Kthehu lart

Fati i filozofisë në kulturën shqiptare

Fati i filozofisë në kulturën shqiptare Autori: Blerim Latifi GazetaExpress

​Zhvillimi i mendimit filozofik në kulturën shqiptare është penguar prej dy zhvillimeve të mëdha historike: pushtimit osman dhe regjimeve komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi osman ndërpreu impulsin filozofik të nisur nga Pjetër Bogdani në shekullin e XVII, ndërsa komunizmi këputi filizat e parë të kulturës filozofike shqiptare, të cilat u shfaqen në periudhën midis dy luftërave botërore. Në pikëpamje filozofike të dy këto zhvillime përbëjnë dy katastrofa kulturore në historinë shqiptare

Në kulturën shqiptare nuk gjejmë ndonjë zhvillim të të menduarit filozofik, si disiplinë e pavarur intelektuale. Ky fakt është kushtëzuar nga rrethanat e vështira historike, nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Këto rrethana nuk kanë qenë stimuluese, jo vetëm për mendimin filozofik, por në përgjithësi për të gjitha fushat e kulturës, për artet dhe letërsinë. Megjithë këtë mendimi filozofik europian nuk kanë qenë krejtësisht i huaj për autorët dhe shkrimtarët që kanë shkruar në gjuhën shqipe. Kështu autori i parë shqiptar, në veprën e të cilit gjejmë lexime filozofike, është filozofi kosovar Pjetër Bogdani (Gur i Hasit, 1625 - Prishtinë, 1689 ). Bogdani kishte bërë doktoraturën për filozofi dhe teologji në Itali dhe sot njhet si themeluesi i prozës në gjuhën shqipe. Në veprën e tij të njohur “Çeta e profetëve”, mes teksteve të karakterit teologjik, ne gjejmë edhe lexime impresionuese filozofike.

E gjejmë p.sh. problemin epistemologjik të raportit të njohjes me besimin, problem i cili shfaqet qysh te Platoni dhe dominon gjithë filozofinë e Mesjetës. Duke iu referuar Shën Augustinit, Bogdani shtron tezën se të besuarit fillon në kufijtë e mendimit. Kjo tezë, siç e dijmë, qëndron në themel të filozofisë kritike të Imanuel Kantit ( 1724-1804). Kanti, në veprën e tij të madhe “Kritika e mendjes së pastër”, argumenton se fuqia njohëse e mendjes sonë është e kufizuar në njohjen e fenomeneve, ndërsa ajo që është matanë fenomeneve të natyrës mbetet subjekt i të besuarit. Zotin nuk mund ta njohim me anë të mendjes, sepse Zoti nuk shfaqet në përvojën tonë shqisore. Atë vetëm mund ta besojmë, për arsye praktike. Zoti, për Kantin, është vetëm një postulat i veprimit moral të njeriut.

Duke qëndruar në rrafshin epistemologjik, Bogdani i gjen tek Aristoteli rrënjët e empirizmit, i cili mbështetet mbi idenë se e gjithë njohja jonë e ka burimin tek përvoja shqisore.

Në veprën e tij, Bogdani merret edhe me argumentet e disiplinave tjera filozofike. Kështu në filozofinë e religjionit ai mbështet argumentin teleologjik për ekzistencën e Zotit. Ky është argumenti që thotë se harmonia e gjërave që ekziston në gjithësi, nuk është pasojë e rastit, por një harmoni e vendosur nga një fuqi inteligjente mbinatyrore, e cila është vetë Zoti. Bogdani elaboron edhe argumentin e Shkakut të Parë, të cilin e gjejmë në filozofinë e Aristotelit.

Poashtu Bogdani ndalet në zbërthimin e  kundërthënies filozofike midis atyre që besojnë se çdo gjë në jetën e njeriut është paracaktuar nga Perëndia dhe atyre që mbrojnë lirinë e vullnetit të njeriut. Vetë Bogdani pozicionohet në krahun e atyre që mbrojnë pikëpamjen për njeriun si qenie e lirë. Ai thotë se etika pa idenë e lirisë nuk ka kuptim.

Në filozofinë politike Bogdani i referohet pikëpamjes sociale të Aristotelit, në të cilën njeriu përcaktohet si qenie politike ( zoon politikon). Ndërsa, kur flet për shpirtin e pavdekshëm, Bogdani i referohet Pitagorës dhe teorisë së tij të transmigrimit të shpirtit.

 Këta dhe shembuj të tjerë, dëshmojnë qartë se Bogdani ishte një njohës i shkelqyeshëm i debateve filozofike që në kohën e tij zhvilloheshin në filozofinë europiane.

Fatkeqësisht ky komunikim i parë i kulturës shqiptare me filozofinë europiane u ndërpre me vdekjen tragjike të Bogdanit në dimrin e vitit 1689 në Prishtinë. Trupin e tij të vdekur turqit ua hodhën qenve në sheshin e Prishtinës, ndërsa librat e tij u hodhën në flakët e zjarrit, si dikur librat e filozofit Protagora në sheshin e Athinës së Lashtë.

Do duhej të kalonin dy shekuj, derisa leximet filozofike të rishfaqeshin në kulturën shqiptare. Këto lexime i gjejmë në veprat letrare të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare. Ato janë rezultat i faktit se Rilindja Kombëtare tek shqiptarët zhvillohej nën ndikimin e dy rrymave të mëdha filozofike dhe kulturore që gjatë shekullit XIX dominonin mendimin europian, Iluminizmit dhe Romantizmit. Ideja themelore e iluminizmit që thotë se përhapja e arsimit dhe zhvillimi i shkencës moderne, janë motori i progresit moral të njerëzimit në histori, gjendet në të gjithë veprën letrare të Naim Frashërit. Naimi dhe rilindasit e tjerë, me anë të krijimeve të tyre letrare e publicistikës, përpunuan idenë e identitetit kulturor të shqiptar të dallueshëm dhe të pavarur nga përkatësitë religjioze. Kjo ide e ka origjinën e drejpërdrejtë nga filozofia moderne europiane e sekularizimit të shoqërisë. Në thelbin e tij, sekularizimi është ndarja e kulturës nga religjioni.

Një fryt tjetër i leximeve filozofike të rilindasëve shqiptar, është ideja e identifikimit të kulturës me gjuhën. Këtë ide e gjejmë në filozofinë romantike gjermane, përkatësisht tek Herder dhe Fichte. Herderi është i njohur me thënien e tij se “gjuha është zemra dhe shpirti i një populli”. Nën ndikimin e kësaj ideje, rilindasit shqiptar e glorifikuan gjuhën shqipe, duke e bërë atë esencë të identitetit kulturor të shqiptarëve.

Mendimin filozofik vazhdojmë ta gjejmë edhe tek autorë më të vonshëm.

Në mesin e tyre duhet veçuar Fan Noli. Tekstet interpretuese që Noli shkruan  për veprat e mëdha të letërsisë perëndimore, të përkthyera në shqip prej tij, janë shqyrtime të thukta filozofike. Në këto shqyrtime gjejmë interpretime të holla dhe elokuente të Shekspirit, Servantesit, Ibzenit, Makiavelit, Bethovenit, Kantit, e të mendimtarëve të tjerë. Vepra e Nolit “Bethoveni dhe Revolucioni francez” përbën një studim të mirëfilltë filozofik.

Publicistika shqiptare e periudhës mes dy luftërave botërore, shënon një depërtim më të madh në botën e ideve filozofike. Në këtë drejtim ndër më të njohurit është publicisti Branko Merxhani, i cili shkruan një numër të konsiderueshëm të eseve mbi filozofinë, sociologjinë, psikanalizën dhe shkencat tjera sociale. Eseu i Merxhanit me titull “Ç’është filozofia?, flet për një nivel të lartë të njohjes së filozofisë prej tij. Afiniteti filozofik shfaqet edhe në publicistikën kulturore të autorëve si Ismet Toto, Vangjel Koça, Krist Maloki, Isuf Luzaj, At Donat Kurti. Ky i fundit është mbase autori i parë shqiptar që merret me problemet filozofike e sociologjike të industrisë kulturore, të reklamës e të kinematografisë, probleme me të cilat në atë kohë, në filozofinë europiane, merreshin emra të njohur si Max Horkheimer, Theodor Adorno e Walter Benjamin.  

Autorët që i përmendëm më lart, nuk janë publicistët e vetëm që përpiqen të zhvillojnë dimensionin e mendimit filozofik në kulturën shqiptare. Ka edhe shumë emra të tjerë. Publicistika filozofike mes dy luftërave botërore përbënte hapin e parë në zhvillimin e një kulture filozofike shqiptare. Hapi i dytë i natyrshëm do të ishte kalimi nga publicistika filozofike në trajtesat e specializuara filozofike. Ky hap nuk u hodh asnjëherë, për arsye që dihen. Me të përfunduar Lufta e Dytë Botërore, në Shqipëri u vendos regjimi totalitar komunist, i cili i dha fund lirisë së mendimit dhe kulturës së pavarur nga shteti. Ky regjim imponoi marksizmin zyrtar të importuar nga Bashkimi Sovjetik. Në kulturë dhe shkolla u imponua interpretimi stalinist i marksizmit, si e vetmja filozofi. Këtij interpretimi iu dha statusi i të vërtetës përfundimtare. Çdo rrymë tjetër tjetër filozofike u ndalua. Madje u ndaluan edhe interpretimet jostaliniste të marksizmit. Kjo,për pasojë, solli fundin e të menduarit filozofik në Shqipëri.

Ndërkaq në Kosovë, ku fjala filozofi nuk ishte dëgjuar që nga koha e Pjetër Bogdanit, deri në fund të viteve 70 të shekullit të kaluar, nuk do të kemi ndonjë impuls filozofik. Liria e mendimit filozofik në Jugosllavinë socialiste ishte shumë më e madhe se në Shqipëri, por edhe këtu shteti, në shkolla dhe në katedrat universitare, impononte marksizmin e vet zyrtar. Në këtë kohë të mësuarit e filozofisë në Prishtinë ishte nën ndikimin e rrymës filozofike të Zagrebit, e njohur si shkolla e Praxis-it, programi filozofik i të cilës ishte kritika marksiste e stalinizmit dhe interpretimi humanist i filozofisë së Marksit. Shkolla filozofike e Zagrebit, ishte nën ndikimin e shkollës marksiste të Budapestit dhe marksizmit kritik të Shkollës së Frankfurtit. Emri më i njohur i filozofisë kosovare në atë kohë ishte Muhamedin Kullashi, i  cili, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, u ftua të ligjëroj filozofinë në Universitetin VIII të Parisit, krahas filozofëve të njohur perëndimor si Claude Lefort, Jean Francois Lyotard, Jacques Ranciere, Gilles Deleuze, Etienne Balibar, e të tjerë. Kjo kishte ndodhur saktësisht 300 vite pas vdekjes së Bogdanit.

Përfundimi : Zhvillimi i mendimit filozofik në kulturën shqiptare është penguar prej dy zhvillimeve të mëdha historike: pushtimit osman dhe regjimeve komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi osman ndërpreu impulsin filozofik të nisur nga Pjetër Bogdani në shekullin e XVII, ndërsa komunizmi këputi filizat e parë të kulturës filozofike shqiptare, të cilat u shfaqen në periudhën midis dy luftërave botërore. Në pikëpamje filozofike të dy këto zhvillime përbëjnë dy katastrofa kulturore në historinë shqiptare.

    Data: 13 Shkurt 2019 17:37
    Autori: Blerim Latifi

    Të tjera