Kthehu lart

Injorimi i Amerikës ndaj kërcënimit rus

Injorimi i Amerikës ndaj kërcënimit rus Autori: David Ignatius GazetaExpress

Në përshkrimin e tij të frikshëm të dinastisë Romanov, historiani britanik Simon Sebag Montefiore citoi Pyotr Stolypin, i cili ishte ministri i brendshëm për Nikollën II, cari i fundit: “Në Rusi, asgjë nuk është më e rrezikshme se...

Në përshkrimin e tij të frikshëm të dinastisë Romanov, historiani britanik Simon Sebag Montefiore citoi Pyotr Stolypin, i cili ishte ministri i brendshëm për Nikollën II, cari i fundit: “Në Rusi, asgjë nuk është më e rrezikshme se pamja e dobësisë”.

Montefiore shpjegoi se gjatë 300 viteve të sundimit Romanov, pushteti kishte qenë një instrument jo thjesht i qeverisjes, por i mbijetesës. Ai përmendi aforizmin e shkrimtarit francez, Madame de Stael: “Në Rusi, qeveria është si një autokraci e zbutur nga shtrëngimi”.

Presidenti Vladimir Putin e mishëron këtë etikë paranojake ruse, më shumë se kurrë gjatë fjalimit të tij luftarak të 1 marsit, duke lëvduar për një brez të ri raketash “të pamposhtur” me mbushje nukleare dhe silueta super të shpejta. Adresimi i Putinit përfshiu video të raketave të reja të lundrimit që ishin kaq luftarake, sa që ata do të vinin në siklet një studio të Hollywood-it.

Çfarë duhet të bëjnë amerikanët për fjalimin e Putinit dhe për politikën sfiduese që i adresohet në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara? Disa analistë me shpejtësi nënvlerësuan pretendimet ushtarake të Putinit si të ekzagjeruara. Teknologjitë e reja ruse që ai përshkroi, tashmë ishin të njohura për agjencitë e zbulimit të SHBA-ve, thanë analistët.

Fjalimi ishte padyshim një mesazh për Uashingtonin, por një me disa shtresa kuptimi. Në paraqitje, ajo kishte për qëllim të frikësojë dhe intimidojë; por në atë nivel, ai me të vërtetë dështoi. Shtetet e Bashkuara kanë fuqi të madhe ushtarake për të penguar Rusinë, përfshirë sisteme të reja armësh që janë të paktën në përputhje me ato që përshkroi Putini.

Në një shikim më të thellë, fjalimi i Putinit ishte një lutje për vëmendje nga një udhëheqës që e sheh veten si hakmarrës për poshtërimin e kombit të tij pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht nga sjellja si i plagosur i Putinit, kjo gjë më tronditi si thelbi i fjalimit të tij, dhe ia vlen një përgjigje të mirëmenduar.

Argumenti kryesor i Putinit është se Rusia u injorua gjatë viteve të saj të dobësisë dhe tani merret seriozisht vetëm për shkak se duket e rrezikshme. Putin tregoi se para se të merrte pushtetin, “pajisjet ushtarake të ushtrisë ruse po bëheshin të vjetëruara dhe forcat e armatosura ishin në një gjendje të keqe”. Me rënien e Bashkimit Sovjetik, tha ai, “kombi kishte humbur 23.8 për qind të territorit të saj, 48.5 për qind të popullsisë së saj, 41 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe 44.6 për qind të aftësisë ushtarake të saj.

“Askush nuk donte të na fliste për thelbin e problemit [të bilancit të armëve bërthamore], dhe askush nuk donte të na dëgjonte. Pra, dëgjoni tani”, urdhëroi ai.

Putini është një ngacmues, por i parashikueshëm. Ai ka reklamuar dëshirën e tij për të rikthyer lavdinë e humbur të Rusisë që kur ai u bë president në vitin 2000. Aktakuza e muajit të kaluar nga prokurori special Robert S. Mueller III ndaj 13 rusëve dhe tre kompanive për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përshkruan një organizatë që sipas provave të tjera, provonte teknikat e manipulimit të internetit nga Putini në 2014 në Ukrainë para se t’i përdornin ato në Amerikë. Për të menaxhuar këto veprime të fshehta, Putin kërkoi ndihmë tek një shok miliarder oligark, Yevgeniy Prigozhin, i cili gjithashtu ndihmoi në organizimin e mercenarëve rusë në Siri.

Ukraina ka qenë laborator i Putinit. Oleksandr Danylyuk, kryetari i Qendrës për Reformat e Mbrojtjes në Ukrainë, paralajmëroi në një letër të vitit 2016 në Shkollën Pasuniversitare Detare që Rusia “po kryen jo vetëm operacione informuese, por edhe operacione të tjera klandestine dhe speciale kundër Ukrainës për më shumë se një dekadë”. Përfundimi i tij: “Rusia nuk po përgatitet për luftë me Perëndimin; lufta tashmë po zhvillohet në mënyrë aktive – sipas kushteve të Rusisë”.

Vetëm për shkak se Putin propozon diskutime të reja me Shtetet e Bashkuara, kjo nuk do të thotë se është një ide e keqe. Izraeli, Arabia Saudite, Japonia dhe India të gjithë kanë dialog serioz me Rusinë rreth çështjeve kryesore të politikës së jashtme, por Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë këtë. Ky është një gabim, veçanërisht tani.

Nuk ishte e mençur, për shembull, që Shtetet e Bashkuara të anullonin papritur bisedimet mbi sigurinë kibernetike që ishin planifikuar për në fund të shkurtit me një ekip rus prej 17 vetash, kryesuar nga këshilltari kibernetik i Putinit, Andrei Krutskikh. Rusët u përgjigjën duke anuluar diskutimet e planifikuara për stabilitetin strategjik. Ushtarakët e të dy vendeve vazhdojnë të kenë konsultime të përditshme rreth “zhdukjes së konflikteve” në betejat e mbingarkuara të Lindjes së Mesme, por dialogu duhet të jetë më i gjerë.

Ky peizazh ruso-amerikan i rënduar, është një pasojë e pakontrolluar e përpjekjeve të Putinit për të ndërhyrë në politikën e SHBA-ve dhe për të mbështetur kandidatin që vazhdoi të deklaronte se sa lider i madh udhëheqësi rus ishte dhe sa dëshironte një afrim. Paradoksalisht, zgjedhja e Presidentit Trump e kanë bërë dialogun me Rusinë politikisht toksik dhe kontrolli i armëve është zhdukur nga agjenda e SHBA-ve.
“Në një autokraci, tiparet e karakterit zmadhohen; çdo gjë personale është politike”, shkroi Montefiore për Romanovët. Putini është i pashmangshëm. Ushtria amerikane do t’i përgjigjet armëve vdekjeprurëse të Putinit, por ndërkohë, diplomacia amerikane duhet të hapë kanale më të mira komunikimi. Injorimi i Rusisë mund të jetë politikisht i mirë, por është një politikë e keqe.

/The Washington Post – Lexo.al

    Data: 09 Mars 2018 10:47
    Autori: David Ignatius

    Të tjera