Kthehu lart

Rasti i vëllezërve Bytyçi: Thirrje SHBA’së për t’i bërë presion Vuçiqit

Rasti i vëllezërve Bytyçi: Thirrje SHBA’së për t’i bërë presion Vuçiqit GazetaExpress

Familja e tre shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999, po i bën thirrje zëvendëspresidentit Mike Pence ta ngre këtë çështje me presidentin serb Aleksandër Vuçiq,ç gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara më 16-18 korrik.

Praveen Madhiraju, përfaqësuesi ligjor i familjes Bytyçi tha për BIRN se familja dëshiron që Pence ta trajtojë çështjen drejtpërdrejt, për t’u siguruar që premtimet e bëra ndaj zyrtarëve amerikanë të respektohen më shumë sesa ato që janë bërë për të mbrojtur Goran Radosavljeviqin.

Familja Bytyçi beson se Radosavljeviqi, ish-komandanti i një njësie speciale policore dhe i qendrës stërvitore në Petrovo Sello, ku tre vëllezërit u mbajtën para se të vriteshin, është i dyshuari kryesor në këtë çështje. Radosavljeviqi tani është në pension, por mbetet aktiv në politikë si një anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit. Ai është marrë në pyetje në lidhje me vdekjen e vëllezërve, por ndaj tij nuk është ngritur ndonjë padi.

“Presidenti Vuçiq ka aftësinë për ta çuar para këtë çështje,” tha Madhiraju, duke shtuar se familja sheh me skepticizëm çdo premtim apo informacion që ofron Vuçiqi.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi shkuan për të luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit dhe u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës, teksa ata shkelën një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës. Pasi kryen dënimet e tyre për shkelje të paligjshme të kufirit, u arrestuan përsëri teksa largoheshin nga burgu i zonës në qytetin Prokuple në Serbinë jugore. Ata u dërguan në qendrën stërvitore të policisë në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje. Më pas u lidhën me tel nga persona të panjohur dhe u çuan në një gropë që shërbente për të hedhur plehrat, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe më 9 korrik 1999.

Familja Bytyçi ka akuzuar Vuçiçin se ka shkelur vazhdimisht premtimet për të zgjidhur çështjen dhe ka refuzuar ta mbajë familjen të informuar në lidhje me hetimin. Ata u shprehen gjithashtu se Vuçiqi “ka paraqitur në mënyrë të rreme ‘prova të reja’ para diplomatëve të rëndësishëm”, e nuk ka ndërmarrë hapa të besueshëm për të inkurajuar dhe mbrojtur dëshmitarët.

Çështja ka vazhduar të jetë një problem i madh bilateral midis Serbisë dhe SHBA-ve. Para vizitës së Vuçiqit në Ëashington, ambasadori i amerikan në Beograd, Kyle Scott, u takua me prokuroren e re serbe të krimeve të luftës për të folur për çështjen.

“Ambasadori theksoi shqetësimin e SHBA-së për çështjen e mbetur të pazgjidhur”, tha më pas Ambasada e SHBA-së në një deklaratë.

“Çështja e zgjidhjes së vrasjeve të vëllezërve Bytyçi është një provë e gatishmërisë së Serbisë për të pranuar atë që ajo bëri në Kosovë”, tha Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike. /Filip Rudiq/BIRN/

    Data: 14 Korrik 2017 18:48
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera