Kthehu lart

Qasja e gabuar e Kosovës në dialog me Serbinë dhe paralajmërimet për kompromise të reja

Qasja e gabuar e Kosovës në dialog me Serbinë dhe paralajmërimet për kompromise të reja Autori: Violeta Haxholli GazetaExpress

Më e rëndësishme se epilogu i kësaj faze të dialogut për Kosovën që potencialisht mund të jetë një ulëse në OKB, është ajo se si do të duket Kosova e ulur në këtë ulëse. Si çfarë shteti do të përfundojë ajo përbrenda pas pranimit të edhe një kompromisi të madh me Serbinë? Dhe, sa ia vlen të ulesh në OKB si shtet i barabartë me shtetet tjera, nëse përbrenda shteti është i ndarë në baza etnike dhe i kontrolluar nga Serbia

Liria e Kosovës si epilog i suksesshëm për Kosovën nga negociatat në Rambuje në vitin 1999, pati një anë negative në qasjen e Kosovës në negociatat e mëvonshme me Serbinë. Në proceset negociatore të pas Rambujesë qasja e Kosovës ka qenë e tillë që të jetë e fokusuar në epilogun e negociatave, duke neglizhuar në masë të madhe përmbajtjen e marrëveshjeve që ka pranuar në këto negociata.

Këtë qasje e ka instaluar kryesisht Presidenti aktual Hashim Thaçi, i cili në një formë apo tjetër ka qenë pjesë e të gjitha proceseve negociatore me Serbinë, duke udhëhequr një pjesë të madhe të tyre. Si udhëheqës i ekipit negociator në Rambuje ai kishte pranuar një marrëveshje e cila i solli Kosovës lirinë, si rezultat i intervenimit ushtarak të NATOs kundër Serbisë, pasi kjo e fundit refuzoi ta pranonte marrëveshjen. Në fakt përmbajtja e marrëveshjes së Rambujesë ishte në disfavor të Kosovës pasi nuk parashihte lirinë e saj, por vetëm autonomi nën ish Jugosllavinë e atëhershme. Kjo ishte arsyeja pse disa akterë në Kosovë mes tyre edhe kryetari aktual i Vetëvendosjes Albin Kurti, kishin qenë kundër që Thaçi dhe ekipi negociator të pranonin këtë marrëveshje. Kritikët nuk ishin kundër lirisë, por se liria nuk parashihej në marrëveshjen e Rambujesë. Ajo erdhi vetëm pasi Serbia e refuzoi pranimin e marrëveshjes.

Epilogun fatlum të Rambujesë, Presidenti Thaçi sot a asaj dite ia atribuon vetës si sukses të tij personal dhe gjykim të tij të drejtë. Ai sa herë që është kritikuar për pranimin e marrëveshjeve tjera në negociatat e mëvonshme me Serbinë, e ka rikthyer Rambujenë, duke thënë se kritikët kishin kundërshtuar edhe pranimin e marrëveshjes së Rambujesë, si rezultat i të cilës është çliruar Kosova.

Gjashtë vite pas Rambujesë, Kosova hyri në një proces tjetër negociator me Serbinë në Vjenë në vitin 2005, këtë radhë për zgjidhjen e statusit. Nga negociatat e Vjenës ekipi negociator i Kosovës, pjesë e të cilit ishte edhe Thaçi,  u pajtuan për Planin e Ahtisarit në bazë të së cilit Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt të vitit 2008. Pavarësia si epilog bëri që përfaqësuesit e Kosovës në këto negociata të pranonin kompromise të shumta duke siguruar kështu të drejta afirmative të mëdha për komuniteti serb në Kosovë, duke përfshirë këtu decentralizimin në baza etnike, të drejtën e vetos, vende të rezervuara në institucionet shtetërore, status special të kishave dhe manastireve etj. Edhe procesin e pavarësimit të Kosovës Presidenti Thaçi ia atribuoi vetës si sukses personal duke lexuar vet Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Kritikëve të planit të Ahtisarit, ndër ta sërish Albin Kurti kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes që në atë kohë vepronte si Lëvizje qytetare, Thaçi iu përgjigjej se të njëjtit ishin duke gabuar sërish ashtu siç kishin gabuar edhe kur thoshin se nuk duhej pranuar marrëveshja e Rambujesë. Ani pse siç e dinte edhe Thaçi, kritikët ashtu siç nuk kishin qenë kundër lirisë nuk ishin as tash kundër pavarësisë, por kundër një plani të padrejtë që parashihte pavarësi të cunguar dhe jo të plotë për Kosovën dhe i cili hidhte bazat për ndarje të shtetit në baza etnike dhe mundësi për kontroll të Kosovës nga ana e Serbisë.  

Mes marrëveshjes së Rambujesë dhe Vjenës kishte edhe një dallim esencial. Përderisa pas refuzimit të marrëveshjes së Rambujesë Serbia ishte bombarduar ushtarakisht nga NATO-ja, ndaj Serbisë nuk pati ndëshkim pasi ajo refuzoi të pranonte propozimin e Ahtisarit, rrjedhimisht pavarësinë e Kosovës, edhe pse strukturat serbe paralele të sigurisë vazhdonin të ishin prezente në Kosovë edhe pas pavarësisë. Po ashtu, për dallim nga marrëveshja e Rambujesë, plani i Ahtisarit i mundësonte Serbisë që të shfrytëzonte në favor të saj të drejtat afirmative që plani u ofronte komunitetit serb në Kosovë dhe kështu hidhte bazat që Serbia të zgjeronte më tutje këto të drejta, dhe të legjitimonte strukturat e saj, gjë që edhe ndodhi përmes marrëveshjeve në procesin e ri dialogues në Bruksel.

Plani i Ahtisarit mendohej se do të ishte kompromisi i fundit për Kosovën deri me 8 mars 2011, kur Kosova hyri në procesin e tretë me radhë negociator me Serbinë, në Bruksel, në një dialog që nisi si teknik dhe përfundoi si politik, pavarësisht zotimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit se dialogu po bëhej për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe se në këtë proces nuk do të diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës.

Me 19 prill të vitit 2013 Kosova në krye me Thaçin u pajtua për të ashtuquajturën Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë. Marrëveshja u ratifikua në Kuvend me 2/3 e votave dhe u konsiderua si historike nga Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror. Në emër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, integrimit të komunitetit serb në Kosovë, shtrirjes së sovranitetit në të gjithë territorin dhe konsolidimit të shtetësisë, Kosova në këtë marrëveshje ishte pajtuar për kompromise të reja, pavarësisht kompromiseve të mëdha që veçse kishte pranuar në planin e Ahtisarit.

Marrëveshja e 19 prillit u kundërshtua sërish nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e konsideronte si shumë të dëmshme këtë marrëveshje për Kosovën që sipas tyre e tejkalonte edhe planin edhe ashtu të dëmshëm të Ahtisarit, rrjedhimisht Kushtetutën e Kosovës, e qonte vendin drejt ndarjes së mëtutjeshme në baza etnike dhe rritjen e ndikimit dhe kontrollit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Si pika më kritike shihej formimi i një asociacioni të komunave serbe që parashihej me këtë marrëveshje. Zbatimi i saj u kundërshtua edhe më tutje, kur në Bruksel u miratuan edhe derivatet e kësaj marrëveshjeje siç ishte marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjet në fushat e tjera siç ishin marrëveshja e drejtësisë, telekomit dhe energjisë. Për më tepër marrëveshja për Asociacionin e Komunave serbe doli të ishte edhe përtej Kushtetutës së Kosovës pasi Gjykata Kushtetuese vlerësoi se marrëveshja është  në kundërshtim me Kushtetutën në 23 pika të saj.

Nga fillimi i dialogut teknik në vitin 2011 e deri më sot Kosova ka arritur me Serbinë rreth 33 marrëveshje që në vete përmbajnë dhjetëra pika kompromisi për Kosovën. Për të mos mjaftuar këto, tetë vite pas nisjes së dialogut teknik dhe gjashtë vite pas arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova po shkon drejt një faze të re të dialogut, e cila pritet të rezultojë me një marrëveshje të re me Serbinë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë paralajmëruar edhe kompromiset e reja për Kosovën, kjo pavarësisht numrit të madh të kompromiseve që Kosova tashmë ka bërë nga proceset e deritanishme negociatore me Serbinë.

Kompromiset e reja potenciale, i ka paralajmëruar vetë Presidenti Thaçi i cili në paraqitjet e tij publike ka deklaruar se Kosova duhet të sigurojë akomodim më afirmativ për serbët.  Nuk është ende e qartë se çfarë ka menduar ai me këtë, por si mundësi më reale mund të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave serbe me pushtet ekzekutiv. Këto deklarata Thaçi i ka bërë në mënyrë të njëanshme pa pasur ndonjë diskutim në Kuvendin e Kosovës apo pajtim të gjerë nacional lidhur me atë se, a duhet Kosova të pranojë kompromise tjera me Serbinë, kur përmes pakos së Ahtisarit dhe marrëveshjeve të Brukselit, Kosova veçse ka siguruar akomodim shumë të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë. Për më tepër ende pa filluar faza e re e dialogut me Serbinë, Presidenti Thaçi veç e ka vendosur Kosovën në pozicion të disfavorshëm si palë negociuese, duke përçuar mesazhin tek pala tjetër Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare se Kosova është e gatshme për kompromise të reja.  

Në fazën e re të dialogut me Serbinë,  Kosova po shkon edhe pa unitet nacional, mungesa e të cilit vjen kryesisht si rezultat i ambicies së Thaçit për të qenë sërish në krye të negociatave dhe për të nënshkruar marrëveshjen e re me Serbinë, e cila pritet të rezultojë nga ky proces. Fokus i tij sërish është epilogu i negociatave, që synohet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB në skenarin më të mirë, e në atë më të keq vetëm si anëtare vëzhguese. Për të arritur këtë Thaçi veçse është treguar i gatshëm për të pranuar kompromise të reja në shkëmbim.

Është më se e qartë se edhe në këtë fazë të dialogut Serbia ka për qëllim që të rris më tutje kontrollin e saj në Kosovë, përmes marrëveshjes së dalë nga ky proces. Ajo në fund të procesit edhe mund ta njoh Kosovën si shtet i pavarur, por jo pa e sjellë Kosovën aty ku ajo do dhe në formën siç ajo do që Kosova të duket, një shtet i ndarë në baza etnike dhe me levat e saj të instaluara të kontrollit.

Kosova në anën tjetër rrezikon që me kompromiset e reja potenciale me Serbinë të rrezikojë funksionalitetin e saj të brendshëm, në shkëmbim të konsolidimit të jashtëm përmes anëtarësimit potencial në OKB.

Qasja e Kosovës në këtë fazë të dialogut dhe mundësia për pranimin e kompromiseve të reja sërish po kundërshtohet nga akterë politik në Kosovë. Në këtë fazë të dialogut shumë të rëndësishme për Kosovën, në vend se të injorohen kritikët siç ka ndodhur në të kaluarën, përfaqësuesit e Kosovës në dialog duhet të konsiderojnë të marrin parasysh këto kritika, në mënyrë që Kosova të dalë nga kjo fazë e dialogut jo vetëm me një epilog pozitiv, por edhe një marrëveshje që për nga përmbajtja nuk e dëmton përbrenda Kosovën.

Para pranimit të një marrëveshje të re me Serbinë dhe synimeve për konsolidim të jashtëm të shtetit të Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës duhet ta vënë primar funksionalitetin e brendshëm të shtetit.  Sepse më e rëndësishme se epilogu i kësaj faze të dialogut për Kosovën që potencialisht mund të jetë një ulëse në OKB, është ajo se si do të duket Kosova e ulur në këtë ulëse. Si çfarë shteti do të përfundojë ajo përbrenda pas pranimit të edhe një kompromisi të madh me Serbinë? Dhe, sa ia vlen të ulesh në OKB si shtet i barabartë me shtetet tjera, nëse përbrenda shteti është i ndarë në baza etnike dhe i kontrolluar nga Serbia.

(Autorja është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës - KDI)

    Data: 28 Maj 2018 14:52
    Autori: Violeta Haxholli

    Të tjera