Kthehu lart

Zaev: Antisemitizmi ende nuk është mposhtur, nevojitet aktivizim dhe konfrontim me të

Zaev: Antisemitizmi ende nuk është mposhtur, nevojitet aktivizim dhe konfrontim me të GazetaExpress

Holokausti mbetet masë e përgjithshme për krimin më të madh të mundshëm nga errësira e shpirtit njerëzor. Antisemitizmi ende nuk është mposhtur dhe prandaj nevojitet aktivizim dhe konfrontim me të dhe të ndërtojmë shoqëri që e respekton sigurinë e qytetarëve të vet. Në këtë mënyrë me të vërtetë do t'i nderojmë shpirtrat që nuk janë në mesin tonë.

Kjo, siç transmeton Gazeta Express, u theksua në manifestimin në Muzeun e Holokaustit në Shkup në kujtim të 7.144 hebrenjve nga Maqedonia, viktima të holokaustit që në ditën e sotme para 76 vitesh qenë mbledhur dhunshëm në hapësirat e ish-monopolit dhe u dërguar më pas në kampin e vdekjes në Treblinkë ku pothuajse të gjithë gjetën vdekjen.

Rabini Endru Bejker tha se dëshmitarët e këtyre veprave kriminale në vitin 1943, disa fëmijë të mbijetuar, të gjithë ata nuk janë në mesin tonë dhe në atë rast përgjegjësia dhe obligimi ynë është të kujtojmë ata, por edhe të gjitha viktimat e makinerisë vrastare naziste.

Ai foli edhe për ata që, siç tha, “duan të mohojnë holokaustin dhe të thonë se numrat janë tepruar ose të tjerë që janë me qëllim të shtrembërojnë të vërtetën për atë që ka ndodhur”.

“Kujtimi ynë nuk është vetëm të nderojmë në këtë solemnitet por edhe të jetë thirrje për kujdes dhe aktivizim ndaj antisemitizmit ekzistues në Evropë dhe kudo me rritjen e rrymave populliste dhe revizioniste që kanosen të gjithëve të na fshijnë…Duke e pasur parasysh atë se Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i shpresave. Një problem në dukje i pamundur u zgjidh me guximin e kryeministrit Zaev dhe kolegut të tij grek që i qetësoi pasionet nacionaliste dhe përfundimisht e hapi derën për të ardhmen në NATO dhe BE”, tha rabini Bejker.

Nënkryetari ekzekutiv dhe drejtori kryesor ekzekutiv i Kongresit Botëror Hebre, Robert Singer në fjalimin e tij mes tjerash foli për mossuksesin e shoqërisë bullgare qytetare që, siç tha, “kanë shpëtuar hebrenjtë e tyre, por jo edhe bashkësinë hebraike në Maqedoni”.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se sot ,kur shënohen 76 vjet nga deportimi i hebrenjve maqedonas në llogoret naziste të vdekjes, "holokausti nuk është vetëm një faqe e errët e Luftës së Dytë Botërore, por edhe paralajmërim për të gjithë ne nga gjitha besimet për gjitha kohët".

“Por ndjej edhe zemërim të thellë për antisemitizmin në botë që ende nuk është fituar. Antisemitizmit patjetër t’i kundërvihemi me gjithë forcën e botës demokratike dhe në çdo vend. Urrejtjen domosdo ta ballafaqojmë me disfatën, ta mposhtim para se ajo ta mposhtë demokracinë. Porosia ime çdoherë do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut është shtëpi e të gjithë qytetarëve pa përjashtim. Historia e holokaustit është leksion i cili na mëson të përballemi me njerëzimin, të mos ndodhë asnjëherë. Detyra jonë është të mos heshtim dhe të mos harrojmë”, tha Zaevi.

Sipas kryetares së bashkësisë së hebrenjve në Maqedoni Berta Romano Nikoliq, ekspozita e përhershme në Muzeun e holokaustit është shtëpi e përbashkët e kujtimeve për hebrenjtë maqedonas të cilët u dërguan në llogoret e vdekjes në Treblinkë, një tempull i dritës së shpirtit njerëzor.

Para mysafirëve të shumtë, personalitete të jetës publike dhe korit diplomatik paraqitje pati edhe ministri për Jerusalemin dhe për Mjedisin Jetësor të Izraelit, Zev Elkin, ndërsa u lexuan edhe letra përshëndetëse nga kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu dhe nga Kneseti, respektivisht parlamenti izraelit.

Në ekspozitën e përhershme në Qendrën Memoriale të Holokaustit, që sot u hap, vend nderi do të zë edhe Tora 500 vjet e vjetër, të cilën hebrenjtë sefardikë e kanë sjellë me vete gjatë eksodit nga Spanja në Maqedoni. Tora është libri që rrëfen historinë e hebrenjve dhe llogaritet si kanun dhe bazë e etikës së tyre të gjithëmbarshme.

    Data: 11 Mars 2019 18:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera