Kthehu lart

Kush e sjell sot ndërmend emrin e Rugovës?

Kush e sjell sot ndërmend emrin e Rugovës? Autori: Muhamet Hamiti GazetaExpress E premte, 25 Gusht 2017 13:12

Presidenti Ibrahim Rugova, ati themeltar i Kosovës së pavarur, tash në dekadën e dytë të jetës së tij në amshim, kujtohet sa herë i kemi punët ngusht. (“Gjithmonë kur merr ngricë/Sjellim ndërmend emrin Tënd”, thoshte poeti Sabri Hamiti për Gjergj Kastriotin në një poezi të para 30-40 vjetëve).

Emrin e Rugovës e përmendin ata që e kanë dashur e ndjekur si prijës të vetin, por edhe ata që për të gjallë s’e kanë dashur si burrë politik. Statura e Rugovës dhe vlerësimi për të është rritur edhe në sytë e kundërshtarëve të tij politikë shqiptarë, me përjashtim të pinjollëve të elitës komuniste shqiptare të Jugosllavisë që s’ia falin as për së vdekuri pse, duke u bërë President i Kosovës me votë e besim plebishitar, ua kishte prerë rrugën të bëheshin elita që do të trashëgonte baballarët e vet.

E sjellin ndërmend dhe po e përmendin Ibrahim Rugovën sot ata, të shumtën kundërshtarë të dikurshëm, që duan ta eksploatojnë pragmatizmin e tij për nevoja të veta, si legjitimim të mëtesave të veta për pushtet në demokracinë e rrëgjuar për fajin e tyre.

Me 47 mandate deputetësh në legjislaturat e para të Kuvendit të Kosovës pas luftës (pas zgjedhjeve nacionale të 2001-shit dhe 2004-shit), Lidhja Demokratike e Kosovës e tij nuk e mori postin e Kryeministrit. Kundërshtarët politikë thoshin se nuk i takonte LDK-së t’i kishte tri postet kryesore të shtetit. (Sot me 39 deputetë mëtojnë t’i kenë të trijat!). Në Qeverinë gjithëpërfshirëse të tri partive (LDK, PDK dhe AAK) u bë kryeministër Bajram Rexhepi i PDK-së, që, kur ndërroi jetë kësaj jave, u përcoll me fjalë të mira, mbasi lideri i kësaj partie Hashim Thaçi ishte i papranueshëm, ndërsa paraliza e institucioneve (“ngërçi politik”, siç po quhet tash) mori fund edhe me ndërhyrje të autoriteteve ndërkombëtare në vend. Herën e dytë, më 2004, Presidenti Rugova zgjodhi të hynte në koalicion me AAK-në e Haradinajt, si zgjidhje më e mirë, dikush do të thoshte më pak e keqe, prej të dyjave. Argumenti politik me të cilin Rugova u rezistoi ndërhyrjeve ndërkombëtare, në radhë të parë amerikane, për të hyrë në koalicion me PDK-në në emër të stabilitetit, ishte se Kosova kishte nevojë tashmë jo për qeveri gjithëpërfshirëse, pa opozitë, siç kishte qenë në mandatin e parë, por për një ambient politik që të kishte Qeveri dhe opozitë të fortë, si parakusht për zhvillim të demokracisë në vend. Jam vetë dëshmitar i presioneve të fuqishme të diplomatëve amerikanë që Rugova të hynte në koalicion me Thaçin. (Haradinaj mund të përfundojë në Hagë, thoshin ata, siç edhe ndodhi mbas 100 ditësh të qeverisjes së tij. Rugova kujtonte prezumimin e pafajësisë madje edhe për njerëz me aktakuzë, lëre më për ata që s’e kishin, si Haradinaj atëherë. Nëse shpallet aktakuzë, Haradinaj shkon vetë, thoshte ai, siç edhe ndodhi.) Presion i bënin edhe Soren Jessen Petersenit, përfaqësuesit Special të OKB-së, që në atë kohë kishte prerogativa ligjore të kundërshtonte zgjedhjen demokratike. Peterseni e mbështeti Rugovën.

Rugova mund të zgjidhej Kryeministër, post që kishte pushtetin ekzekutiv, për aq sa kishte pushtet ekzekutiv në Kosovën e administruar efektivisht nga OKB-ja, kur posti i Presidentit ishte të shumtën ceremonial. Rugova nuk u bë President thjesht pse donte të quhej President, siç shprehet ndonjë detraktor i tij malicioz, por pse me autoritetin moral mundi dhe ushtroi pushtet, bashkë me LDK-në e tij të fortë atëherë, në një mënyrë që askush tjetër, pa pushtetin e tij moral, nuk do të mund ta bënte, në vigjilie të kohës kur duhej të vendosej statusi përfundimtar i Kosovës me një proces negociatash ndërkombëtare. Rugova kërkonte njohje formale të pavarësisë së Kosovës edhe në kohën kur njeriu që sot mban postin e Presidentit të Kosovës, kandisur prej ndërkombëtare, kërkonte moratorium (të mos flitej) për pavarësi në periudhën e ‘standardeve para statusit’, siç quhej koha në pritje dhe vonesë të fillimit të procesit për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës.

Në kohën kur hartohej Korniza Kushtetuese e Kosovës nga UNMIK-u, edhe serbët edhe rivalët politikë shqiptarë të Rugovës, ishin kundër zgjedhjes se Presidentit të Kosovës me votë të drejtpërdrejtë, siç e kërkonin Rugova dhe LDK-ja. Për serbët zgjedhja e Presidentit me votë ishte parashenjë e Kosovës shtet, ndërsa për rivalët shqiptarë siguri se Rugova dhe jo ata do të zgjidheshin President me votë popullore.

Ibrahim Rugova për të gjallë i ka fituar të gjitha zgjedhjet politike në Kosovë. Në ndërkohë, nën udhëheqjen e tij Kosova kishte fituar lirinë për vete në luftë me Serbinë, falë udhëheqjes së tij të mençur, që bëri miq dhe përkrahës të luftës politike dhe ushtarake të shqiptarëve të Kosovës në kapërcyell të shekujve.

    Data: 25 Gusht 2017 13:12
    Autori: Muhamet Hamiti

    Të tjera

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0

    • Urgjenca morale për shëndetin mendor 0