Kthehu lart

Skenderaj, Drenasi, Vushtrria dhe Kastrioti thellojnë bashkëpunimin

Skenderaj, Drenasi, Vushtrria dhe Kastrioti thellojnë bashkëpunimin GazetaExpress

Katër kryetarët e komunave, të Skenderajt, Drenasit, Vushtrrisë dhe Kastriotit, së bashku me Nënkryetarët, shefat e kabineteve, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale dhe drejtorët e drejtorive, janë takuar sot, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit.

Kryetarët Bekim Jashari, Ramiz Lladrovci, Xhafer Tahiri dhe Xhafer Gashi, në takimin e sotëm, u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të katër komunave, të lidhura me kufijtë ndërkomunal, por edhe me bjeshkët e Çyçavicës, të njohur gjatë historisë.

Bashkëpunimi ndërkomunal konsiston në lëmin e infrastrukturës, shërbimeve publike, arsimit, kulturës, sportit e në veçanti në lëmin e ekonomisë, duke planifikuar zona me interes të përbashkët siç është turizmi, terrenet e ndryshme rekreative dhe biznesore. Po ashtu, me rëndësi në këtë bashkëpunim do të jenë ruajtja e ambientit, kujdesi ndaj ujërave si dhe sipërfaqeve të gjelbëruara.

“Ky takim, është fillim i një bashkëpunimi dhe iniciative të qëndrueshme për zhvillim ndërkomunal, me rëndësi të veçantë për zonat kufitare, ku qytetarët e zonave të kufijve ndërkomunal janë në fokus të përbashkët. Presim që kjo nismë e bashkëpunimit, të thellohet me punë të përbashkëta të drejtorive përkatëse si dhe hartimin e planeve të përbashkëta, në interes të qytetarëve”, ka theksuar Lladrovci.

Ai ka shtuar se me interes të theksuar për qytetarët e katër Komunave, por edhe e gjithë Kosovës, është ndërtimi i rrugës ne bjeshkët e Çyçavicës.

Drejtoritë përkatëse, inspektorat si dhe organet tjera komunale, do të këmbejnë përvojat e veta si dhe do të parashtrojnë aktivitetet si dhe strategjitë, duke i begatuar dhe mbarështruar ashtu që ky bashkëpunim të sjell dobi për qytetarët dhe katër komunat me këtë nismë të re të bashkëpunimit.


    Data: 21 Mars 2018 23:47
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera