Kthehu lart

Ai vetëm këtë di, të të kapë për krahu

Ai vetëm këtë di, të të kapë për krahu Autori: Arben Idrizi GazetaExpress

Duke kapur për krahu: e ka ndarë fondin e sigurimeve shëndetësore për një bandë kriminelësh; e ka larguar Bordin e Agjencisë së Akreditimit; ua ka falur borxhet bizneseve; ia ka rritur rrogën vetes dhe të vetëve për njëqind për qind; e ka çuar në 80 numrin e zëvendësministrave; ia ka dhënë plus 53 milionë euro kompanisë Bechtel & Enka. Duke kapur për krahu: do të vazhdojë të qeverisë

Më vjen të them: «E kemi thënë kaq e kaq herë se...», mirëpo është një shprehje tepër e rrezikshme, në pretendimin e saj gjithëpërfshirës. Jo se nuk e kanë menduar e thënë përnjëmend një pjesë e konsiderueshme, publikisht. Sidoqoftë, për të qenë më korrekt, dua të them: «E kam thënë kaq e kaq herë të tjera se kryeministri ynë i tanishëm është një bandit i rëndomtë». Tash, çka ka jo të rëndomtë, është se fati (ose çkado që të jetë ajo që përndryshe i japim këtë emër) ka bërë që ky të jetë sot kryeministër, e banditët e tjerë janë kush në burg, kush në pritje për të përfunduar aty e kush tjetër tashmë i liruar. 

Edhe për këtë, pra, i është e rëndomtë, si kaq e kaq herë të tjera, të kapë vetë për krahu një person dhe ta fluturojë jashtë nga rrezja e tij e pranisë, pa i lënë aspak mundësinë, po qe nevoja, që këtë ta bëjnë ata që duhet, ose janë të thirrur, ta bëjnë në vend të tij. Aq më pak që, njerëzishëm dhe përunjësisht, ta bindë të largohet vetë, ose në fund fare, t’ia lëshojë rrugën. Pavarësisht rolit dhe pushtetit që ka. Gjithsesi, pavarësisht faktit se ai person edhe mund të jetë vërtet bezdisës, me ose pa arsye.

Po përpiqem të them, sjellje të tilla janë të rëndomta për ta. Kjo është mënyra se si di t’i bëjë gjërat. Kjo është mënyra se si ka bërë deri më tani gjërat. Tekembramja, ky është edukimi që i është dhënë, ose, po deshëm t’i shkarkojmë nga faji të tjerët (edhe shoqërinë), ky është edukimi që i ka dhënë vetes.

Nuk është se nuk e kemi ditur këtë para se të lejohej të përfundonte në krye të qeverisë.

Duke kapur për krahu: është bërë kryeministër. Duke kapur për krahu: e ka ndarë fondin e sigurimeve shëndetësore për një bandë kriminelësh të njohur si Grupi i Kumanovës. Duke kapur për krahu: e ka larguar Bordin e Agjencisë së Akreditimit. Duke kapur për krahu: ua ka falur borxhet bizneseve. Duke kapur për krahu: ia ka rritur rrogën vetes dhe të vetëve për njëqind për qind. Duke kapur për krahu: e ka çuar në 80 numrin e zëvendësministrave. Duke kapur për krahu: ia ka dhënë plus 53 milionë euro kompanisë Bechtel & Enka.

Duke kapur për krahu: do të vazhdojë të qeverisë.

    Data: 11 Qershor 2018 16:12
    Autori: Arben Idrizi

    Të tjera