Kthehu lart

Ngjarjet më të rëndësishme nga bota

Ngjarjet më të rëndësishme nga bota GazetaExpress

Gazeta Express ju sjell ngjarjet më të rëndësishme nga bota

Tërhiqet Martin Schulz - Lideri i Partisë Socialdemokrate (SPD) të Gjermanisë, Martin Schulz, thotë se menjëherë tërhiqet nga kjo pozitë për të lejuar ripërtirje në këtë parti.

Udhëheqësit e kësaj partie të qendrës së majtë thanë dje se lider i përkohshëm deri në kongresin e partisë më 22 prill do të jetë kryetari i qytetit të Hamburgut, Olaf Scholz.

Martin Schulz, 62 vjeçar, u tha gazetarëve se udhëheqja e partisë unanimisht e ka nomnuar shefen e grupit parlamentar të kësaj partie, Andrea Nahles, 47 vjeçare, për ta zvendësuar atë në krye të partisë. Kandidatura e saj duhet të miratohet në mbledhjen e kongresit.

Shpëton avioni nga përplasja - Një avion ka bërë një ulje të mrekullueshme pasi që nga motorët pati probleme dhe nuk po punonte gjatë fluturimit.

Pasagjarët e kapën dramën duke bërë foto dhe video atëherë kur fluturimi i United Airlines nga San Francisko arriti të ulej në aeroportin  e Honululu për ulje emergjente.

Autoritetet kanë njoftuar se asnjë person nuk është lënduar.

Dënohet ish-trajneri i futbollit - Një ish-trajner futbolli është shpallur fajtor për 36 akuza për vepra seksuale ndaj djemve të dy ekipeve në grupmoshat e reja në Manchester City dhe Crewe Alexandra, në mes të viteve 1970 dhe 1990.

Juria ende po merret me akuza të reja kundër 64 vjecarit, Barry Bennell. Gjykata bëri të ditur se Bennell kishte rregulluar shtëpinë e tij me lodra të shumta, kur i joshte fëmijët dhe i ngacmonte seksualisht.

Në gjykatë u paraqitën mbi 40 ish-lojtarë që me lot në sy pritën leximin e verdiktit.

Dhjetëra mercenarë të vrarë në Siri - Në periudhën e raporteve të mediave që sugjerojnë se një numër i madh i mercenarëve të Rusisë ishin vrarë nga sulmet ajrore amerikane në Siri javën e kaluar, një zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha se Kremlini nuk “ka informacion” për këtë çështje.

Duke e cituar një zyrtar të paemëruar të Shteteve të Bashkuara dhe tre rusë, për të cilët thuhet se ishin të afërt me këtë çështje, agjencia Bloomberg ka raportuar sot se “forcat e Shteteve të Bashkuara i kanë vrarë dhjetëra ushtarë rusë me kontratë” në incidentin më 7 shkurt.

Bloomberg i ka cituar burimet e veta ruse që kanë thënë se më se 200 mercenarë, shumica prej tyre rusë, ishin vrarë gjatë sulmit të pasuksesshëm kundër një baze dhe rafinerie, nën kontroll të Shteteve të Bashkuara dhe forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, në rajonin Deir al-Zor në Siri.

SHBA dhe ndikimi i Rusisë në zgjedhje - Shefat e agjencive kryesore të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se Rusia synon të përdorë sulme kibernetike dhe taktika të tjera, në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme për Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në disa vende evropiane.

Duke dëshmuar  para Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan, drejtorët e CIA-s, FBI-së, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, dhe të tri agjencive të tjera të spiunimit, janë pajtuar me vlerësimin se Moska nuk i ka kufizuar përpjekjet e saj për të ndikuar në politikën amerikane, prej zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Zarf me pluhur të bardhë në adresë të Obamës - Policia në Uashington po heton një substancë pluhuri të bardhë që është dërguar në një zarf në adresën e zyrës së ish-presidentit, Barack Obama.

Sipas mediave amerikane, ngjarja ka ndodhur gjysmë ore pas mesnate, me orën lokale, në rrugën 24, në veriperëndim të Uashingtonit.

Obama ka marrë me qira një hapësirë në ndërtesën, që është në pronë të organizatës jofitimprurëse, World Wildlife Fund, që ka dhe zyrat e veta atje.

Paralajmërimi për Illuminatin - Paul Hellyer, i cili mbikëqyrte forcat mbrojtëse kanadeze në vitet 1960, ka dalë dhe ka thënë se Illuminati është një entitet i vërtetë dhe po kontrollon botën – duke e bërë atë zyrtarin më të lartë të një qeverie në mbarë botën që e bënë këtë.

Sipas mediave të huaja, Hellyer ka thënë se beson që elita e botës kishte teknologjinë për të ndryshuar efektet e ndryshimeve klimatike, por po e mbante larg nga publiku.

Transport publik për të parandaluar ndotjen - Qeveria gjermane parashikon transport publik falas në qytete për të përmirësuar cilësinë e ajrit, një masë e bërë publike sot dhe që synon për t’iu shmangur hetimit nga gjykata europiane.

Për shtetet rajonale dhe komunat parashikojmë ofrimin falas të transporteve publike për të ulur numrin e makinave të pasagjerëve në qarkullim, bën me dije një email i dërguar më 11 shkurt nga ministrja e Mjedisit, Barbara Hendricks ai i Transporteve Christian Schmidt dhe Financave, Peter Altmaier drejtuar komisionerit europian përgjegjës për mjedisin, Karmenu Vella./Express

    Data: 14 Shkurt 2018 08:53
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera