Kthehu lart

Pushon zyrtarisht ndjekja penale ndaj Oliver Ivanoviqit

Pushon zyrtarisht ndjekja penale ndaj Oliver Ivanoviqit GazetaExpress

Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktvendim ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Oliver Ivanoviqit, pas vrasjes së tij më 16 janar.

Gjykata aktvendimin, e ka bazuar në nenet 450-457 dhe nenin 358 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 358 merret me rrethanat në të cilat pushon ndjekja penale ndaj një të akuzuari, ndërsa nenet 450-457 lidhen me pagesën e shpenzimeve të procedurës gjyqësore kur hedhet aktakuza.

Në aktvendimin e hedhjes poshtë të aktakuzës jepet historia e gjykimit për krime lufte të Oliver Ivanoviqit, ndërsa tregohet se më 21 janar 2016 ai ishte dënuar me nëntë vjet burg.

Gjykata në aktvendim tregon se hedhja poshtë e aktakuzës, sipas nenit 358 ndodh nëse ka skaduar afati kohor i aktakuzës, nëse ndodh ndonjë amnisti, apo ekzistojnë rrethana tjera që e ndalojnë ndjekjen penale.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm. /kallxo.com/

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

    Data: 14 Shkurt 2018 12:13
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera