Kthehu lart

A po ju vjen marre?

A po ju vjen marre? Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Vendimin e turpshëm që kryeministri Ramush Haradinaj e mori për t’ia rritur pagën vetes dhe bashkëpunëtorëve të tij e vulosi me turp Gjykata Kushtetuese. Gërrditshëm dhe pa dinjitet - ashtu siç ishin edhe arsyetimet që iu dhanë qytetarëve të varfër e të mjerë

Një ndër vendimet e para të kryeministrit Ramush Haradinaj ishte ai për rritjen e pagës vetes, vartësve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Jo çfarëdo rritje, por dyfishim i pagës ekzistuese. Juridikisht ai mori një vendim të kontestueshëm e joligjor, ngase për rritje pagash nuk vendos ekzekutivi, por legjislativi. Moralisht, ai mori një vendim përtej arsyes së shëndoshë së një udhëheqësi që menaxhon një shtet të varfër.

Paga prej 1500 eurosh iu duk e vogël kryeministrit që udhëheq vendin ku paga minimale nuk kalon 170 euro, ku pensionistët nuk mund të jetojnë me pensionet që marrin, ku qytetarët nuk kanë sigurim shëndetësor dhe vdesin në mungësë barnash e kujdesi mjekësor.

Paga prej 1500 eurosh iu duk e vogël kryeministrit, i cili për vendimet që i merr thotë se janë në të mirë të qytetarëve. Kështu u përpoq ta arsyetojë edhe këtë për rritje page. Tha se kjo do të afektojë edhe rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë.

Por, e vërteta është se në momentin kur ai vendosi për rritje page, nuk e kishte idenë se vendimi i tij do të afektonte edhe kategori të tjera të shoqërisë. Këtë e mori vesh më vonë.

Për më shumë, vendimin e mori me nguti dhe pa mbështetje ligjore, duke shkaktuar irritim tek njerëzit që pritnin një qeverisje më ndryshe. Të paktën kështu vetë kishte premtuar.

Pse pati nevojë të ngutet kryeministri? Në sirtarët e zyrës së tij gjendej një draft ligji që do të rregullonte pagat dhe e udhës do të ishte që ai të dërgohej në Kuvend për shqyrtim e miratim. Këtë kishte mundësi ta bënte që në ditët e para të qeverisjes, edhe për të treguar vullnetin politik se dëshiron që gjithçka të rregullohet me ligj. Por, ai zgjodhi rrugën më të shkurtër. Zgjodhi që të rrisë paga me një vendim që nga Agjencia Kundër Korrupsionit u vlerësua konflikt interesi. Dhe nuk kishte si të vlerësohej ndryshe.

* * *

Po të isha në vendin e Haradinajt do të më vinte turp të paguhem sa gati njëzetfishi i pagës minimale. Do të më vinte turp të paguhesha kaq në një vend të varfër e të mjerë, rinia e të cilit pret me padurim që të hiqen vizat dhe t’ia mësyejë Europës. Do të më vinte turp të paguhesha kaq në një vend ku shumë familje mezi lidhin muajin me muaj, në një vend ku papunësia është enorme, ku zhvillimi ekonomik ka stagnuar. Në një shtet ku për 300 vende pune në Polici  aplikojnë rreth 20 mijë persona.

Po të isha në vendin e Haradinajt, pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk do të urdhëroja që vendimi për pagat të hyjë në fuqi. Do të jepja shembullin e një lideri të përgjegjshëm e racional, e jo shembullin e një kryeministri që së pari kujdeset për veten dhe të vetët, me arsyetimin se në këtë mënyrë ata nuk do të korruptohen.

Shembulli që dha dhe po jep Haradinaj është më i keqi i mundshëm. Siç është shembull i keq dhe precedent i rrezikshëm aktgjykimi i Kushtetueses, shumica e anëtarëve të së cilës shkaktoi konflikt interesi, ngase vendimi i kryeministrit afekton edhe rritjen e pagave të tyre.

Në vend se të jep shembull prej një kryeministri që qytetarin, e jo veten e vë në plan të parë, Haradinaj dha shembull të një profili politikanësh që përfitimet nga paraja publike dhe privilegjet që ua jep posti i kanë qëllim në vete, ndonëse vendimet skandaloze përpiqen t’i arsyetojnë në mënyrë “burrërore” e populiste.

* * *

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vet nuk e ka vlerësuar nëse vendimi i Haradinajt paraqet konflikt interesi. Se është kështu e ka vlerësuar agjencia përgjegjëse. Reagimi i Haradinajt pas vendimit të Kushtetueses vetëm sa vërtetoi se këta njerëz nuk e konsiderojnë postin përgjegjësi, por mundësi për të përfituar në emër të “punës së madhe” që bëjnë. Thua se të tjerët as në sektorin publik, as në atë privat, nuk punojnë sa e si duhet andaj nuk meritojnë t’iu rritet paga si kryeministrit dhe vartësve të tij.

Vendimi për rritje enorme të pagave të një pjesë të zyrtarëve shtetërorë dëmton edhe më shumë sektorin privat dhe është në kundërshtim me zhvillimin ekonomik të vendit. Duke vepruar në këtë mënyrë, Haradinaj nuk ka më pse të mbajë ligjërata se si po merr vendime në të mirë të qytetarëve. Po të ishte kështu, atëherë ai do të duhej kundërshtuar vendimin për rritjen e pagës së tij edhe po ta merrte dikush tjetër, e lëre më ta marrë vetë ai. Ka moral edhe në politikë.

Dhe tash, pas aktgjykimit të Kushtetueses, Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij po iu thonë qytetarëve se kishin të drejtë që ia rritën pagat vetes. Iu thonë kështu qytetarëve që jetojnë në një vend të varfër e të mjerë, por që udhëhiqen nga një kryeministër që merr “vendime të mëdha” - ia dyfishon pagën vetes. Iu thonë kështu qytetarëve që jetojnë në vendin ku vendimin e turpshëm të kryeministrit e vulos me turp Gjykata Kushtetuese. Turp mbi turp, në vendin ku turpi s’ka fund.

    Data: 13 Qershor 2018 17:14
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera