vlerësuar se në Siri nuk ia vlen asnjë jetë e humbur, sepse aty SHBA-ja nuk ka as interes financiar, e as nuk po mbrohet siguria e SHBA've, meqë forcat e ISIS'it janë në grahmat e tyre të fundit. E njëjta logjikë ka mundësi që po dominon edhe për Afganistanin, ku SHBA-ja për çdo vit po humb rreth 50 miliardë dollarë, në mënyrë që t'i mbajë forcat e tyre në atë territor. Nëse po konsiderohet që rreziku nga Al Qaeda është zvogëluar, kurse përfitime financiare nga ky shtet nuk ka, atëherë Trump, në kapacitetin e një CEO, me "excel" në dorë, ka mundësi që ka vendosur t'i kursejë ata miliarda dollarë.  

Si duket prapë shkova shumë larg, sepse këtë shkrim e nisa për shkak të rrezikut të mbylljes së bazës amerikane "Bondsteel", si pasojë e taksës ndaj mallrave serbe. Apo ndoshta ia vlejti barra qiranë. Nga gjithë kjo çfarë lexuat, a duket që trupat amerikane tërhiqen për arsye të tilla?

Trump e ka kërcënuar Japoninë dhe Korenë e Jugut që do t'i tërheqë forcat amerikane nëse këto dy shtete nuk paguajnë për sigurinë e tyre. Trump thotë që do të tërhiqet nga Siria dhe Afganistani sepse SHBA-ja po humb miliarda dollarë, po humb mijëra jetë njerëzish, duke mos marrë asgjë në shkëmbim.

Është absurde të mendohet që në rastin tonë do të vlejnë rregulla të tjera. Siç thotë Einstein, "ligjet e fizikës që vlejnë këtu te ne në Tokë, vlejnë njëjtë kudo në Univers". E njëjta mund të thuhet për rregullat e përcaktuara nga Presidenti Trump. Ajo që vlen për Korenë, Japoninë, Sirinë, nesër edhe për Estoninë, Lituaninë, Gjermaninë, vlen edhe për Kosovën. Këto janë rregulla të reja të cilat duhet t'i mësojmë, na pëlqyen apo nuk na pëlqyen. Secili prej nesh ndodh që do ta pyesim veten: a është ky interes amerikan? Fatkeqësisht, dikush tjetër për momentin paguhet për t'i mbrojtur interesat amerikane. Derisa një ditë ndoshta nuk do të paguhet.

Deri në atë ditë ne mund të ngushëllohemi, prapë, me gjeniun më të madh të të gjitha kohërave, Albert Einstein, i cili thotë se "dy gjëra janë të pafundme: Universi dhe budallallëku njerëzor; dhe unë nuk jam i sigurt për Universin".

    Data: 03 Mars 2019 12:46
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera