Kthehu lart

Samiti i Sofjes, edhe Gjykata Speciale në konkluzionet e liderëve të BE-së dhe Ballkanit

Samiti i Sofjes, edhe Gjykata Speciale në konkluzionet e liderëve të BE-së dhe Ballkanit GazetaExpress

Pas takimit të sotëm në Sofje të Bullgarisë udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të saj, në konsultim me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të aktorëve relevantë rajonalë, kanë nxjerrë disa përfundime në mesin e të cilave përmendet edhe Gjykata Speciale

1. BE-ja përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane, si edhe për vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar, i cili bazohet në lidhjet tona historike, kulturore dhe gjeografike, dhe gjithashtu në interesat tanë të përbashkët politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

2. Duke rikujtuar Samitin e Selanikut të vitit 2003, BE-ja ripohon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Duke ndërtuar mbi progresin e arritur deri tani, partnerët e Ballkanit Perëndimor janë riangazhuar për perspektivën evropiane si zgjedhjen e tyre strategjike të qëndrueshme, duke përforcuar përpjekjet e tyre dhe mbështetjen e ndërsjellë. Besueshmëria e këtyre përpjekjeve varet nga komunikimi publik i qartë.

3. BE-ja është e vendosur të përforcojë dhe të intensifikojë angazhimin e vet në të gjitha nivelet, me qëllim për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë përmes rritjes së ndihmës, në bazë të progresit të prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike të kryera nga Partnerët e Ballkanit Perëndimor.

4. BE-ja mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për parësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit, veçanërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të personave, që u përkasin minoriteteve. Zbatimi i efektshëm i reformave nga ana e tyre mbështetet në këto themele. Shoqëria civile dhe mediat e pavarura luajnë një rol vendimtar në procesin e demokratizimit.

5. BE-ja mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Kjo përfshin në veçanti gjetjen dhe implementimin e zgjidhjeve definitive, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, duke përkushtuar përpjekje shtesë për të siguruar pajtimin mes tyre.

6. Ndërtimi i një rrjeti të dendur të lidhjeve dhe mundësive brenda rajonit dhe me BE-në është jetësore për afrimin e qytetarëve dhe ekonomive tona, si dhe për rritjen e stabilitetit politik, prosperitetit ekonomik, zhvillimit kulturor dhe shoqëror. Duke ndërtuar mbi progresin e bërë, përfshirë përmes nismave rajonale, ne angazhohemi të përmirësojmë thelbësisht lidhshmërinë në të gjitha dimensionet e saj: energjetike, digjitale, ekonomike, njerëzore dhe të transportit.

7. BE-ja pranon të promovojë një mjedis miqësor për tregun dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të përparuar më shpejt drejt ekonomisë digjitale dhe shoqërive të qëndrueshme dhe miqësore ndaj klimës, në përputhje me marrëveshjen e Parisit. Siguria energjetike do të prioretizohet, duke përfshirë përmirësimin e efikasitetit energjetik, ndërlidhje ndërkufitare më të mira, diversifikimin e burimeve dhe rrugëve, si edhe një përzierje të ekuilibruar të energjisë, e cila integron më mirë energjinë e rinovueshme.

8. Theks i veçantë do të vihet në drejtim të krijimit të mundësive të mëtejshme për rininë, duke siguruar që ajo të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

9. Për këtë qëllim, BE-ja përshëndet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, për të përshpejtuar implementimin e acquis-it në pajtim me Traktatet e Komunitetit të Energjisë dhe Komunitetit të Transportit, për të mënjanuar të gjitha barrierat administrative në kufij, për të përfunduar Tregun Rajonal të Energjisë Elektrike dhe për të zbatuar urgjentisht

Planin Shumëvjeçar të Veprimit të Korrikut 2017 për Zhvillimin e Zonës Ekonomike Rajonale. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë këto përpjekje.

10. BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor ndajnë shumë sfida sigurie, të kërkojnë veprim të koordinuar individual dhe kolektiv. Kur punojmë së bashku, ne jemi në mundësi të përballojmë këto sfida në mënyrë efektive. Bashkëpunimi ynë për të frenuar rrjedhjet e paligjshme të migracionit ka treguar vlerën e tij dhe do të zhvillohet më tej.

KËTU mund t'i lexoni konkludimet e nxjerra nga Samiti i Sofjes

    Data: 17 Maj 2018 15:49
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera