Kthehu lart

Nuk ka marrëveshje të fshehtë mes Trump dhe Putin

Nuk ka marrëveshje të fshehtë mes Trump dhe Putin GazetaExpress

Nuk ka prova të një marrëveshjeje të fshehtë mes fushatës Trump dhe Kremlinit në zgjedhjet presidenciale të 2016. Në këtë përfundim kanë mbërritur anëtarët republikanë të Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, pas një hetimi një-vjeçar mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Krye-republikani i këtij komiteti Mike Conaway deklaroi se paneli ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe ka zbuluar vetëm “kontakte të paqëllimshme” mes përfaqësuesve të fushatës Trump dhe rusëve, gjë që është e tepërt të konsiderohet si marrëveshje e fshehtë.

Edhe pse raporti mbështet përfundimet e komunitetit amerikan të inteligjencës se Rusia vërtet ka ndërhyrë në zgjedhjet e 2016, një pikë kyçe e tij është fakti se republikanët nuk pranojnë që Moska të ketë ndërhyrë për të ndihmuar fushatën Trump.

Ky është vetëm një nga disa hetimet që po shqyrtojnë ndërhyrjen e supozuar ruse.

Robert Mueller udhëheq një hetim penal lidhur me çështjen, ndërsa hetimet e kongresit shërbejnë për të informuar publikun dhe për të bërë rekomandime legjislative.

Sidoqoftë, kaq ka mjaftuar që presidenti Donald Trump t’i drejtohej llogarisë së tij zyrtare në Twitter për të festuar gjetjet e republikanëve, duke përsëritur faktin se komiteti nuk kishte gjetur “asnjë provë të një marrëveshjeje të fshehtë”.

Demokratët në anën tjetër u shprehën të pakënaqur me vlerësimin dhe akuzuan republikanët për mungesë guximi në përballien me presidentin.

    Data: 13 Mars 2018 19:17
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera