Kthehu lart

Ringjallet tema e gylenistëve: Presioni i fuqishëm i ambasadave për zbardhjen e rastit

Ringjallet tema e gylenistëve: Presioni i fuqishëm i ambasadave për zbardhjen e rastit GazetaExpress

Tema e dëbimit të gjashtë gylenistëve është kthyer në diskutim pas reagimeve të ashpra të ambasadave të huaja në Kosovë. Amerikanët, gjermanët dhe britanikët kanë kritikuar AKI-në dhe spektrin politik, si asnjëherë më parë

E para që ringjalli temën e dëbimit të gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi, vitin e kaluar, ishte Ambasada amerikane.

Për shkak të evidentimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Gylenistët për shkeljet e institucioneve në këtë rast, Ambasada ka ngritur shqetësime rreth mashtrimit nga ana e AKI-së dhe manipulimit politik, shkruan Gazeta Express.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”, ka reaguar Ambasada amerikane.

“Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, ka thënë Ambasada.

E kështu mendojnë edhe diplomatët gjermanë dhe britanikë.

Menjëherë pas reagimit të amerikanëve, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, kanë dhënë mbështetjen e saj deklaratës së SHBA-së rreth rastit të gylenistëve.

"Ne e mbështesim plotësisht deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për dëbimet e shtetasve turq, marsin e kaluar", ka thënë Ambasada britanike.

Pak minuta më pas, reagoi edhe Gjermania, ku thanë Komisionit parlamentar duhet t’i mundësohet t’i paraqesë gjetjet e tij.

"Sundimi i ligjit është kyç: prandaj, një komisioni parlamentar gjithashtu duhet t'i mundësohet t'i paraqesë gjetjet e tij", ka shkruar ambasadori gjerman, Christian Heldt.

Në shkurt të vitit 2019, kryetari dhe nënkryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për rastin e gylenistëve kanë ushtruar padi ndaj Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, padia është bërë për shkak se ky organ nuk ka lejuar Komisionin që ta përmbushë mandatin e saj ligjor, duke mos lejuar që Komisionit t’i vazhdohet mandati i përcaktuar me ligj.

“Kryesia e Kuvendit ka injoruar përfundimin e vetë Kryesisë se një komision duhet të bëjë kërkesë për zgjatjen e afatit në një periudhë prej gjashtë muajsh. Si komisioni për ndriçimin e çështjes së dëbimit të gjashtë shtetasve turq kur kemi kërkuar zgjatjen e mandatit të tij, ka qenë në muaji i katërt i formimit tonë, gjë që e bën këtë kërkesë krejtësisht legjitime dhe ligjore”, është thënë në reagimin e Komisionit.

Këtë padi Komisioni Hetimor Parlamentar e ka bërë në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 15 shkurt të vitit  2019.

Kanë kaluar 1 vit që prej se Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina u dëbuan dhunshëm nga territori i Republikës së Kosovës, me kërkesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Për shkak të këtij akti, më vonë pati edhe shkarkime të ministrave, por edhe ngritje në pozita të detyrës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefajn dhe shefin e AKI-së, Driton Gashin, dhe dënimi institucional për deportimin e tyre mbeti me kaq. /GazetaExpress/

    Data: 12 Mars 2019 11:01
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera