Kthehu lart

Rritja e pagave nga kryeministri mbetet pezull, Gjykata ende pa vendim

Rritja e pagave nga kryeministri mbetet pezull, Gjykata ende pa vendim GazetaExpress

Një vendim i kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur dyfish rrogën vetes, ashtu sikurse edhe vartësve të tij, përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Por ky institucion nuk ka dalë ende me një përfundim nëse në rastin e rritjes së pagave ka pasur shkelje ose jo. Vendimi i Gjykatës nuk precizohet se kur do të ndodhë. Shefi i Qeverisë ishte kritikuar ashpër kur mori vendim "krye në vete" për t’i rritur të ardhurat personale.

Vetëm disa muaj kur e mori në dorë udhëheqjen e Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi se paga e tij dhe e kabinetit nuk ishte e mjaftueshme, duke i rritur ato 100 për qind.

Por vendimi i kryeministrit ishte vlerësuar i kundërligjshëm, duke e dërguar kësisoj të njëjtin në Kushtetuese. 

Sidoqoftë, që nga muaji janar kur deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e kishte dorëzuar lëndën në këtë institucion, që atëherë, kjo Gjykatë nuk ka asnjë vendim. Në një përgjigje të shkurtë për Gazetën Express, ata kanë thënë se lënda është në shqyrtim.

“Kjo lëndë aktualisht është në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata ende nuk ka marrë vendim”, kanë sqaruar nga Kushtetuesja, duke mos treguar se kur mund të ndodhë një vendim i tillë.

E derisa gjykata ende nuk ka dalë me një përfundim, rritja e pagave ka mbetur e pezulluar. 

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e tyre e pezulloi vendimin për ngritje të pagave deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ky vendim është i motivuar në respekt të institucioneve.

Me vendimin e tij, kryeministri ia dyfishoi vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. 

Deri më tash paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, derisa në vendimin e ri, por të pezulluar, ajo do të ishte 2950 euro. /GazetaExpress/

    Data: 17 Maj 2018 14:23
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera