Kthehu lart

575 vjet më parë: Mesazhet e Lidhjes së Lezhës për të sotmën dhe të nesërmën tonë!

575 vjet më parë: Mesazhet e Lidhjes së Lezhës për të sotmën dhe të nesërmën tonë! Autori: Jahja Drançolli GazetaExpress

Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit kundër pushtuesve të huaj. Kështu, Lidhja e Lezhës do të mbetet gjithnjë një model i fuqishëm edhe për kuvende të tjera gjatë shekujve vijues, si bie fjala: Kuvendi i Dukagjinit, Kuvendi i Kuçit, Kuvendi i Arbënit, Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Lidhjes së Pejës, Kuvendi te Verrat e Llukës, Kuvendi i Drenicës, e ndonjl tjetër, të cilat ruajtën motivin themelor të Kuvendit të Lezhës, unitetin e principatave të atëhershme.

Nga këndvështrimi historik, rruga drejtë integrimeve politiko-ushtarake e shtetërore brenda principatave arbërore, nisën të  praktikohen së pari pas vdekjës së Dushanit (1355), sundues i fundit i Rashës së fuqishme. Kjo praktikë shumë shpejtë do të bie në sprovë para pushtimit osman dhe venedikas nga kapërcyelli i shek. XIV. Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 nëntor 1443, ku në vitin 1444 si institucion shtetëror doli Lidhja e Lezhës. Ishte pikërisht vepër e meritë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe e forcave të udhëhequra prej tij, që morën përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbër në Lezhën arbërore (Alessio i mesjetës), më 2 mars 1444. Datën e saktë e ndeshim te G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut (G. Biemmi.  M., Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, in Brescia, MDCCLVI): “ch’era pei due Marzo”, 29-39). Po kjo datë konfirmohet edhe nga kronisti osman i kohës, Tursun Beg (B. Lewis et al. The Encyclopaedia of Islam, Iran – Kha, vol. 4, Leiden: E. J. Brill, New edition, 1997,  139).

Kuvendi i Lezhës qe mbajtur në kishën katedrale të qytetit (Shën Nikolla). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve, por në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po në këtë qendër, Lissos-in e antikitetit, zgjatej rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të njohura të Dardanisë të shtrira deri në Nishin e sotëm. Sipas ballkanologëve të shquar M. Sufflay dhe  K. Jiriçek, këtu, në shtratin e kulturës ilire puqeshin Lindja helenistike me Perëndimin romak. Përveç njoftimit të përmendur nga Biemi, për kuvendin në fjalë ofrojnë njoftime edhe Marin Barleci, Dhimitër Frëngu, si dhe Gjon Muzaka, i cili ndyshe nga Barleci dhe Frëngu, ka lënë një njoftim të shkurtër: “Pastaj thirri në Lezhë në një Kuvend Zotërit e njohur të Arbërisë; ndonjëri shkoi vetë aty, tjetri kishte dërguar përfaqësuesin, dhe kështu Skënderbeu i përmendur qe caktuar për Kapiten të tyre në Arbëri, dhe sejcili prej tyre kontribuoi me njerëz dhe të holla sipas mundësisë së vet; bile edhe bijtë e zotërinjëve të përmendur luftuan nën komandën e tij, si për të marrë pjesë në luftë, ashtu edhe për të mbrojtur shtetet e tyre, meqë ky Zotëri ishte i guximshëm dhe i mësuar për luftë, ai u zgjodh Komandant dhe çdonjëri iu bind atij.” (Breve Memoria, 274-275: “Poi fecero consiglio detti Signori d’Albania in Alessio; chi ce andò personalmente e chi ce mandò suoi sustituti, talchè il detto Scanderbegh fù creato e fatto lor Capitano in Albania, e ciascuni contribuiva de gente e de denari pro rata, et anco alcuni figliolide quelli signori militavano sotto de lui si per imprender la guerra, come ancoper difendere loro stati; per essere detto Signor prattico alla guerra e valente, fù fato Capitano et ogn’uno l’obedeva”).

Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore, për të trajtuar probleme madhore në kuvende të përbashkëta. Në këtë aspekt edhe ky Kuvend i organizuar nga Skënderbeu, shënonte një nivel drejt ngritjes kombëtare. Në Kuvendin në fjalë, sipas Marin  Barlecit, bashkohës dhe historian i Skënderbeut, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si, bie fjala, Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut. Në anën tjetër edhe pse kishte premtuar, përfaqësuesi i Republikës së Raguzës, nuk u pa në Kuvend. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i Republikës së Venedikut (edhe  pse zotëronte pjesë të bregdetit Arbëror) nuk erdhi zyrtarisht, por erdhi në cilësi të një vëzhguesi. Madje, kjo Republikë, duke qenë në paqe me sulltanin, duke mos dashur t’i prishte marrëdhëniet me të, nuk iu dha asnjë premtim princave arbër.

Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit. Në vitet e para të luftës ajo i dha një mbështetje të mirë Skënderbeut në përballimin  e pushtimit osman dhe politikës armiqësore të Venedikut. Mirëpo, me kalimin e kohës, në vetë gjirin e Lidhjes filluan të vepronin forca centrifugale që e dobësonin unitetin e saj. Lidhja e Lezhës, e krijuar si një aleancë politiko-ushtarake e kryezotërinjve arbërorë në luftën e përbashkët kundër  pushtimit osman, ngrihej mbi bazën e copëzimit feudal  dhe nënkuptonte respektimin e sovranitetit dhe të privilegjeve të princërve të veçantë.

Organizimi shtetëror

Shumë kohë më parë, por edhe sot e gjithë ditën shtrohet pyetja se sa kishin rëndësi vendimet e Kuvendit të Lezhës me kontekstin e themelimit të një formacioni-politik, respektivisht themelimin e shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Shpjegime të para në këtë aspekt kanë ofruar ballkanologët  M. Šufflay dhe K. Jireček. Šufflay, i pari studjues që e zinte ngojë shtetin e Skënderbeut, këtë formacion politiko-shtetëror e konsideronte për shtetin e fundit në Ballkan pas rënies së Bizantit (1453), despotatit të Rashës (1459) dhe mbretërisë së Bosnës (1463). Gjithashtu, edhe studjuesi tjetër, Jireček duke provuar ekzistimin e shtetit të Skënderbeut, atë e shihte për të fundin shtet në Ballkan (K. Jireček. Albanien n der Vergangenheit, in: Ilyrisch-Albanische Forschungen I. Band, Muchen und Leipzig: 1916, 82: “Fall von Byzanz, Serbien und Bosnien blieb Albaynien der letze größere christliche Staat der Halbinsel”).

Nga konstatimet e përmendura më sipër me plotë gojën mund të themi se, në Kuvendin e Lezhës u morën një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën politike e juridike të shtetit  në krijim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, princërit pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka na njofton edhe Barleci. Ai theksonte që Skënderbeu “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë [...]”.Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbërorë, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellur me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetarë të vetëm. Kryetar i saj u zgjodh, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Në të vërtetë ky ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve). Sipas Martin Segonit Novobërdasit, biograf i parë i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (1481) “[...] qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret” (A. Pertusi. Martino Segono di Novo Brdo vescovo di Dulscigno: Un umanista serbo-dalmata del tardo Quottrocento. Vita e opera, Roma: Istituto Storico Italiano per il Medio Evo. Studi Storici, fasc. 128-130, 1981, 143: “[...] fu da loro riconosciuto per legittimo principe e gridato re […]”).

Sipas Dh. Frëngut, ndërkaq Gjergj Kastriroti-Skënderbeu është zgjedhur për komandant të përgjithshëm. (D. Franco. Gli Ilustri  et Gloriosi Gesti, 8 : “Et oltre di ciò ui creamo nostro General Capitano [...]” ).  Me fjalë të tjera sipas organizimit shtetëror, Skënderbeu përfaqësonte Kryetarin e Shtetit, që shoqërohet edhe më një aparat ekonomiko-financiar për menaxhimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit i kryesuar nga protovestiari. Ndërsa, për çështje diplomatike ekzistonte një tjetër aparat shtetëror i kryesuar nga kancelarë dhe nga konsujë, respektivisht ambasadorë. Përveç “Kryetarit të Shtetit” janë të njohura edhe këto organe qendrore shtetërore: “Këshilli i Luftës”, “Kuvendi i Kryezotërinjëve”, “Këshilli i Lartë”, si dhe organe të tjera, të cilat luajtën rol më rëndësi në ngritjen e aparatit shtetëror, që shtrihej në të gjitha vende të lira e të çliruara. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumit Devoll e Seman për tu zgjeruar në veri deri në trevat e Sanxhakut, Sjenicës, Zveçanit; në perëndim deri në brigjet e Adriatikut; në verilindje deri në Dardani Perëndimore, dhe në lindje deri në krahinën e Pollogut dhe në dy Dibrat. Aparati shtetëror në gjithë këtë hapësirë të lirë vepronte sipas modelit të shteteve mesjetare europiane.

“Këshilli i Luftës” për objektiv kryesor kishte formimin e një ushtrie të përbashkët, përkatësisht të një ushtrie federale, që do të ishte në gatishmëri për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, Skënderbeun. Gjithashtu, në rast nevoje këshilli në fjalë do të ndihmonte sundimtarët arbër për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Në fillimet e veta ai përbëhej nga princat, që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, të cilët ishin zotuar se do të luftonin me forcat e tyre të armatosura. Veprimi i parë i Skënderbeut që të krijoj një ushtri jo të përbërë nga mercenarë, sikurse ishte zakon i kohës, por një ushtri të disiplinuar dhe të ushtruar si duhet. Kështu, u mblodhën rreth 8000 luftëtarë; 3000 ndër këta e përbënin gardën e Skënderbeut, me këmbësorë dhe kalorës të lehtë e të rëndë; 3000 u vënë nën komandën e Moisi Golemit, i cili do të mbronte kufijtë nga do të vinin osmanët. Skënderbeu zgjodhi edhe ushtri vullnetare, për t’i pasur të gatshëm në rast lufte. Së këtejmi,  Skënderbeu, sipas burimeve që zotërojmë mund t’i bënte ballë fuqive të sulltanit me forca prej 10.000-12000-15000 vetash. Vendimet e Kuvendit të Lezhës favorizonin edhe ruajtjën e autonomisë së princave arbër. Andaj, secili sundues kishte trupa të veçantë për të mbrojtur zotërimet dhe interesat e veta dhe ruanin të drejtën të hynin në marrëdhënie personale me vende dhe forca të tjera jashtë kuadrit të “Kryetarit të Shtetit”. Por, kur u pa se me një ushtri aleatësh të pasigurt nuk mund  t’ i rezistohej inkursioneve të furishme të ushtrive osmane, Skënderbeu iu kushtua organizimit të një ushtrie të re.

Për shkaqe të rivalitetit, ka të ngjarë siç njoftonte Gjon Muzaka në          “Kujtimet” e tij, Kuvendi Lezhës kishte krijuar edhe raporte pabarazie ndërmjet Skënderbeut e sundimtarëve të tjerë arbërorë, gjë që shihet nga pasazhi i mëposhtëm i kronistit: “Pasi mori Matin, principatën e të atit, u bë Zot i qytetit të Krujës [...], që në pak kohë sonoi të zotëronte të gjithë vendin. Vuri në pranga Zot Gjonin dhe Zot Gojkon e Balshajve, që ishin dy vëllezër [...], i mbajti në burg dhe u mori principatën e tyre që shtrihej midis Krujës dhe Lezhës e që thirrej vendi i Misisë. I mori dhe Moisi Komnenit principatën e tij, e cila ishte në Dibër [...]. Dhe pas vdekjes së atit tim’, na rrëmbeu edhe neve Tomonishtën, domëthënë  Muzeqenë e Vogël, e po kështu ai veproi me Zotërit e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës, që nuk mbroheshin fare, pse në duart e tij ishte ushtria për luftë dhe turku mund t’i sulmonin në çdo kohë”. Nga ky njoftim i Muzakës, nuk mund të kuptohet se është fjala për ndonjë grabitje të pasurive nga bujarë të tjerë, ose për një politikë personale të Skënderbeut. Mbi të gjitha këtu kemi të bëjmë me një proces historik që kishte filluar të vepronte qysh nga kapërcyelli i  shekullit XII, me ngritjen e shtetit të Arbrit, proces i cili gjeti truall të përshtatshëm edhe gjatë viteve të luftës kundërosmane në krye me Skënderbeun, udhëheqësin më të indikuar për të realizuar atë me ritme më të shpejta edhe me duar më të sigurta.

Është për të vënë re se, vendimet e Kuvendit të Lezhës iu dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitave të Skënderbeut në marrëdhënie me sundimtarë të tjerë arbërorë. Ai diti t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri për t’i ngritur në një shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e organeve qendrore, të udhëhequra prej tij,për të bashkuar sa më shumë krahinat e lira të Arbërisë. Pushtetin qendror e pranuan edhe shtresa feudale arbërore. Në të vërtetë kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, meqë ishte e qartë se me politikën e zgjedhur të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake, të pronave, për të cilat flet qartë biografi i heroit, Barleci, pushteti qendror, si kudo në Europë, te feudalët gjeti një mbështetje efektive politiko-ushtarake, shoqërore e kulturore fetare.

    Data: 01 Mars 2019 19:42
    Autori: Jahja Drançolli

    Të tjera