Kthehu lart

Zyrtari i Policisë dënohet për kërcënim të instruktorit të autoshkollës

Zyrtari i Policisë dënohet për kërcënim të instruktorit të autoshkollës GazetaExpress

Është shpallur aktgjykimi ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës, i cili akuzohet se e ka kërcënuar instruktorin e autoshkollës në lidhje me dhënien e testit të patentës së shoferit

I akuzuari Hamdi Tërpeza është dënuar me tetë muaj burg në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tha kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimi.

Tërpeza është i detyruar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 50 eurosh në emër të paushallit gjyqësor.

Zyrtari i Policisë akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, ka tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi në atë mënyrë që në cilësinë e të punësuarit në stafin civil të Drejtorisë së Logjistikës së Policisë të Republikës së Kosovës, me qëllim që vëllai i tij Artan Tërpeza ta japë provimin për patentë shoferi për kategorinë “B”, pa iu nënshtruar fare provimit nga pjesa teorike dhe praktike.

Më tej në aktakuzë thuhet se me 20 janar të vitit 2013, Hamdi Tërpeza përmes telefonit e ka thirrur të dëmtuarin Kasim Hoxha dhe e ka kërcënuar me fjalët: “Në rast se nesër nuk e kryen testin po të betohna, pasha natën e vorrit nuk e kryen i gjallë pa të lidh sikur qenin nuk e la… shko ku të duash nesër je i lidhtë, vi në stacionin e autobusëve dhe të pres deri te del Artoni”.

Në bazë të aktakuzës, të nesërmen në mëngjes Hamdi Tërpeza ka shkuar në Stacion të Autobusëve me automjetin zyrtar dhe pasi e ka takuar instruktorin Kasim Hoxha pa u prezantuar fare e ka pyetur: “A ia kryen testin”, ndërsa kur i dëmtuari ka mohuar, e ka kapur për krahu dhe i ka thënë: “Hajde me mua deri te vetura zyrtare”. Pasi që i dëmtuari kishte rezistuar tutje thuhet se Hamdiu i kishte thënë se do të shkojë ta marrë komandantin dhe do të kthehet prapë, duke iu drejtuar me fjalët: “E ka ndreq terrenin për sot që me e lidh”.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Artan Tërpeza ka refuzuar ta pranojë dhe t’i nënshtrohet testit të provimit për patentë shoferi sikurse kandidatët e tjerë, duke pretenduar me çdo kusht se vetëm i dëmtuari duhet t’ia plotësojë testin e provimit dhe ta kalojë në këtë provim.

I akuzuari kishte deklaruar se ndihet i pafajshëm në akuzat që i ngarkoheshin.

    Data: 12 Shkurt 2018 14:33
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera