Kthehu lart

O’Connell për krimet ndaj viktimave të dhunës seksuale: Askush si ju nuk e di këtë dhimbje

O’Connell për krimet ndaj viktimave të dhunës seksuale: Askush si ju nuk e di këtë dhimbje GazetaExpress

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në partneritet me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, kanë mbajtur punëtorinë: Adresimi i stigmatizimit që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Feride Rushiti, nga QKRMT, tha se kjo punëtori paraqet përkushtimin dhe punën 20-vjeçare të QKRMT.

Ajo tha se qëllimi i kësaj punëtorie ka të bëjë me analizimin e thellë të stigmatizimit që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Fatkeqësisht edhe sot kur jemi mbledhë në botë ende ka gra, vajza që janë pre e dhunës seksuale. Thuhet se stigma vret, vret sepse vuajtjet e tua shtohen duke qenë edhe të pambrojtura nga shteti dhe nga familja. Ne sot jemi mbledhur për të parë se ku janë viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, të mendojmë çka kemi bërë dhe çka duhet të bëjmë më shumë”, tha ajo.

Atifete Jahjaga, ish-presidentja e Kosovës, tha se në bazë të statistikave nga lufta e fundit në Kosovë rezulton se janë 20 mijë gra dhe burra dhe me vite të tëra janë heshtur krimet që u janë bërë këtyre burrave dhe grave.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, tha se të mbijetuarit e dhunës nuk duhet të ndihen të turpëruar, por kryesit e këtyre veprave.

“Stigma duhet të zhduket plotësisht dhe kjo luftë nuk është e rëndësishme veç për Kosovën por për të gjithë botën. Askush nuk mund të luftojë stigmën më shumë se ju, sepse askush si ju nuk e di këtë dhimbje”, tha ai.

Shefja e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulu, tha se EULEX mbetet i përkushtuar që të ndjekë të gjitha rastet, duke shtuar se sfidat në këto hetime janë shumë të mëdha.

Në këtë punëtori të pranishëm ishin edhe disa nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Data: 14 Shtator 2017 10:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera